.
Published On: Tue, Jul 25th, 2017

Donika Podrimja: Ju rrëfej tim atë

Share This
Tags

Ali Podrimja mbylli sytë përgjithmonë më 21 korrik të vitit 2012. Një shkrimtar i madh, një gjakovar e shqiptar krenar dhe një baba e mik i jashtëzakonshëm. Kështu e kujtojnë ata që e njohën personalisht, të tilla kujtime ka për të atin edhe Donika Podrmija, e bija e Aliut.

Ditë më parë, në sheshin që mbart emrin e tij, në 5-vjetorin e ndarjes fizike nga kjo botë u kujtua Ali Podrimja. Në të vërtetë quhet Parku Kulturor “Ali Podrimja”, që këtë verë u shndërrua në qendër kulturore të rinisë gjakovare.

E pranishme ishte edhe e bija e Aliut, Donika, që tregoi anën tjetër të shkrimtarit të madh, i veshur nën petkun e babait. Ali Podrimja kaloi fëmijërinë dhe rininë e hershme në Gjakovë, më pas iku për studime në Prishtinë ku jetoi dhe veproi.

Ai ishte fëmijë i vetëm, prandaj pasardhësit e tij nuk kishin edhe shumë arsye për të vizituar Gjakovën, ose një shtëpi për të kaluar disa ditë pushim.

“Ne u lidhëm me Gjakovën përmes rrëfimeve të tij. Ne nuk kemi qenë shpesh në Gjakovë sepse Aliu nuk ka pasur, as motër, as vëlla, prandaj edhe vizitat tona kanë qenë të rralla. Por, ai gjatë gjithë kohës na ka folur për Gjakovën”, thotë Donika.

Por, në shtëpinë e Aliut në Prishtinë, të gjithë ishin gjakovarë, pavarësisht vendlindjes.

“Ne, fëmijët e tij, edhe pse nuk kemi lindur këtu (Gjakovë) dhe jetojmë në Prishtinë, kemi qenë të lidhur me Gjakovën”, vijon rrëfimin e saj Donika. “Ne s’kemi guxuar të themi se jemi nga Prishtina, është dashur të prezantohemi si gjakovarë”, vijon ajo.

Imagjinata e Aliut nuk kishte kufinj, shumë lexues e kanë hasur atë në veprat e tij, por Donika është përballur edhe në historia personale të familjes të rrëfyera nga i ati.

“Të gjitha historitë kanë pasur edhe nga pak imagjinatë. Dua të ndaj me ju një rast. Deri në moshën 13-vjeçare kam menduar se ai e ka shpëtuar nënën time nga një peshkaqen dhe prandaj janë bashkë. Kur e pyesnim se si ishte takuar me nënën, ai thoshte se ishin takuar diku në një nga vendet bregdetare të Kroacisë, ai e kishtë shpëtuar atë nga një peshkaqen dhe më pas ajo ishte dashuruar menjëherë në ‘heroin’ e saj”, tregon Donika ndërsa në park filluan të qeshurat.

Ali Podrimja ka qenë ndër të parët që ka nisur të kërcejë në stil dallëndyshe nga Ura e Fshejtë. “Shumë histori ka pasur për kërcimet dhe ka qenë shumë krenar për këtë pjesë”, thotë Donika.

Ali Podrimja ose Ali Italiani njihej për guxim. Ura shpesh nuk i mjaftonte, prandaj një ditë ai kishte ndaluar autobusin e linjës Prizren-Gjakovë në mes të Urës së Fshejtë dhe ishte ngjitur mbi të dhe kishte kërcyer prej aty.

Aliu, nofkën Italiani e mori nga shkëmbi më i lartë buzë Drinit ku gjatë Luftës së Dytë Botërore ishin vendosur italianët. Ai kishte kërcyer nga ajo lartësi që vlerësohet të jetë 12 metra më e lartë se ura.

Një histori më urën e tregon edhe Donika. Në vitet e fundit të jetës së tij kur Aliu ishte në moshë edhe kur trupi i tij atlektik tashmë ishte zëvendësuar me barkun e fryrë.

“Një ditë ai kishte kaluar nga ura dhe ishte ndalur. Kishte takuar disa të rinj dhe i kishte pyetur nëse e njihnin Ali Italianin që ishte i famshëm për kërcimet nga pika më e lartë e shkëmbinjve të Drinit. Ata i ishin përgjigjur se e njihnin. ‘Unë jam Ali Italiani’, iu ishte përgjigjur ai. Por, njëri prej tyre, mosbesues, ia kishte kthyer ‘Ti qenke Ali barku, jo Italiani’”, tregon Donika.

Filmi “Big Fish” i producentit të famshëm Tim Burton është një nga të preferuarit e Donikës, pasi personazhi kryesor Edward Bloom që luhet nga aktori Albert Finney i kujton shumë të atin.

“Nëse dikush dëshiron të dijë se si ka qenë Ali Podrimja duhet të shikojë ‘Big Fish’ pasi Edward Bloom është kloni i tij”, thotë ajo.

Në këtë film, Bloom është në fund të jetës së tij dhe vendos t’i rrëfejë jetën birit të tij, William, por ai gjithmonë historitë i ka të ekzagjeruara. Edhe në shtratin e vdekjes është i njëjtë, jetën e tij e shfaq përmes anektodave dhe fantazisë.

Në fund, Donika ishte shumë e lumtur që i ati po i kujtohej në Gjakovë, në parkun që mban emrin e tij, në një shesh që tashmë është i mbushur me aktivitete kulturore.

“Faleminderit shumë dhe krenohem që jam gjakovare” përmbyll fjalën e saj Donika Podrimja./radiogjakova/

Ideal Gola/Radio Gjakova