.
Published On: Tue, Jun 13th, 2017

Europa League, Prishtina nis përgatitjet në Gjakovë

Share This
Tags

Skuadra e Prishtinës ka nisur përgatitjet për Europa League. Ekipi kryeqytetas nga hëna është zhvendosur në Gjakovë, ku deri të premten do të kryejë fazën e parë përgatitore.

Stërvitjet po mbahen në stadiumin e Vëllaznimit, ndërsa skuadra kuqezi ka bërë gjithçka në dorën e saj për t’ju ofruar klubit të Prishtinës kushte sa më të mira.

Duket se kryesia e Vëllaznimit ia ka dalë, pasi trajneri i Prishtinës, Arsim Thaqi, ka falenderuar kuqezinjtë, pasi sipas tij, ju kanë ofruar kushte shumë të mira për këtë fazë përgatitore.

Pikërisht në stadiumin e qytetit në Gjakovë, të hënën ekipit bardhekaltër, i është bashkuar edhe përforcimi i ri Liridon Fetahaj.

Prishtina do të nisë garën në Europë nga raundi i parë i kualifikimit në Europa League. Kundërshtarin do ta mësojë të hënën e 19 qershorit kur edhe do të hidhet shorti. Ndeshjen e parë do ta luajë në datën 29 qershor, ndërsa atë të kthimit më 6 korrik.

Përpos Prishtinës, skuadra të tjera shqiptare që do të marrin pjesë në Europa League janë edhe Tirana, Partizani e Skënderbeu i Shqipërisë si dhe Shkëndija e Tetovës./radiogjakova/