Fitore “ndër dhëmbë”, Vëllaznimi merr tre pikë të arta ndaj Drenicës
Vëllaznimi arkëtoi tre pikë të reja, tre pikët e shpresës dhe besimit se mund të sigurojë mbijetesën në elitën e futbollit kosovar pa dashur të kalojë në surprizat që mund të sjellë një ndeshje “play-off”-i.
Skuadra kuqezi mposhti 1-0 Drenicën në stadiumin e qytetit në Gjakovë. Rivalin direkt për të shmangur barazhin të cilit i afrohet në vetëm një pikë.
Lojtari i ndeshjes? Të gjithë lojtarët në fushë. Në të vërtetë golin e shënoi njeriu i momentit, Lekë Vula që është shndërruar në bekim. Në minutën e 23 ai po qëndronte në zonë kur dinakërisht shfrytëzoi një dalje të pamenduar të portierit drenicas dhe shënoi me kokë.
Mirëpo, epërsinë që erdhi përmes golit të tij, e mbrojtën 10 “luftëtarë” që dhanë mbi 100% nga vetja sa qëndruan në fushë dhe mijëra tifozë të pranishëm në stadiumin e Gjakovës.
Vëllaznimi hyri në ndeshje i vetëdijshëm se përveç fitores, asnjë rezultat tjetër nuk i duhet. Gjërat u komplikuan në minutën e 14 kur portieri Altik Muhaxhiri me të drejtë përjashtohet me të kuq pas ndërhyrjes ndaj Ukës së Drenicës.
Fati i ekipit gjakovar ishte një rënie e pashpjegueshme në lojë e Drenicës që nuk arriti të shfrytëzojë epërsinë numerike dhe një gol i shpejtë i Vulës.
Pjesa e dytë foli e gjitha për Drenicën e cila kaloi në sulm. Vëllaznimi nisi të ndjente lodhjen, por u mundua të përdorte trurin. Kuqezinjtë u kthyen mbrapa në tentim për të mbuluar hapësirat.
Pas disa rasteve, Drenica fiton një penallti. Vendimi i gjyqtarit të ndeshjes lë shumë diskutime, por nuk ka kthim mbrapa. Genc Hamiti e mori përsipër, por fati po i buzëqeshte Vëllaznimit. Gjuajtja e tij përfundoi larg portës që po mbrohej nga Gecaj.
Përqendrimi vetëm në sulm i skuadrës së Drenicës për pak sa nuk i kushtoi, kur Vëllaznimi pati dy gjuajtje të njëpasnjëshme në drejtim të portës së tyre, por Neziri mohon golin që do të mbyllte ndeshjen.
Drenica pati edhe një moment në minutën e 93 kur Osmani provoi nga 25 metra dhe traversa shpëtoi Vëllaznimin.
Tri fërshëllimat e gjyqtarit i japin fund ndeshjes. Një fitore shumë e rëndësishme, por urojmë jo e fundit kundër Drenicës. Një paraqitje e njëjtë heroike dhe me shpirt kërkohet edhe më 18 prill në ndeshjen e dytë gjysmëfinale në Gjakovë pasi tifozët kuqezi e meritojnë një finale dhe një trofe./radiogjakova/