.
Published On: Thu, Dec 19th, 2013

Flaka po shijon “Dancing with the stars”

Share This
Tags

dancing-Pjesëmarrja në spektaklin “Dancing With The Stars” bëri që Flaka Krelani të jetë më afër se kurrë më parë me publikun shqiptar. Ajo i ka surprizuar të gjithë me performancat e saj në skenë. Këngëtarja e talentuar nga Kosova kërcen aq mirë saqë shpesh na bën të harrojmë që baleti nuk është fusha e saj.

E vetëdijshme për këtë aftësi të pazbuluar deri më tani, Flaka u bë pjesë e garës së kërcimit duke triumfuar nga nata në natë. Po a do t’i mjaftojë kjo, që këngëtarja të marrë kupën e fitores. Në këtë pikë Flaka është dyshuese, pasi votat nga publiku nuk janë ende të mjaftueshme. Sido që të shkojë, tani e tutje nuk do të dëgjojmë më vetëm zërin e saj mahnitës, por do të shohim edhe performanca të shkëlqyera kërcimi, cilado qoftë skena ku Flaka do të shkelë.

Flaka sa kohë ke që je vendosur në Shqipëri?
Kam gati dy muaj që ndodhem në Tiranë. Nuk më duket shumë, pasi kam qëndruar këtu edhe më gjatë.

Të merr malli për Kosovën?
Më merr shumë malli për vendin tim, është siç është, ashtu i ëmbël dhe i qetë. Më merr malli sidomos për familjen…

Çfarë të pëlqen më së shumti nga Tirana?
Në Tiranë më pëlqen gjithçka ky qytet ka. Ndonjëherë edhe ai trafiku i çmendur më pëlqen (qesh). Ka gjallëri, zhvillim shumë të madh artistik, organizime eventesh të ndryshme, koncerte, festivale etj. Po ashtu edhe njerëzit janë shumë të ëmbël e të dashur.

Si nis dhe si mbaron një ditë e jotja në Tiranë?
Gjatë kësaj periudhe merrem pothuajse vetëm me provat e “Dancing With The Stars”, pasi unë jam tip që kur marr në dorë diçka dua ta trajtoj mirë dhe siç duhet, me plot përkushtim. Pastaj kam edhe angazhime të tjera të vogla në fushën e muzikës po që nuk më marrin dhe aq shumë kohë.

flaka1

Kush janë miqtë e tu më të mirë këtu?
Kam shumë miq në Tiranë, por më e rëndësishme është që këtu kam edhe një “familje të dytë” që janë dy kushërinjtë e mi. Shumicën e kohës e kaloj me ta. Jam shumë e lumtur që në familjen e babait tim ka pasur dhe ka njerëz kaq engjëllor. I falenderoj që ekzistojnë!

E frekuenton jetën e natës?
Shumë pak. Varet…

“Çunat e Tironës” të pëlqejnë?
Janë shumë të mirë, për veten e tyre (qesh).

Po ti u pëlqen atyre? Të bëjnë komplimente kur të shohin?
Nuk e di! Pse nuk i bëni një intervistë t’i pyesni çfarë mendojnë për mua (qesh).

Ti ke një të dashur?
Jo, nuk kam të dashur.

Sa orë në ditë ushtrohesh për kërcimin e javës së “Dancing”? 

Ushtrojmë mjaft mirë, sidomos tani që kemi edhe më shumë kohë e orare bosh në palestër, të cilat i shfrytëzojmë për ushtrime. Më herët kishim vetëm një orë në dispozicion. Tani është shumë më mirë.

A e prisje që do të ishe kaq e zonja? E dije që mund të kërceje kaq mirë?
Unë gjithmonë e kam pritur këtë triumf nga vetja ime, sepse e dija që një gjë të tillë di ta bëj. Mirëpo isha skeptike, pasi mendoja a do e dinin të tjerët që unë jam kaq e zonja për vallëzim (qesh).

Po njerëzit e tu të dashur, e njihnin këtë talent tjetër tëndin? Janë surprizuar kur të kanë parë në pistën e vallëzimit?
Njerëzit e mi të afërt e kanë pritur që unë do të kërcej në këtë mënyrë. Ata pak më të largët më thoshin: “wow, e kemi dit që din me kërcy po në këtë nivel, jo”.

Cila është ajo disiplinë kërcimi që nuk e ke mësuar ende e mezi po pret ta kërcesh?
Mezi pres të mësoj një rumba.

Përveç zotësisë në vallëzim, për të fituar “Dancing” janë shumë të rëndësishme edhe votat e publikut? Mendon se votat e pamjaftueshme do të bëhen shkak që të mos e marrësh dot kupën?
Mendoj që po. Megjithatë, njerëzit po votojnë. Unë e di që ata votojnë me mundësitë e tyre sepse më dërgojnë SMS-të e votave që i kanë fotografuar. Kam pafund mesazhe që më vijnë në “Facebook”, ku më shkruajnë e më thonë se po më votojnë. Ka dhe nga ata që u kthehet mesazhi mbrapsht. Mirëpo këto nuk janë ende të mjaftueshme që unë të renditem në vendet e para të listës, kështu nuk më ngelet çfarë të them. Domethënë votat nuk janë të mjaftueshme kështu që publiku “Vote for meee”!

Kujt ia ke më shumë “frikën”?
Asnjërin nuk mund ta shoh si konkurrent! Në “Dancing” secili prej nesh ka ardhur për ta shijuar këtë eksperiencë. Ndodh vetëm një herë në jetë, ndaj duhet shijuar maksimalisht. Pastaj nuk mund të them që shoh dikë si konkurrent në fushën time të dytë. Po të kishte qenë kompeticion me këngëtarë, atëherë po që do e kisha veçuar ndonjërin.

Me kë do të doje të “luftoje” në finale?
Albanon ma hoqën, xhanin tim që e dua shumë, shumë fort.

flaka2

Kush prej të eliminuarve do të doje që të rikthehej?
Të jetë për mua, le t’i kthejnë që të gjithë.

Festat e fundvitit ku dhe me kë do i kalosh?
Nëse do vazhdoj të jem në “Dancing With The Stars”, me siguri do t’i kaloj me kushërinjtë e mi që i kam këtu në Tiranë. Nëse ndodh që largohem nga “Dancing”, normalisht që për festa do të jem me familjen time.

Pas mbarimit të “Dancing”, cili është projekti yt i radhës?
Në fakt mezi po pres realizimin e një kënge të re…

Përpos muzikës, a do dhurosh performanca kërcimi në koncerte tani e tutje?
E kam menduar dhe them se po. Rrugëtimi im në dancing nuk mbaron me kaq.

Adelajda Xhamani/BalkanWeb