.
Published On: Mon, Aug 26th, 2013

Flaka(danja) e skenës!

Share This
Tags

flaka-goranciii3E lindur në Kosovë, 1985, mezopranoja nga Gjakova, Flaka Goranci, qysh si e re kishte një afinitet për pianon dhe muzikën klasike. Talenti i saj u zhvillua natyrshëm dhe u legjitimua edhe më shkallën e shkollimit adekuat, duke u ngritur lartë e më lartë dhe duke shkëlqyer mu sikur-flakë.

Ne shfrytëzuam rastin e rrallë dhe me Flakën zhvilluam këtë bisedë, mbase të rrallë dhe paksa të veçantë.

Zj. Flaka, duket se qysh si fëmijë i keni dhënë flakë synimit dhe pasionit tuaj për art, por duke mos nxituar, pra duke mos e djeg që në start?
Po, që në moshën 7 vjeçare fillova të marrë mësimet e para për piano në vendlindjen time në Gjakovë, ku pas dy vitesh mora pjesë në festivalin për zërat fëmijërorë (Festival që organizohej asokohe në Gjakovë), ku u shpërbleva me çmimin e parë. Nga këtu filloi përkushtimi im në fushën e këngës. Si fëmijë mora pjesë në shumë koncerte deri edhe kur vendosa që të studioja solokëndimin më vonë. Kam mbaruar Akademinë e Muzikës në Tiranë, degën e solokëndimit me prof.Suzana Frashëri dhe më pas fitova edhe një bursë studimi për të vazhduar studimet master për solokëndim, në Shkollën e Filharmonisë së Izraelit, në Tel Aviv, Izrael. Në Izrael kam studiuar dy vite me një soprano të njohur në skenat botërore, prof.Tamar Rachum.
Nuk kam nxituar asnjëherë, sepse për fat të mirë gjërat kanë ardhur natyrshëm, mirëpo pas një pune shumë të madhe, e cila më ka dërguar në skena të mëdha operistike dhe koncertale, duke qenë pjesëmarrëse në shumë koncerte dhe opera si brenda ashtu edhe jashtë shtetit.

Ku keni kënduar deri më tani?
Gjatë studimeve në Tiranë kam kënduar pothuajse në gjithë Shqipërinë, pastaj në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni, Itali, Francë, Austri, Turqi, Angli, SHBA dhe Izrael.

Cilat janë disa nga bashkëpunimet e juaja dhe rolet e juaja në opera?
Deri më tani kam realizuar pesë role kryesore nga operat e famshme të Mozart, Purcell, Rossini dhe Weill. Kam bashkëpunuar me orkestrën Filarmonike Ramat Hasharon nga Izraeli, Orkestrën e Teatrit të Operës të Tiranës, Orkestrën Filarmonike të Tiranës, Orkestrën Simfonike të Radios në Tiranë, Filarmoninë e Maqedonisë, Kosovës dhe Durrësit, nën dirigjimin e dirigjentëve si: Vittorio Parisi, Leonardo Quadrini, Yishai Steckler, Zeev Dorman, Zhani Ciko, Aleksander Lekovski, Yi An Zu, Desar Sulejmani, Rafet Rudi, Jetmir Barbullushi, Alqi Lepuri, Bahjar Berisha dhe Edmond Doko.

Deri më tashti keni shkelur në shumë podiume dhe, në njëfarë mënyre jeni bërë Flakadanja e skenave. Si ndjehet një artiste kur del para një publiku të(pa)njohur?
Cilido qoftë ai publik, unë ndjej gjithmonë të njëjtën përgjegjësi. Kudo që shkon, publiku gjithmonë kërkon më të mirën nga ti. Duhet të jesh shumë i përgatitur përpara secilit publik që paraqitesh, sepse në fund të fundit është publiku ai i cili kërkon të marrë më të mirën.

flaka-goranci1

Arti që kultivoni ju kërkon shumë mund, punë dhe sakrificë, por në fund e keni si satisfaksion famën dhe lavdin. A mjaftojnë këto për një artiste?
Artistet duhet të kenë mision në punën e tyre që bëjnë. Prandaj, nëse arrin të kesh famën dhe lavdinë n fund, atëherë do të thotë që ke arritur të përmbushësh misionin tënd artistik.

Në çfarë niveli gjendet muzika klasike tek ne dhe a po i gjen adhuruesit e vet, apo duhet të kalojnë edhe disa (shumë) vite? 
Në Kosovë, kam pasur rastin të marrë pjesë në disa koncerte. Gjërat kanë filluar të lëvizin për mirë me atë çfarë ka qenë më herët. Por, si popull, mendoj që duhet të vetëdijesohemi dhe të dimë të ndajmë muzikën e mirëfilltë e cila na qon përpara me atë me pak të mirëfilltë, e cila na lë shumë mbrapa.

Duket se puna juaj nuk lejon pushim të gjatë, madje duhet të punohet dit e natë që të jesh përherë e përgatitur dhe e aftë për sfidat që kërkon arti?
Po, është e vështirë, kur studiojmë këtë lloj muzike, përveç zërit, ne njoftohemi me të gjitha kërkesat që ka kjo lloj muzikë, për të parë nëse do jesh e gatshme ta përballosh gjithë këtë ngarkesë. Shumë studentë mbarojnë solokëndimin, por shumë pak arrijnë të qëndrojnë në skenë. Në art nuk ka kompromise, ose je shumë i mirë ose nuk je. Nuk ka mes!

Thuhet se ky lloj arti nuk sjell para, por sjell shpirt dhe duartrokitje elitare?
Ku ka më bukur se të fitosh zemrat e njerëzve, publikut, me artin që bën? Pastaj, ky lloj arti mund të mos sjelli shumë para në një vend si Kosova, por në vendet e zhvilluara dhe me traditë, përpos famës dhe lavdisë sjell edhe shumë para, sepse çmohet jashtëzakonisht shumë, krahasuar me vendin tonë dhe vendet të cilat janë në tranzicion.

flaka-gorancii2

A jeni e mbushur shpirtërisht?
Cili artist nuk ndjehet i mbushur shpirtërisht? Kjo është edhe ajo, që kur je i përmbushur, kërkon armën tënde që ta transmetosh tek te tjerët. Aktorët kanë fjalën, piktorët kanë ngjyrat, kurse unë kam zgjedhur zërin tim.

A pajtoheni me thënien se, arti të mbron nga jashtë, por të ‘mbytë’ nga brenda?
Ajo të “mbytë”, kur e përkthen është pasuria më e madhe që mund të ketë një artist.

Keni ndonjë idol në këtë fushë?
Kam shumë idhuj të këtij lloji të muzikës, ata janë të huaj, por edhe shqiptarë. Prandaj do dëshiroja të potencoj dy idhujt shqiptarë, tenorin shqiptare Saimir Pirgu dhe sopranon shqiptare Ermonela Jahon me të cilën pata fatin e mirë të këndonim bashkë në një koncert të madh humanitar, këtu në Prishtinë. Që të dy këta këngëtarë botërorë, por fatmirësisht shqiptarë, përveç talentit të tyre të rrallë, sot ata janë model për të gjithë shqiptarët kudo që janë.

Keni flakëruar kudo që jeni paraqitur, është vështirë të mbahet kondicioni dhe fama në këtë art të vështirë,por tepër të çmuar?
Ky lloj arti kërkon shumë sakrificë, shumë punë dhe shumë përkushtim. Vetëm në këtë mënyrë mund të arrish të jesh një artiste në skenë.

Kur do ta shohim Flakën edhe në ekran, me ndonjë emision (koncert) të veçantë?
Për momentin po përgatitem për gjërat që më presin jashtë Kosovës, por gjithsesi dëshira është shumë e madhe që në një të ardhme të afërt të realizoj një koncert të madh me orkestër, me vepra të njohura operistike.

/Telegrafi