Geta: Vetëm muskujt nuk mjaftojnë për fitore
Profesoresha e Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në UP, Gentiana Beqa – Ahmeti, ka kohë që me pasion e mjeshtëri ushtron një profesion të bukur dhe atraktiv.
Në sportin ku vlerësohen muskulatura, simetria e trupit, dukja e bukur dhe e kuruar, feminiteti dhe eleganca, Gentiana, e lindur në Gjakovë, por që jeton në Prishtinë, ndonëse nënë e tre fëmijë, në Budapest të Hungarisë, në një konkurrencë të fortë, u shpall kampione e Evropës në disiplinën “Physique Fitness”, që është një prej federatave të fitnesit e bodibilidingut.
Gentiana vazhdon të jetë aktive dhe synon edhe tituj të tjerë. Por, ajo në këtë intervistë për Telegrafin, shpalos virtytet, sukseset dhe planet e këtij sporti tashmë të popullarizuar.
Kohë më parë, në garat ndërkombëtare të mbajtura në Budapest të Hungarisë, u shpërblyet si kampione në njërën nga disiplinat e këtij sporti të bukur. A keni pritur një sukses të tillë dhe çka do të thotë kjo për ju?
Që të jem e sinqertë, sikur ndjenja se do të stolisura me këtë titull, sepse atë edhe e synoja. Mirëpo, çmimi i parë, përveç që më bëri krenare, ishte edhe një konfirmim i aftësive të mia.
Sigurisht ju gëzon fakti se jeni shpallur fituese në një konkurrencë të madhe, me çka fitorja juaj fiton vlerësim dhe rëndësi të veçantë.
Në këtë garë sportive, përveç ndërtimit të muskujve dhe pamjes së trupit, kërkohet qëndrimi i bukur, fytyra dhe paraqitja skenike.
Sa për fillim, a mund të na tregoni rrjedhjen e tërë ecejakeve dhe karrierës tuaj deri këtu?
Si fëmijë jam marrë me shumë aktivitete. Për këtë, falënderimi u shkon prindërve të mi, të cilët më kanë përkrahur në çdo hap duke më dhënë motiv dhe vetëbesim, do të thosha, i cili më vonë, u bë çelës për të gjitha sukseset e mia të mëtutjeshme.
Sa kohë ju është dashur të harxhoni që të fitoni këtë ndërtim trupor të përsosur?
Të ndërtosh trupin lypset durim, punë dhe disiplinë. Tek unë, mund të thuhet se bashkë me mua, ka lindur edhe një “virus”, i cili më ka cytur që të realizoj synimet e mia duke m’u plotësuar dëshira e përflakur që të arrij cakun e gjakuar.
Duke ditur se ju mbani edhe thirrje shkencore akademike, sa ju ka ndihmuar kjo që të arrini suksese vetanake, por edhe të zbuloni talentë e talente të tjera në këtë fushë?
Thirrja Profesoreshë të bën serioze, bindëse dhe kurajuese që të eksplorosh gjithçka që ka të bëjë me këtë profesion, andaj edhe unë nuk rresht së hulumtuari. Në këtë vazhdë, pikas edhe talentë e talente të reja, që për fat të mirë, Kosova ka shumë.
Suksesin tuaj e keni kërkuar në disa profesione. Keni qenë aktore, valltare, por duket se bodyfitnesi ju ka tërhequr më së shumti. A jeni e realizuar plotësisht në ketë profesion të bukur dhe elegant?
Të gjitha angazhimet e mia, i kam bërë me dashuri të madhe, përkushtim, sakrificë dhe vetëbesim. Tashmë, kam një eksperiencë të ndritshme dhe të gjitha këto profesione rekreative dhe artistike më ofrojnë lumturi, përgjegjësi dhe kënaqësi të pamatshme.
Ju jeni shembull i rrallë ku të gjithë në familje janë të dashuruar dhe të përkushtuar ndaj fitnesit. Kjo, besoj është një favor për ju, apo jo?
Është e vërtet që e ke një ndihmë kur të gjithë në familje e ushtrojnë të njëjtin sport, madje në nivele të larta profesionale. Kësisoj, e këshillojmë dhe e ndihmojmë njëri-tjetrin. Bashkëshorti im, Dreni, mban trajnime personale, ndërsa ndihmë reciproke kemi edhe nga vëllai im Elvini, i cili është profesionist në trajnime personale dhe përgatitje për gara profesionale. Në këtë ekip, kontribut jep edhe vëllai tjetër Iliri, i cili poashtu, mban trajnime personale.
Sigurisht jeni përballur me vështirësi të shumta për të arritur deri këtu, kur dihet se ky sport është i shtrenjtë dhe kërkon mund e sakrificë.
Vështirësitë nuk i numëroj, as nuk i kujtoj, sepse të sakrifikosh për trupin tënd është një kënaqësi. Me këtë rast dua t’ua drejtoj një këshillë të gjithë atyre të cilët merren me këtë sport, që fitnesin mos ta konsiderojnë si obligim, por si kënaqësi dhe dobi për trupin.
Sa kohë nevojitet për t’u shtuar masa muskulore?
Kjo pyetje është goxha e ndjeshme, sepse varet sa masa muskulore që ke në trup. Mirëpo, nëse ushtron me një program profesional, trupi juaj pas gjashtë muajsh, do të ndryshojë 100%.
A ekzistojnë ende paragjykimet që peshat nuk janë për femra dhe si e shikojnë të tjerët angazhimin tuaj të përgjithshëm në këtë sport?
Ka patur dhe fatkeqësisht ende mund të ketë paragjykime të tilla. Mirëpo, sipas hulumtimeve të shumta, ngritja e peshave lufton yndyrat në trup, stresin, depresionin, ankthin, forcon eshtrat, dhe sjell shumë të mira të tjera.
Jemi dëshmitarë që çdo ditë e më shumë kemi gjithnjë e më tepër trajnerë personalë. Cilat janë ato cilësi të cilat duhet t’i ketë një trajner i tillë?
Të jesh trajner, do të thotë të njohësh dhe studiosh profesionin e fitnesit, por edhe të kesh përvojë. Kurse, unë konsideroj se, ka shumë rëndësi edhe ndërtimi i trupit të vet trajnerit dhe qëndrimi i tij gjatë stërvitjes.
Cilat trajnime i preferoni ju dhe cilat racione ushqimi i kombinoni për veten?
Unë përdori ushtrimet me, dhe pa pesha. Kombinimi im është një sekret, i cili të bën të varur me fitnesin, sepse kreativiteti i lëvizjeve bën që femra të arrijë çdo ditë forcën, shpejtësinë, koordinimin dhe qëndrueshmërinë.
Tashmë është e njohur që trupi i ndërtuar është bërë obsesion, ndërkohë që ka raste të shumta që kalojnë edhe në depresion.
Kur ke një trup të bukur dhe të shëndosh, por nëse pas një periudhe nuk i kushton vetes rëndësi, atëherë shumë njerëz mund të kalojnë në depresion. Prandaj, apeloj që mos t’ia lejojnë vetes këtë, sepse me stërvitje të sërishme prapë mund ta ktheni formën e duhur dhe barkun e sheshtë.
Duket se ju nganjëherë viheni edhe në rolin e psikologes, sepse duhet t’i motivoni edhe klientët të cilët pothuajse vijnë me gjysmë shprese tek ju?
Është e saktë kjo që thoni ju, sepse ka edhe raste të tilla, por unë si trajnere mundohem që gjatë 60 minutave, atyre t’u ofroj momentet më të bukura gjatë stërvitjes. Prandaj, ndonëse djersa i kaplon të tërë, kënaqësia vërehet qartë. Pra, është një lodhje e vetëdijshme dhe e dobishme.
Cili është gabimi më i shpeshtë të cilin shumica e njerëzve e bëjnë kur marrin rolin e vettrajnuesit?
Të tillët i këshilloj që të mos fillojnë me pesha të rënda, që mos të lëndohen dhe të kenë kujdes në teknikën e saktë, në mënyrë që trupi mos të pësojë deformime.
Cila kohë preferohet si më e mira për trajnime dhe sa zgjatë ai proces?
Nëse dëshiron që të humbësh peshë, e preferoj mëngjesin, ndërsa për të ndërtuar dhe për të shtuar masë muskulore, sugjeroj që trajnimi të aplikohet pasi të keni ngrënë dy apo tri shujta.
Thuhet se të ushqyerit e parregullt nuk mund ta ndalësh as me stërvitje. A e tumirni këtë konstatim?
Ushqimi dhe ushtrimet janë të ndërlidhura me suksesin. Unë, megjithatë preferoj që së pari të fillohet me ushtrimet dhe vetëm atëherë kur e vëren mundin që ke bërë, do ta përmirësosh ushqimin e shëndetshëm vetvetiu.
Në kohën kur janë të shumtë ata që përmes metodave të ndryshme mundohen të heqin kilogramët e tepërt, cila është këshilla juaj si instruktore fituesi?
Fillimisht duhet që kilogramët e tepërt t’i heqësh me ushtrime dhe ushqim, e assesi përmes dietave, të cilat dëmtojnë organizmin dhe lëkurën tuaj.
Cilat është receta e shëndetshme për një trup të përkryer?
Nëse mund t’i llogarisim përmes prioriteteve, atëherë mund të radhiten kështu: ushqimi i shëndetshëm, ushtrimet, gjumi i rehatshëm dhe, të pranosh e falësh dashuri.
Cilat ushqime domosdoshmërisht duhet hequr nga konsumimi?
Urgjentisht duhet shmangur ushqimet e fërguara në yndyrë, ushqimet e sheqerosura, pijet me sheqer të shtuar, pastaj ushqimet të jenë sa më të freskëta dhe të gjelbra.
Ç’porosi do t’u jepni të rinjve të cilët dëshirojnë që kënaqësinë ta gjejnë në sport?
Ndonëse jetojmë në një kohë dinamike, këshilla ime është që secili, apo secila të ndajë një orë në ditë për vetveten, sepse dobinë do ta keni të garantuar gjithsesi.
Përkundër të gjitha angazhimeve, a gjeni kohë të “vidhni kohë” për ndonjë hobi ose pushim?
Nuk është që nuk kam kohë të lirë, por atë pak kohë, mundohem ta kaloj me vajzat e mia gjatë pushimeve ditore si dhe në vikendet e fundjavës.
Cilat janë planet tuaja për të ardhmen dhe si mund të të kontaktojnë njerëzit për t’u trajnuar dhe edukuar?
Sot, është një ditë e veçantë për mua, sepse e hapi fitnesin tim personal, dhe të gjithë ata që e kanë pasion këtë sport, tani e tutje, mund të më gjejnë dhe të më kontaktojnë për trajnime pa hezituar.
Gazmend Kajtazi/Telegrafi