.
Published On: Wed, Mar 12th, 2014

Hasi: Cana të udhëheq Shqipërinë drejt EURO 2016

Share This
Tags

hasi-1Ish-kapiteni i kombëtares shqiptare, Besnik Hasi është emëruar trajner i skuadrës më të suksesshme belge, Anderleht. Ai këtë detyrë e morri pas shkarkimit të ish-trajnerit De Brum të cilit i munguan rezultatet. Në këtë intervistë, Hasi tregon më tepër për emërimin e tij duke thënë që nuk ishte e befasishme, pasi skuadrës i mungojë vazhdimësia në kampionat.

Ish-mesfushori u shpreh se Anderlehti ka nevojë të rikthejë mentalitetin e fituesit dhe lojtarët duhet të kuptojnë peshën e fanellës që ka 32 herë kampioni i Belgjikës. Ai nuk lë pa komentuar edhe shortin për eliminatoret e Evropianit të Francës, ku Shqipëria bën pjesë në grupin I. 42-vjeçari thotë se kombëtarja ka punë të vështirë, por mendon se duhet të besohet në kualifikim. Për punën e trajnerit De Biazi, Hasi ka vetëm fjalë të mira.

Sipas tij, italiani ka rritur të bëjë bazën e skuadrës për vitet në vazhdim që ishte shumë e rëndësishme pas largimit të disa nga senatorëve. Gjakovari mendon se trajneri aktual i Shqipërisë ka mbledhur afër ekipit lojtarë cilësorë, sidomos në repartin e mesfushës.

Ish-numri 6 i kombëtares ka komentuar edhe debatet Shqipëri-Kosovë dhe faktin nëse lojtarët më origjinë nga Kosova duhet të braktisin Shqipërinë. Ai mendon se zyrtaret e federatave duhet të ulen dhe të bisedojnë në mënyrë që të dy skuadrat të mos dëmtohen, ndërsa ka pasur edhe një mesazh për gjithë ata që sulmuan Lorikun pas deklaratave të tij për një kombëtare duke ju thënë ta lënë të qetë.

Si e pritët emërimin tuaj si trajner?
Besnik Hasi: Me thënë drejtën nuk ishte diçka që nuk e prisja. Skuadra pati një periudhë jo të mirë ku na munguan rezultatet dhe shkarkimi i De Brum ishte çështje ditësh. Unë nuk do doja ta merrja në drejtim skuadrën në këtë kohë, pasi do preferoja para fillimit të kampionatit, por në momentin kur mu propozua ky post atëherë nuk mund ta refuzoja. Klubi vendosi për mua duke pasur parasysh edhe faktin që jam vite këtu dhe njoh shumë mirë lojtarët dhe ambientin në përgjithësi.

Cilat janë objektivat tuaj me Anderlehtin?
Besnik Hasi: Fillimisht skuadra ka nevojë të rikthejë vetëbesimin dhe mentalitetin e fituesit. Djemtë duhet ta dinë që luajnë për një skuadër të madhe, fanella e së cilës peshon shumë. Ne nuk kemi pasur vazhdimësi në rezultate dhe synoj që të rikthej ekipin në rrugën e fitoreve. Duhet të bëjmë kujdes sepse skuadrat që kemi pas janë shumë afër me pikë dhe nuk tolerohen gabimet. Në këto javë të mbetura duhet të bëjmë maksimumin.

hasi-3

Ju jeni në vendin e tretë aktualisht, mendoni se mund të arrini Championsin?
Besnik Hasi: Nuk e di nëse do arrijmë apo jo, por, siç e thashë edhe më parë, skuadra ka nevojë të rikthejë besimin në vetvete dhe në të njëjtën kohë të sigurojmë këtë pozicion në klasifikim nga skuadrat që kemi mbrapa. Anderlehti meriton të jetë më mirë për shkak se ka historinë. Do të shohim në vazhdim nëse do ia dalim apo jo.

Flasim pak për kombëtaren. Besoj e keni ndjekur shortin e EURO 2016, sa mendoni se kemi shanse për kualifikim?
Besnik Hasi: Me thënë sinqerisht, kur kuptova që UEFA kishte ndryshuar rregullat për këtë Evropian duke rritur numrin e skuadrave pjesëmarrëse në plus tetë, jam gëzuar sepse mendova që Shqipëria mund të arrinte kualifikimin, por kur pashë shortin prapë u bëra pesimist. Është vërtet vështirë, kundërshtarët janë të një niveli të lartë, por asgjë nuk është e pamundur. Duhet ta dimë që në Shqipëri, kushdo qoftë kundërshtari, ne mund të fitojmë pasi kemi edhe përkrahjen shumë të madhe. Kemi treguar se mund të marrim pikë edhe jashtë fushës sonë përballë kundërshtarëve të mëdhenj siç është Portugalia dhe mund të përsërisim historinë.

Mendoni që kualifikimi është ëndërr apo objektiv?
Besnik Hasi: Do të thosha që ta kemi objektiv dhe ta ëndërrojmë në të njëjtën kohë. Ne duhet të besojmë tek skuadra dhe tek kualifikimi sepse kjo është primare. Skuadra ka lojtarë të mirë dhe kas pasur rezultate, por lojtarët duhet të karikohen në masën e duhur dhe të mos ngatërrojmë me pasionin, sepse pasioni i madh mund të çojë në dështim. Duhet të luajmë ftohtë në fushë dhe të mos krijojmë pritshmëri të mëdha sepse edhe zhgënjimi më pas mund të jetë më i madh.

Si e shihni kombëtaren e De Biazit, tashmë kur italiani ka lënë dy vite punë në bankinën kuqezi?
Besnik Hasi: De Biazi ka bërë vërtet një punë të mirë. Mendoj se ai erdhi në momentin e duhur në Shqipëri. Nga kombëtarja atëherë u larguan disa nga lojtarët kryesorë si Skela e Lala, dhe ai nisi punën për të gjetur pasardhësit e tyre. Unë kam parë ndeshjen e fundit me Maltën dhe më kanë pëlqyer shumë. De Biazi ka grumbulluar afër vetes disa individë që mund të ndihmojnë shumë kombëtaren në të ardhmen, me pak fjalë mendoj se është krijuar baza e skuadrës. Nëse shihni edhe eliminatoret për Botërorin e këtij viti atëherë Shqipëria ka pasur paraqitje të mira, përjashtim kanë bërë vetëm tre ndeshjet e fundit ku na munguan dhe rezultatet.

Cilët lojtarë mendoni se duhet udhëheqin Shqipërinë drejt EURO 2016?
Besnik Hasi: Padyshim se kapiteni Lorik Cana. Ai është njeriu i duhur për të prirë kombëtaren sepse ka shpirtin luftarak dhe cilësitë e duhura për të bërë një gjë të tillë. Deri më tani e kemi parë se çfarë ka qenë në gjendje të bëjë për Kombëtaren sepse luan me zemër. Më ka pëlqyer edhe Migjen Basha kundër Maltës, ai është shumë i qetë në fushë, siç më kanë befasuar për të mirë edhe partnerët e tij në mesfushë, Kaçe dhe Rama. Përgjithësisht reparti i mesfushës është në nivel, pasi historikisht këtu kemi qenë shumë mirë, nuk e diskutoj se të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm, por kur mesfusha është mirë atëherë ka më shumë siguri në skuadër. Mendoj se edhe mbrojtja është solide dhe e qëndrueshme. Ekipi është rinuar dhe ka më tepër cilësi, na nevojiten disa lojtarë edhe për repartin e sulmit dhe kompletohemi.

hasi-2

Kur jemi tek Loriku, ai u kryqëzua nga mediet për disa deklarata të tij për një kombëtare, si i keni parë ju këto debate?
Besnik Hasi: Unë them që Lorikun duhet ta lënë të qetë. Ne jemi një dhe duhet ta kuptojmë këtë gjë. E mira ishte të kishim një kombëtare të vetme, por rrethanat e krijuara tashmë në bëjnë që të kemi dy skuadra. Secili lojtarë është i lirë të bëjë zgjedhjen e tij se për kë duhet të luajë, por kjo nuk duhet që të dëmtojë njërën palë. Në kohën kur kam luajtur unë nuk kemi pasur debate të tilla dhe jemi fokusuar vetëm tek loja, prandaj do ishte mirë që këto të përfundonin sa më parë që të mos krijohet ndonjë përçarje e panevojshme.

Kush mendoni se është zgjidhja për këtë situatë?
Besnik Hasi: Zgjidhjen e kanë në dorë dy federatat, ajo e Shqipërisë dhe e Kosovës. Ata duhet të ulen dhe të bisedojnë në mënyrë që të rregullohen gjërat. E thashë që lojtarët janë të lirë të vendosin për fatin e tyre, por nuk duhet të ndërmerren veprime të cilat do të dëmtonin njërën ose tjetrën skuadër.

Ideal Gola/G.S.