Hendboll, Vëllaznimi kërkon Alban Dobroshin
Skuadrat kosovare janë duke bërë garë për ta transferuar Alban Dobroshin. Hendbollisti me përvojë ka oferta nga Vëllaznimi dhe Kosova e Vushtrrisë, ndërsa e ardhmja e tij pritet të vendoset përfundimisht sot.
Hendbollisti gjakovar ka konfirmuar për “Zërin” se ka oferta nga këto dy klube, ndërsa pret përgjigje nga to, pas kushteve që iu ka vënë. Sigurisht, “Kuqezinjtë” duket të jenë më afër që ta bëjnë të vetin njërin prej hendbollistëve më të mirë në hendbollin e pasluftës.
Hasan Krasniqi, kryetar i KH Vëllaznimit, tregon se gjakovarët po bëjnë gjithçka që është e mundur, për t’ia plotësuar kushtet Dobroshit. “Ne do ta mbajmë një mbledhje sot në ora 19:00 dhe aty do të dihet më shumë. Është e vërtet se e duam Alban Dobroshin, por po mundohemi t’ia plotësojmë kushtet, pasi duhet t’ia sigurojmë edhe punësimin. Sot do ta marrim përgjigjen nga një shkollë, nëse mund t’ia sigurojmë një punë”, shprehet Krasniqi për “Zërin”.
Alban Dobroshi ka luajtur për skuadrat më të mëdha kosovare deri tash, përfshirë këtu edhe Besa Famiglian dhe Prishtinën./zeri/