I jepet lamtumira Sali Gërqinës
Me nderime të larta i është dhënë lamtumira e fundit, sportistit dhe kampionit të shumëfishtë në sportin e kërcimeve në ujë, të ndjerit Sali Riza Gërqina.
Komuna e Gjakovës organizoi pasditen e së dielës mbledhje komemorative, ku me ç’rast për jetën e Saliut kanë folur bashkëpunëtorë, sportistë dhe familjarë.
Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Armend Vokshi, vlerësoi angazhimin dhe kontributin e Sali Gërqinës, duke thënë se Saliu e deshi aq shumë Drinin sa ia fali edhe jetën.
“Saliu tërë jetën e tij ia kushtoi Drinit, aq shumë e deshti, saqë këtij lumi ia fali edhe përjetësinë e vet. Edhe pse fluturimet e tij nuk do t’i shohim më, ato do të mbeten në mendjet tona sa herë që do të kalojmë nga Drini. Fluturimet e kampionit nuk do të harrohen asnjë herë”-, tha Vokshi.
Në emër të familjes, vëllai i të ndjerit, Limi Gërqina, falënderoi të gjithë qytetarët për ngushëllimet në këto ditë të vështira, si dhe shprehu mirënjohjen për ekipin e zhytësve të FSK-së, Ismail Kasumin dhe të gjithë të tjerëve të cilët ndihmuan në kërkimin e trupit të të ndjerit.
Më pas qytetarë të shumtë kanë vijuar homazhet dhe gjithashtu kanë marrë pjesë në ceremonin e varrimit të ikonës së kërcimeve në ujë, Sali Riza Gërqina, i cili u varros në varrezat e qytetit të Gjakovës.