Kozniku: Sa më lart me Shkëndijën
Ardian Kozniku e nisi si është më së miri eksperiencën te Shkëndija. Trajneri kosovar e udhëhoqi ekipin tetovar drejt fitores së pastër ndaj FK Sileks në fundjavë, duke u ngritur në pozitën e katërt, në kuotën e 11 pikëve, katër më pak se lideri FK Vardar, pas shtatë xhirosh të zhvilluara në kampionatin maqedonas.
Gjakovari ndihet i kënaqur me rrjedhën se si shkuan gjërat, ndërsa është duke u munduar ta komponojë sa më mirë ekipin, për sfidat që e presin gjatë këtij sezoni.
“Ndihem shumë mirë, ka 7-8 ditë që jam këtu. Me ekipin në përgjithësi jam i kënaqur, edhe pse gjithmonë ka vend për përmirësime. Me Sileksin luajtëm mirë dhe fituam me rezultat të pastër, edhe pse patëm pak fat, sepse ata e humbën një penallti kur ne po udhëhiqnim 1:0. Sileksi është inkuadruar sivjet në ligën e parë dhe e ka një skuadër mjaft të mirë. Madje, ne ia shkaktuam humbjen e parë të sezonit”, u shpreh fillimisht Kozniku për “Zërin”.
Ai është duke u njoftuar me skuadrën, por edhe me ligën maqedonase, pasi ka vetëm një javë që ka zbarkuar në Tetovë.
Kozniku tregon se këto ditë është munduar të përcjellë sa më shumë ndeshje që Shkëndija i ka zhvilluar këtë sezon, por edhe skuadrat tjera.
“E kam përshtypjen se është një ligë mjaft e mirë, çdo ekip ka individë të shquar dhe s’ka skuadër të dobët në këtë ligë”, vlerëson ai.
Synojmë të jemi sa më lart
Kozniku po punon intensivisht që ta çojë sa më lart në tabelë ekipin të cilin e mori në dorë ditë më parë. Ai insiston se Shkëndija e meriton një gjë të tillë.
“Jam optimist, klubi është mjaft i organizuar. Futbollistët dhe shtabi teknik janë profesionistë dhe e kryejnë punën si duhet. E kemi një ekip të mirë, me lojtarë të rinj. Do ta japim maksimumin, në mënyrë që të jemi sa më lart në tabelë. Mendoj se Shkëndija e meriton këtë. Do të mendojmë lojë pas loje dhe në fund dëshirojmë të kemi sukses”, vazhdoi Kozniku.
Për momentin, ai nuk po mendon për përforcime apo largime të mundshme, pasi është i fokusuar që ta njohë sa më mirë ekipin që e ka në dispozicion, ndërsa përmend edhe disa lojtarë të cilët Shkëndija i ka huazuar, të cilët mund t’i kryejnë punë ndoshta në të ardhmen.
Ai e sheh të mirëseardhur konkurrencën, madje do të donte që në çdo pozitë t’i ketë nga dy lojtarë, të cilët do të jepnin edhe më shumë nga vetja, për të qenë titullarë.
Në Kosovë ka lojtarë cilësorë
Në janar, Shkëndija mund të bëjë ndryshime në ekip, duke sjellë emra të rinj, siç ndodh me pjesën dërrmuese të klubeve evropiane.
Kozniku thekson se në rajon ka lojtarë të mirë, përfshirë këtu edhe Kosovën, por që për momentin nuk po mendon shumë për këtë punë.
“Ka lojtarë cilësorë edhe në Kosovë, pse jo. I kam parë disa lojtarë duke luajtur atje, i njoh disa prej tyre. Mirëpo, fokusi im për momentin është vetëm tek ekipi që e kam në dispozicion”, përfundoi ish-futbollisti i njohur kosovar.
Sigurisht, të gjithë shqiptarët do të donin ta shohin Koznikun duke e udhëhequr Shkëndijën në garat evropiane sezonin e ardhshëm, njësoj siç bën trajneri tjetër kosovar, Besnik Hasi sivjet me Anderlechtin./zeri/