Krenare për kontributin e saj në vitet ’90-ta
Intervistuan: Edea Blyta & Ideal Gola
E kaluara e shtetit tonë nuk ka qenë një periudhë që duhet thjesht të kujtohet, por më së shumti të shpërblehen njerëzit që kontribuan në të e që sot jemi dëshmitar të shpërfilljes së mundit e guximit të atëhershëm.
Leonora Binishi Zajmi psikiatre me profesion ishte delegate e Kuvendit të Kosovës në vitet e ’90-ta dhe nënshkruese e Deklarates Kushtetuese të 2 Korrikut 1990. Ajo ishte njëra nga tetë delegatët e Gjakovës. Tani ajo jeton dhe vepron në Zvicër dhe erdhi në Gjakovë për t’u nderuar me titullin “Ambasadore e Gjakovës”, ku ne e shfrytëzuam këtë rast për të biseduar.
Në këtë intervistë kujton kohën e vështirë kur shpallen Kosovën Republikë, peripecitë dhe këmbënguljen për realizimin e qëllimit. Sipas znj. Leonora datat 2 Korrik, shpallja e Deklarates Kushtetuese dhe 7 Shtator, nxjerrja e Kushtetutës që shpallte formalisht Kosovën Republikë janë data që më pas ndërtuan bazat e shtetit të sotëm të Kosovës.
Pas 23 vitesh në Gjakovë për Vitin e Ri, a ju kishte munguar ngrohtësia e festave pranë shtëpisë suaj?
L. Zajmi: Po sigurisht që më ka munguar dhe jam menduar disa herë a të vij apo jo, por dimrit zakonisht nuk udhëtoj por ky ishte një rast (ceremonia e nderimit) që më shtyri të vij dhe ka kohë që nuk e kam përjetuar një atmosferë të tillë festive.
Ju në fillim keni shërbyer në spitalin ”Isa Grezda” , çfare kujtoni nga ajo kohë?
L. Zajmi: Në vitin 1987 kam diplomuar dhe menjëherë pastaj kam filluar të punojë, një kohë shumë e mirë për mua, kemi qenë disa kolege që patëm diplomuar, kemi pasur një fluks të madh të pacientave sepse ambulantat jashtë Gjakovës nuk kanë funksionuar siç funksionjnë tani dhe e gjithë puna na takonte neve.
Si u bëtë delegate e Kuvendit të Kosovës, kush ju propozojë t’i futeshit politikes në një kohë të vështirë?
L. Zajmi: Atëherë nuk kanë qenë zgjedhjet e lira, ka qenë sistemi komunist, ne kemi qenë tetë delegatë nga Gjakova në Kuvendin e Kosovës, Unë nuk e di kush më ka propozuar sepse atëherë ka qenë krejt ndryshe jo me votën e lire. Mirëpo më kujtohet që rastësisht më kishte pyetur dikush aty a jeni ju Leonora Zajmi sepse të gjithë janë duke votuar për ty. Unë mendoj që në këtë aspekt edhe babai im ka qenë një faktor i rëndësishëm sepse edhe ai ka qenë gjithmonë aktiv në politikë.
Na kujtoni pak kohën e para nënshkrimit të deklarates që e shpallte Kosovën Republikë?
L. Zajmi: Koha më e vështira ka qenë para Deklaratës së 2 Korrikut, por kulminacioni ka qenë data 2 Korrik kur ne e kemi shpallur Deklaratën Kushtetuese në oborr të Kuvendit, ka qenë më të vërtet një situatë tejet e vështirë sepse ne kemi qenë nën kulm nuk na lejohej të hynim në Kuvend. Na dulen njerëzit e armatosur, regjimi serb e priste një gjë të tillë por nuk dinin tamam se çfare do të ndodhë. Ne u interesuam me anë të juristëve tanë që ishin në mesin tonë që nëse bëhet shpallja e pavarsisë nën kulm të Kuvendit atëherë është e plotfuqishme kështu që ne vendosëm, u mblodhëm, u lexua deklarata, u votua dhe është shpallur Deklarata Kushtetuese mirëpo në rrethana shumë të vështira. Përballë kishim policët e armatosur të cilët na shihnin që po flasim por nuk e dinin se çfarë po ndodhë.
Unë gjithmonë e përsëris që deklarata e 2 Korrikut dhe 7 Shtatori kanë qenë organizime që nuk përsëriten më, aty kanë marrë pjesë shumë njerëz që kanë punuar në prapavijë si për përgatitjen e deklaratës ashtu edhe për organizimin. Ne kemi qenë shumë të vendosur jemi organizuar vet ne gjakovarët duke e ditur që jemi duke rrezikuar shumë. Më kujtohet se me makinë drejt Prishtinës kam udhëtuar me Ruzhdi Bakallin, dr. Enver Pulen dhe Flamur Xhihën.
Do ta bënit një gjë të tillë prapë?
L. Zajmi: Po sigurisht. Nuk pendohem aspak edhe tani kur e mendoj që e kemi pasur jetën shumë në rrezik, por nuk mund t’a pershkruaj atë ndjenjë patriotike ku në ato raste njeriu e harron familjen dhe çdo gjë tjetër sepse ka qenë një qëllim dhe kemi pasur legjitimitet, mendoj se nëse ne nuk e kishim bërë nuk do ishin ndërtuar bazat e shtetit që gëzojmë sot.
A mendoni se vlerësohet si duhet kontributi i delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës?
L. Zajmi: Unë mendoj se jo, ata janë lënë pak pas dore, ata e kanë merituar një status shumë më të lartë, përmenden aty-këtu por nuk e kanë vlerën që duhet ta kenë. Njerëzit nuk janë të vetdijshëm për vlerën që e kanë pasur delegatët për t’iu dhënë rëndësinë e duhur,
A do riktheheshit në skenën politike kosovare po të kishit një ofertë sot nga ndonjë parti politike?
L. Zajmi: Vazhdimisht mendimi im ka qenë t’i kontribuoj këtij popullit, por u ktheva nga aspekti mjekësor dhe e zgjedha edhe degën që më lidh me popullin dhe në këtë mënyrë e dhashë kontributin tim. Nëse më kishte pëlqyer programi ndoshta do isha pjesë e ndonjë partie por nuk e kam këtë prioritet.
Kthehemi prap tek post-ngjarjet e Korrik-Shtatorit ’90, ju vazhduat rrugëtimin tuaj në Zvicër, pse iket edhe pse pikërisht në këtë vend?
L. Zajmi: Kur e shpallëm Republikën na erdhi lajmi që të shpërndahemi për disa ditë. Kemi qëndruar njëherë në Zagreb dhe pas 6 jave -gjithmonë me mendimin që do të kthehem- unë shkova në Zvicër duke lënë fëmijët dhe familjen. Pas tre muajsh është bërë bashkimi me familjën dhe kështu mbetem pastaj atje që 23 vite.
Ju arritët të hapnit një ordinancë tuajën , që për të thuani se është një “Kosovë e vogël”?
L. Zajmi: Aty punoj 20 deri 30% të kohës, jam shumë e kërkuar e kam një listë të pritjes që shkon deri në muajin mars, janë 90% pacienta shqiptarë dhe unë jam e vetmja psikiatre shqiptare në atë regjion që është gati me 2 milionë banorë.
Ditë më parë u nderuat me një titull ”Ambasadore e Gjakoves”, çfarë do të thotë për ju kjo?
L. Zajmi: Është një nder dhe një satisfaksion për punën time dhe me siguri që edhe pacientat e mi kur t’iu tregoj kanë me qenë të kënaqur sepse edhe atje jam e njohur dhe është një kënaqësi e madhe për mua.
Urimi juaj për 2014-en?
L. Zajmi: Sot e gjeta Gjakovën shumë më të gëzuar, njerëzit më të disponuar, më me shpresa dhe më të entuziazmuar dhe besoj që me zgjedhjen e strukturavë të reja do të kemi një të ardhme më të mirë. Por një mesazh për të gjithë që të punojnë të gjithë bashkë për të arritur diçka./radiogjakova/