.
Published On: Fri, Sep 5th, 2014

Kukeli kthehet pas 2 vitesh, gati për Portugalinë

Share This
Tags

kukeliMakthi i dëmtimeve ka marrë fund dhe Burim Kukeli është rikthyer në kombëtaren shqiptare. Mesfushori gjakovar i Zyrihut nuk luante në ekipin e De Biazit që nga viti 2012 dhe ndeshja e tij e fundit me fanellën kuqezi ishte ajo ndaj Sllovenisë. Lojtari aktualisht është i grumbulluar me ekipin për ndeshjen e parë eliminatore ndaj Portugalisë dhe ka folur për “Sportnews”.

Ai ka theksuar se atmosfera në skuadër është shumë e mirë dhe të gjithë besojnë se mund të arrijnë një rezultat pozitiv. Sipas Kukelit, grupi i lojtarëve ka kualitete dhe është mëkat të mos mendosh që nuk do të marrin rezultat të mirë edhe pse luajnë përballë një prej ekipeve më të forta në Evropë dhe në botë.

“Jam shumë i lumtur për ekipin kombëtar. Është gjithmonë kënaqësi të japësh kontributin për fanellën kuqezi dhe tani po pres me padurim që të jem në fushën e lojës. Ne kemi një grup lojtarësh me kualitetet dhe sigurisht që këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Skuadra është e njëjtë me atë të vitit 2012 dhe nuk ka shumë ndryshime. Të gjithë besojmë”, ka thënë Kukeli.

Rikthimi tek kuqezinjtë vjen me një ndeshje të vështirë për skuadrën e drejtuar nga italiani De Biazi. Të dielën në mbrëmje shorti i Euro 2016 i ka rezervuar Shqipërisë një përballje me Portugalinë, një emër i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare. 

“Nuk kemi frikë, por respekt për kundërshtarët. Ne e dimë të gjithë se çfarë ekipi ka Portugalia. Ata kanë futbollistë që luajnë në skuadrat më të mira në Evropë. Duhet të bëjmë lojë të mirë dhe si çdo herë të hyjmë në fushë për të marrë rezultat pozitiv. Portugalia është ekipi favorit për ta fituar këtë ndeshje, por ne duhet të japim maksimumin pastaj do të jetë fusha e lojës ajo që do të tregojë gjithçka. Duhet të futemi me besim dhe përkushtim maksimal. Gjatë kësaj kohe jemi përgatitur mjaft mirë dhe tani na mbetet vetëm që të tregojmë vlerat tona në fushën e lojës”, ka thënë mesfushori Kukeli/sportishqiptar/