.
Published On: Thu, Sep 14th, 2017

Mbahet panairi i sportit në Gjakovë

Share This
Tags

Qendra e qytetit gumëzhoi paraditën e së enjtes me sportistë dhe nxënës të disa shkollave të qytetit. Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim me Komunën e Gjakovës, për të dytin vit me radhë, organizoi panairin e sportit.

Në këtë aktivitet morën pjesë përfaqësues të klubeve, akademive sportive e sportistëve të Gjakovës, të cilët prezantuan punën e tyre, të arriturat, historinë, traditën dhe njëherit promovuan ekipet e tyre tek nxënësit e shkollave fillore të komunës që në mënyrë të organizuar iu bashkuan këtij aktiviteti.

Fillimisht Faruk Domi, udhëheqës i sektorit të sporteve në Gjakovë foli për rëndësinë e këtyre takimeve të sportistëve.

Ndërsa, nënkryetari i komunës, Armend Vokshi tha nder të tjera se i është bashkuar këtij organizimi, pasi llogarit se sporti është pjesë e pandashme e jetës sonë. Vokshi ka inkurajuar fëmijët që të merren sa më shumë më sport.

Ndërkohë përfaqësuesi i Komitetit Olimpik të Kosovës, Shasivar Haxhijaj, tha se organizimet e tilla përputhen me objektivat e Komitetit Olimpik për masivizimin e sportit.

Më tutje Haxhijaj tha se sportistët kosovarë sot kanë ku ta gjejnë motivimin për arritje kulminante. E kanë heroinën kosovare, kampionet olimpike Majlinda Kelmendin.

Ndryshe, nxënësit përmes këtij panairi patën mundësinë që të informohen me kapacitetet dhe mundësitë që sipas dëshirës të regjistrohen dhe të vazhdojnë rrugëtimin dhe angazhimin me ndonjërin nga sportet e prezantuara./radiogjakova/