.
Published On: Fri, Apr 11th, 2014

“Rrëfimi” i Ruzhdi Bakallit, ofertat për t’u kandiduar për kryetar të Gjakovës

Share This
Tags

bakalli-Nga: Ideal Gola

Vargjet e famshme të Fan Nolit, “Mbahu nënë mos ki frikë, se i ke djemtë në Amerikë”, tregojnë shumëçka, tregojnë se pavarësisht rrethanave që krijohen në vendin tonë, dikush nga larg i ka sytë këtej dhe kujdeset për të. Njëri nga këta “shqipet” e mërguara padyshim është edhe Ruzhdi Bakalli.

Deputet i Kuvendit të Kaçanikut, rrjedhimisht edhe nënshkrues i Deklaratës Kushtetuese të 1990-ës, Bakalli muaj më parë morri detyrën si Guvernator i Disktriktit Rotarian 7280 në SHBA. Kjo është hera parë në historinë e Rotarit ndërkombëtar, që si lider zgjedh një shqiptar.

Bakalli ka kontribuar shumë jo vetëm për Gjakovën, por për tërë Kosovën. Në këtë intervistë me të, mundohemi që të prekim disa tema, ndërsa përgjigjet shpesh vijnë nga një shpirt i rrebeluar, njëjtë si në ’90-ën, pasi nuk duron padrejtësitë. Shpesh emri i tij është lakuar në prag zgjedhjesh elektorale, por cila është e vërtëta? Si e sheh ai debatin për ngritjen e shtatores së Hoxhës? Dhe përgjigje në pyetjet tjera, ju ftojmë ta lexoni intervistën për portalin e Radio Gjakovës.

Në historinë mbi 100 vjeçare të Rotarit në botë, ju jeni shqiptari parë që zgjidheni si guvernator i një distrikti. Çfarë do të thotë kjo për ju?
R. Bakalli: Kjo është një nder shumë i madh por edhe një përgjegjësi shumë e madhe për mua. Rotarianët e Distriktit 7280 në SHBA më kanë besuar këtë detyrë edhe për vet faktin se jam Shqiptar i Kosovës. Për këtë arsye nuk dua t’i zhgënjejë dhe do të angazhohem në maksimum që të bëjë punën më të mirë të mundshme sepse përfaqësoj edhe gjithë Rotarianët në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo është një barrë shumë e madhe që duhet gjithsesi ta kryej me sukses.

r-bakalli2

Na tregoni më shumë për detyrat tuaja si Guvernator, cilat janë prioritet tuaja në këtë mandat?
R. Bakalli: Në Amerikë, Rotari është duke u ballafaquar me rënien e anëtarësisë së vet, prandaj prioriteti im i parë është rritja e anëtarësisë së distriktit tim për minimum 10%, gjë që akoma nuk ka ndodhur për dekada. Prioritet i dytë është rritja e donacioneve për Fondacionin e Rotarit Ndërkombëtar. Në të vërtetë qëllimi im është grumbullimi i donacioneve më të mëdha në historinë e distriktit 7280.

Këto donacione përdoren për eliminimin e paralizës së fëmijëve, për grante – projekte në fushat e shëndetësisë, paqe, zhvillimin ekonomik, sigurimin e ujit të pijshëm, edukim, shpëtimin e nënave dhe fëmijëve dhe luftën e sëmundjeve-epidemive të ndryshme në botë. Prioriteti i tretë është digjitalizimi i plotë i terë komunikimit në distrikt. Prioriteti i katërt është realizimi sa ma shumë projekteve për mirëqenien e komuniteteve ku jetojmë. Qëllimi kryesor i imi, gjatë mandatit tim është shënimi i sukseseve me të madha, të pa arritura deri me tani në historinë e Distriktit 7280. Me aktivitetin tim, dëshiroj që edhe Kosovari të lë gjurmë të përhershme, për përkushtimin e tij, në historinë e lavdishme të këtij distrikti rotarian.

Ju në ceremoninë e inaugurimit u paraqitet me veshje kombëtare, ishte zgjedhje e juaja?
R. Bakalli: Po, kjo ishte zgjedhja dhe ideja ime. Në realitet Kosova nuk ka pasur të drejtë të merr pjesë në këtë inaugurim sepse nuk ka distrikt të vetin. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia janë shtete të cilat nuk kanë arritur që të kenë një Distrikt Rotarian, sepse për këtë sipas rregulloreve duhet të zgjerohen minimum me 40 klube me mbi 1.200 anëtarë.

Por, edhe në këtë rast Rotari Ndërkombëtar i tregoj vlerat dhe madhështinë e vet. Nga takimet që bëra me drejtuesit e Rotarit Ndërkombëtar arrita të marr pëlqimin që të paraqitem me veshje kombëtare shqiptare në emër të Kosovës dhe SHBA-ve. Me propozimin tim, Rotari përgatiti shenjën për mua, Republic of  Kosova.

Një moment tjetër i veçantë dhe po ashtu shumë emocional ka qenë kur, unë së bashku me Afijeten (bashkëshorten) kemi hyrë në sallën inauguruese. Miqtë tanë të nderuar: Kryetarët e Kaluar të Rotarit Ndërkombëtar, Frank Devlyn nga Meksika e Wilf Wilkinson nga Kanada si dhe Kryetari i Ardhshëm i Rotarit Ndërkombëtar për Britaninë e Madhe dhe Irlandë, Peter King, janë ngritur në këmbë duke duartrokitur dhe brohoritur “Rroftë Kosova”. Ishin këto dy momente të cilat do të mbesin përjetësisht në kujtesën time.

r-bakalli5

Çfarë mund të presin dy klubet rotariane në Gjakovë nga Guvernatori i ri i Distriktit 7280?
R. Bakalli: Jo vetëm klubet në Gjakovë por edhe të tjerat në Kosovë dhe Shqipëri, me një bashkëpunim dhe aktivitet të përbashkët mund të jenë përfitues të shumë donacioneve dhe ndihmave nga distriktet amerikane të cilat ju dedikohen komunitetit të tyre. Zgjedhja ime si guvernator ka filluar të jep frutat e parë: Distrikti 7280 i cili më ka zgjedhur të jem Rotarian i parë i tyre, sivjet ka dhënë një donacion prej $15.000 për riparimin e ngrohtores dhe sistemit të ngrohjes në çerdhet e fëmijëve “Ganimete Tërbeshi” dhe “Deva 1”.

Ky donacion vetëm është realizuar dhe pritet dorëzimi solemn i ngrohtores së riparuar. Vitin e ardhshëm, si projekt i imi si Guvernator i këtij Distrikti, do të jetë donacioni në vlerë prej $15.000 për SH. F. “Kelmend Rizvanolli” përkatësisht kabinetit të saj të informatikës, për të cilin do të shfrytëzohen për të blerë 10 laptopa, 10 projektor, etj. Sivjet Klubi Rotarian i Port Allegany të Distriktit 7280 i ka jap donacion në vlere prej $500 SH.F. “Kelmend Rizvanolli” për blerjen e rafteve për libra në bibliotekën e shkollës.

Projekti tjetër që do të mundohem ta realizoj si Guvernator është blerja e mamografit për QKMF-në në mënyrë që femrat gjakovare të kenë mundësi të bëjnë shërbimet e mamografit falas. Ky projekt kushton 120 000 euro por Komuna duhet të participoj me vlerë prej 30 000 euro kurse pjesën tjetër do ta sigurojë Rotari Nderkombetar. Unë vetem i kam rekrutuar dy Distrikte Amerikane për realizimin e Projektit të Mamografit por vetëm pritet sigurimi i pjesës participuese nga Komuna e Gjakovës. Nëse Komuna e siguron këtë pjesë atëherë Gjakova do të bëhet me mamograf.

Të mbesim edhe pak tek këto dy klube. Si e vlerësoni punën e tyre?
R. Bakalli: Puna e tyre është e mirë, por me një angazhim më të madh të të gjithë anëtarëve mund të jetë shumë më e mirë. Klubet, duhet ta rrisin anëtarësinë me anëtarë të rinj sepse ardhmëria e Rotarit është te kuadrat e reja.

Me Klubin Rotarian Gjakova-Çabrati  kemi rënë dakord që deri me 30 Qershor 2014 të kenë 20 anëtarë kurse deri me 30 Qershor 2015 të bëhen 30 anëtarë. Nëse ky klub e mban këtë premtim atëherë do të arrin një sukses të madh. Klubet Rotariane nuk duhet të mbyllen por të hapen ndaj anëtarësisë se re. Kontributi im për klubet do të varet nga puna dhe angazhimi i anëtarëve të tyre. Kur secili nga ne kryen detyrat e veta edhe sukseset nuk do të mungojnë.

r-bakalli1

Kalojmë në një temë tjetër. 6 vjet nga pavarësia, a janë realizuar idealet tuaja si delegat i Kuvendit të Kaçanikut? Me fjalë tjera, a është kjo Kosova që ju atëherë e keni menduar?
R. Bakalli: Jo, aspak nuk është kjo Kosova që unë dhe koleget e mi kemi punuar dhe kontribuar. Ne kemi menduar që Kosova do të jete vend i lumtur për të gjithë, pa korrupsion dhe hajni. Populli, bashkë me ne, u tradhtua nga këta pseudopatriotë dhe hajna. Ne, dhe gjithë të tjerët, kemi luftuar për një shtet ligjor si dhe për një mirëqenie sociale të popullit.

A i ka dhënë shoqëria kosovare vendin e merituar delegatëve të Kaçanikut?
R. Bakalli: Jo, aspak nuk e ka dhënë. Mos të harrojmë se për herë të parë në historinë tonë një organ legjitim e shprehu vullnetin dhe dëshirën e popullit. Mos të harrojmë se të gjithë delegatet e 1990-ës janë përshëndetë me familjet dhe jetën e tyre sepse asnjeri nuk ka besuar se mund t’i shpëtoj regjimit të Millosheviçit. Por asnjeri nuk është hamendur për shpalljen e pavarësisë sepse e dinim se është momenti historik për ta shpëtuar Kosovën nga kthetrat e Serbisë.

Por, ne, delegatët. me gjithë këtë sjellje të shoqërisë kosovare mendojmë se ne kemi qenë shumë fatlum që e patëm rastin për vendosur fatin e Kosovës. Ky rast zakonisht jepet vetëm një herë në 100 vjet. Ne e kemi kryer një detyrë që na ka dhënë populli. Ne, këtë punë nuk e kemi bërë për të pasur beneficione por për ta shpëtuar Kosovën, andaj këtë qëllim ne e kemi arritur. Mos të harrojmë se në vendimet tona, në Deklaratën Kushtetuese të 1990 dhe Kushtetutën e Kaçanikut është bazuar Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Çka po ndodh me ne është vetëm përsëritje e historisë sonë: qëllimi i politikanëve të sotëm është që historia fillon vetëm nga ata, dhe çka ka ndodhur përpara nuk ka vlerë. Ky është turp i madh. Këta politikan i japin vetes gjithfarë beneficione kurse delegateve të 1990-ës nuk ju pranojnë as të drejtën e pensionit. Kjo nuk do koment!

r-bakalli4

Gjakova, dhe Kosova në tërësi, po vlon nga debate pro dhe kundër për ngritjen e shtatores së Fadil Hoxhës, si i keni parë ju këto debate dhe cili është qëndrimi juaj në lidhje me këtë çështje?
R. Bakalli: Është turp për t’u debatuar apo diskutuar vepra e njeriut i cili e ka krijuar shtetin e Kosovës. Fadil Hoxha është Hero i Gjakovës dhe i Kosovës. Sulmet ndaj Fadil Hoxhës në realitet janë sulm ndaj Gjakovës sepse z. Fadili është simbol i Gjakovës. Plejada e udhëheqësve gjakovarë në krye me Fadil Hoxhën, Mahmut Bakallin, Xhavit Nimanin, Ymer Pulën, Veli Devën etj. arritën që Kosovën ta bëjnë, duke qenë ushtria dhe policia serbe në Kosovë.

Sot ndodhin çudira në Kosovë duke pasur policinë tonë dhe KFOR-in. Ku kanë guxuar serbët në kohën e Fadilit me blloku rrugë, ura apo të lirojnë të burgosurit me forcë. Po e akuzojnë Fadilin për masakrën e Tivarit? Ky është turp i madh nga fakti se në çfarë posti ka qenë atëherë Fadili? A mos ishte komadant apo Kryetar i Kosovës? Serbia kishte vendos gjendjen e jashtëzakonshme në Kosovë me Spasoje Gjakoviçin kryetar të dhunshëm të Kosovës.

Ajo çka ka ndodhur në Tivar ka qenë masakër dhe gjenocid ndaj luftëtarëve shqiptar. Ajo ka qenë tradhtia më e madhe nda shqiptarëve. Por, Fadili nuk ka pasur pushtet apo forcë për ta evituar atë masakër. Nëse dikush ka mundur ta ndal këtë masakër, sipas mendimit tim, ka qenë Enver Hoxha sepse të gjithë ata luftëtar kanë kaluar nëpër Shqipëri. Më duhet të tregoj edhe një fakt tjetër të cilin personalisht më ka treguar Mahmut Bakalli, i cili më patë thënë:

Pas luftës Fadil Hoxha kishte shkuar në Shqipëri te Enver Hoxha për biseduar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë: Fadili i thotë Enverit se kjo çka po ndodhë në Kosovë nuk është në bazë të marrëveshjes. Kosova duhet me qenë pjesë e Shqipërisë dhe jo e Serbisë. Kështu kemi vendosur në Konferencën e Bujanit. I thotë Enverit se shkollat Shqipe po mbyllen, flamuri kombëtar po ndalohet, njerëzit po burgosen etj. Enveri i premton Fadilit duke i thënë se do të angazhohet për këtë punë, por si ta përcjellë Fadilin i thotë Koqi Xoxës të lajmëron Rankoviçin, me telegram, se ishte Fadili tek ai për t’u ankuar për pozitën e shqiptarëve në Kosovë. Kur të kthehet Fadili në Prishtinë ftohet nga Spasoje Gjakoviçi në bisedë duke ia treguar telegramin e Koqi Xoxës.

Udhëheqësit gjakovarë në krye me Fadilin e kane bërë formimin dhe rritjen e shtetit të Kosovës, emancipimin dhe edukimin e popullit shqiptar sepse Gjakova ka qenë gjithmonë shtet formuese dhe ka ditur të mbajë shtetin, e jo si këta të sodit që vejnë interesat personale, para atyre të Kosovës

Pas luftës së fundit në Kosovë, të vitit 1999 në revistën “Newsweek”, komentatorja e CNN-t, Kristiana Amanpur pati shkruar: Millosheviçi e ka sulmuar me së shumti Gjakovën duke bërë krimet dhe masakrat më të mëdha sepse Gjakova prej dekadash është vlerësuar si boshti kurrizor i intelegjencës kosovare. Ajo pati shkruar se Gjakova është zemra, truri dhe boshti kurrizor i Kosovës. Kjo tregon mjaft dhe nuk duhet koment tjetër. Prandaj, deri sa nuk vendosen shtatoret e Fadil Hoxhës, Mahmut Bakallit, etj. në qendër të Prishtinës dhe Gjakovës, Kosova nuk ka me “pa hajër”.

r-bakalli3

z. Bakalli sa herë afrohen zgjedhjet lokale, gjithnjë lakohet emri juaj si një kandidat për kryetar të Gjakovës. A keni pasur ndonjëherë një ofertë të tillë në tryezën tuaj dhe a ka qenë ndonjëherë qëllim i juaji posti i kryetarit?
R. Bakalli: Po, kam pasur ofertë të tillë në zgjedhjet lokale të vitit 2009, nga dy subjekte politike, por i kam refuzuar sepse nuk kam dashur të kandidohem në emër të asnjë partie. Në të vërtetë një parti kishte pas mbledhur edhe nënshkrimet e nevojshme për kandidimin tim.

Nuk ka qenë dhe nuk është qëllimi im të kandidohem për kryetar të Gjakovës. Nëse ndonjëherë kandidohem për kryetar të Gjakovës, do të kandidohem vetëm si kandidat i pavarur sepse dëshiroj të jem kryetar i të gjithë gjakovarëve pa marrë parasysh përkatësinë politike të tyre. E vërteta është se nuk planifikoj të kandidohem sepse kam marrë detyra dhe obligime këtu në Amerikë të cilat dëshiroj t’i kryej me sukses. Shpresoj se me premtimet e dhëna do të ndryshojë Gjakova. Unë do të vazhdojë dhe nuk do të pushoj që të angazhohem dhe të kontribuojë për qytetin tim të lindjes.

Në rast se ju nuk keni diçka për të shtuar, ne do ju falënderonim për kontributin tuaj për Gjakovën dhe që gjetët kohën për këtë intervistë.
R. Bakalli: Kënaqësia ishte e imja. Krenohem me Radio Gjakovën e cila gjithmonë ka pasqyruar në mënyrë të denjë dhe me shumë sukses realitetin e ngjarjeve dhe zhvillimeve aktuale në komunë. Krenohem me Radio Gjakovën e cila me të gjitha vështirësitë financiare që po ballafaqohet po bënë të pamundurën që të jetë sa më afër dëgjuesve të saj kudo që ndodhen ata në gjithë botën.

Krahas programit të përditshëm, me web faqen tuaj dhe mundësinë që të dëgjojmë “live” radio-programin tuaj përmes internetit na bënë që të jemi më afër vendlindjes. Ju lumtë për kontributin, me dëshirën që sa më shpejtë të krijohen rrethana që të pajiseni me pajsije teknike-bashkëkohore si dhe të shpërblehet puna e juaj ashtu si e meritoni.

/radiogjakova/