.
Published On: Mon, Jan 20th, 2014

Me Sevdaiun e 38 personazheve

Share This
Tags

ballkoni-radogoshiiSevdai Radogoshi ka luajtur rreth 38 personazhe, ka realizuar 87 videoprojekte e 3 komedi, ka shkruar mbi 900 skeçe e sëfundmi ka marrë pjesë edhe në filmin “Ballkoni”.

Si një artist i kompletuar edhe për nga sukseset, në këtë intervistë për portalin e Gjakovës ai i rikthehet edhe njëherë gjithë karrierës për të shpalosur pak nga të arriturat e tij.

Mësoni se kush ishte frymëzimi i tij, si e filloi rrugen prej humoristi, përvoja me “Treshi përsheshin” dhe në filimin “Ballkoni” e në fund edhe planet e tij për këtë vit.   

Kur nisën paraqitjet tuaja të para si humorist?
S. Radogoshi: Paraqitjet e para si humorist kanë qenë qysh në shfaqjet e shkollës, por paraqitja e parë në skenë para një publiku ka qenë në vitin 1973 në Vushtri. Paraqitja tjetër ishte një dialog humoristik me Fitim Domin (mixhen Ramë) e pastaj e rradhës në Preopolje, ku kam bërë humor në gjuhën serbe, dhe e rrëmbeva edhe vendin e parë.

Cili ka qenë frymëzimi juaj në rrugën e humorit?
S. Radogoshi: Humor kisha sjellë më shumë nëse kisha pas nga kush të marr frymëzimin, sepse në atë kohë nuk ka pasë shumë humorista. I vetmi ka qenë Fitim Domi (mixha Ramë), të cilin e kam imituar. Ai ka qenë unik andaj edhe unë kam nisur të krijoj humor timin. Ka qenë edhe një humorist gjakovar , Qet Kocin me bejtet e tija fantastike.

Më pas erdhi “Treshi përsheshi”?
S. Radogoshi: Përpara këtij projekti, unë kam dalë në programet televizive së bashku me Elida Shasivarin me rolet e Qumilit dhe Mojës. Nuk ka qenë ky Qumili që njohim sot, ai u perfeksionua me kohë. Në television pastaj vazhdova një kohë dhe me vëllaun Lilin e kështu me rradhë.

Si u krijua dhe kush e bashkoi “Treshi përsheshin”?
S. Radogoshi: “Treshi…” ka qenë një krijim spontan. Treshja u bashku prej Mustafë Halilit, redaktor i programit humoristik i cili ma besoi që Rasim Thaqin (Cimën) dhe Ibrahim Krajkovën (Lecin) t’i bëjë bashkë në natën e vitit të ri 1986-1987 në një skenar të cilin e shkrova unë.

Cila ka qenë ideja kur nisët të shkruanit këtë projekt?
S. Radogoshi: Ky projekt ka qenë gërshetim i tri qyteteve, Gjakovës, Prishtinës e Drenicës dhe ideja ishte të bashkonim trevat përmes humorit.

Sa personazhe keni krijuar gjithsejë?
S. Radogoshi: Tash e kam shtuar edhe një personazh të ri e gjithsej bëhen 38 personazhe.

Sa videoprojekte keni realizuar?
S. Radogoshi: Jane 87 videoprojekte, mbi 900 skeçe dhe 3 komedi.

Si është të bësh humor përpara një publiku tjetër dhe atij gjakovarë?
S. Radogoshi: Më vështirë është të bësh humor përpara një publiku gjakovarë. Gjakovarët kanë një shije të hollë humori. Në Gjakovë nuk qesh askush nëse nuk je në lartësinë e duhur me batutat.

A ka qenë e vështirë të bësh humor para viteve ’90?
S. Radogoshi: Ka qenë e vështirë për faktin se skenat i kemi improvizuar në ndonjë cep për shkak të policisë sepse na ndjeknin edhe na merrnin kamerën. Mirëpo në përgjithësi problemet nuk kanë qenë të mëdha sepse të gjithë e kanë kuptuar edhe e kane dashur humorin tim.

A ka humor sot në Kosovë?
S. Radogoshi: Sot humori është shëndrruar në biznes me mendimin se sjell përfitime. Humorist lind e nuk bëhesh.

Jeta juaj prej artisti përfshin edhe filmin “Ballkoni”. Si ishte kjo eksperiencë për ju?
S. Radogoshi: Filmi ka qenë një eksperiencë krejt ndryshe, sa që edhe kur më është bërë ftesa e kam pranuar pak me mëdyshje, sepse ndryshon prej projekteve humoristike, mirëpo është përshtat për shkak se filmi ka qenë tragji-komedi dhe ka dalë bukur. Pastaj edhe eksperienca me Arben Bajraktarin, një aktor shumë i madh e shumë i thjeshtë për famën e tij hollivudiane.

Planet e Sevdai Radogoshit për vitin 2014?
S. Radogoshi: Do të jem më shumë aktiv sa që kam qenë këto shtatë vitet e fundit. Do të sjell diçka të re, por ajo që është kryesore do të jem shumë aktiv.

/radiogjakova/