Munishi: Vëllaznimin e vërtetë do ta shohim në kampionat
Trajneri i Vëllaznimit, Ismet Munishi, tha se paraqitja e skuadrës së tij në miqësoren ndaj Prishtinës ku u mposhtën 0-1 nuk është fytyra e vërtetë e kuqezinjve.
“Vlerësoj angazhimin edhe pse nuk patëm momente të mira në lojë për arsye që i di unë. Kjo nuk është pasqyra e vërtetë e Vëllaznimit, ne do të shohim fytyrën e vërtetë të Vëllaznimit kur të fillon kampionati. Pra, gjithçka që po bëjmë është në kuadër të përgatitjeve dhe që të kemi formën optimale kur të fillojë kampionati”, tha trajneri i kuqezinjve pas ndeshjes.
Munishi që tashmë ka një muaj që kur nisi stërvitjen me Vëllaznimin dhe ka zhvilluar 5 miqësore foli për eskperiencën e tij në krye të kuqezinjve.
“Dua t’i përgëzoj djemtë për angazhim dhe kryesinë për kushtet e krijuara për punë. Mendoj se gjatë këtij muaji kemi bërë një punë shumë të mirë dhe unë jam jashtëzakonisht i kënaqur. Pres një Vëllaznim jashtëzakonisht kompetitiv dhe të komponuar kur të fillon kampionati”, vijoi Munishi.
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy javë deri në fillimin e edicionit të ri të Superligës, Munishi thotë se skuadra e tij është e kompletuar dhe se nuk pritet të ketë përforcime të tjera.
“Kemi një ekip jashtëzakonisht të mirë nuk kemi nevojë për asnjë përforcim më tepër. Forma e lojtarëve që kanë qenë në Vëllaznim është ngritur shumë dhe cilësia e tyre është shfaqur gjatë këtyre ndeshjeve që i kemi luajtur. Jam shumë i kënaqur me lojtarët që kanë qenë këtu, por edhe me ardhjet e reja të cilët kanë punuar shumë për t’u ambientuar shpejt”, u shpreh Ismet Munishi për Radio Gjakovën./radiogjakova/