.
Published On: Mon, Apr 10th, 2017

Naim Kryeziu si askush!

Share This
Tags

Ja një tregim i shpejtë i vetë Naim Kryeziut, në një intervistë të rrallë të tij në vitin 2001 dhënë gazetarit Matteo Patrono: “Kisha ikur nga Kosova, -thotë Kryeziu,- sepse ajo ishte e pushtuar nga jugosllavët. U vendosa në Tiranë, ku ishte vëllai im, i cili ishte oficer dhe këtu vazhdova shkollën. Aty fillova të luaj futboll dhe 15 vjeç unë isha në Serinë A shqiptare dhe 18 vjeç në Kombëtaren e Shqipërisë.

Shqipëria ishte prej kohësh nën ndikimin italian: qeveria kishte thirrur në Tiranë profesorë të edukimit fizik për organizimin sportiv. Ata më panë duke luajtur dhe njëri prej tyre duke qenë tifoz i Romës dërgoi informacionin në klubin roman. Unë nuk kisha një pasaportë, por mbas pushtimit konsiderohesha italian si gjithë të tjerët. Vendosa të shkoj në Romë dhe menjëherë hyra në lidhje me një menaxher të Romës për një provë.

Unë dija vetëm disa fjalë italisht dhe i kërkova një miku, i cili ishte duke studiuar në universitet, për të më shoqëruar mua. Ne patëm marrë një taksi për të arritur në zonën Testaccio ku kam bërë një stërvitje të shpejtë. Unë kisha një gjuajtje të bukur dhe kam qenë një atlet i mirë, e kur vërshoja nga krahu isha i papërmbajtshëm. Midis Masetti-t, Donatit dhe Amadei-t bëra një figurë të mirë dhe në fund të lojës një drejtues më çoi në rrugën ‘Via del Tritone’, ku kishte selinë kompania. Aty më bëri të nënshkruaja kontratën time të parë. Nuk mund të besoja sytë e mi, e m’u duk se preka qiellin me dorë.

Debutova pothuajse menjëherë në kampionat në ndeshje kundër Barit ku luante shoku im Lushta. Kemi fituar 4- 2. Stadiumi në Testaccio ishte i plotë si në ditët më të mira, spektatorët i binin me këmbët e tyre tribunës me ndenjëse druri duke prodhuar një zhurmë të papërmbajtshme. Në një moment unë vërshova nga krahu, bëra një kros të bukur dhe Panto, sulmuesi argjentinas, shënoi një gol krejt të lehtë.

Kështu unë u ndala në Romë për të vazhduar. U dashurova mbas këtij vendi dhe nuk desha të largohem për asnjë arsye: unë fillova të ndihem me të vërtetë italian… E të vije e të luaja në Itali ishte vërtet një ëndërr e mrekullueshme, sidomos me Nacionalen e saj. Por vetëm shoku im Lushta u thirr të luante me të…”.

Naim Kryeziu e kishte prekur stinën kombëtare të Shqipërisë në Javën 2 të Kampionatit të 4-t, atij të vitit 1934, nën fanellën e skuadrës së Elbasanit. Është 22 prill 1934, ndeshja Elbasani-SK Tirana 0-5 dhe ky nxënës nga Kosova, krejt i panjohur, vetëm 16-vjeçar, i cili quhej Naim Kryeziu, shfaqet si qendërsulmues i Elbasanit krahas emrave të shquar të Jolldashve e Biçakve me shokë.

Kur mbërrin 1936-ta del vendimi për mospjesëmarrje të nxënësve në Kampionatin Kombëtar, çka e pengon atë të marrë pjesë në dy Kampionatet më të fortë të Shqipërisë së asokohe, atë të viteve 1936 dhe 1937. E megjithatë ai është aty, si një protagonist krejt origjinal, i cili nuk merr pjesë në Kampionatin Kombëtar, por i cili thirret për të gjitha ndeshjet ndërkombëtare të kohës. E thërret Sportklub Tirana, por gjithmonë e thërret edhe Vllaznia e Shkodrës.

E thërret trajneri Samo Singer në ndeshjen themeluese të 5 marsit 1936 nën fanellën e Kombëtares së sapolindur të Shqipërisë. Këtu qëndron dhe forca e madhe e talentit të tij, teksa ia arrinte që të shkrihej në harmoni me shokët e tjerë, me të cilët i takonte të luante rrallë.

Ka qenë janar 1937 dhe papritmas në Shqipëri vjen një skuadër italiane! Ky është klubi i parë i futbollit italian që vjen në Shqipëri. Është Zardi i Imolas që hyn në histori si klubi i parë i futbollit italian, i cili luan një ndeshje në Shqipëri. Dhe befasia e madhe e futbollit Sportklub Tirana – Zardi i Imola-s 5-1! Mirdita, Lushta, Kryeziu, H.Begeja, Gurashi!

“Kryeziu ka qenë një ngjalë e vërtetë, i ka rrëshqitë gjithmonë halfit të vet, po disa herë nga shpejtësia e madhe nuk mund të frenohet në çast dhe të shutojë ose të pasojë me siguri”, thotë komenti zyrtar i ndeshjes. Golat nuk ndalin. Një kryevepër më vete goli i tretë i Kryeziut, mbas një kombinimi dysh me Lushtën dhe “me një gjuajtje bombë të vërtetë shënon golin e tretë”, siç thotë kronika e kohës, duke shtuar se “Kryeziu na paraqet nji lojë të re shumë tërheqëse…”.

Në ndeshjen tjetër është përsëri fitore e Sportklubit, kësaj radhe 2-0 dhe prapë kronika që veçon “Kryeziun, krahu ynë i djathtë që enthuzjazmon cilindo me aftësin’ e tij të shquar”. “Kam mbetur i habitur nga loja e ndritshme e skuadrës shqiptare, për të cilën nuk e besojshe se ka arritë nji pjekuni të tillë”, thotë presidenti i Zardi-t, Vincenzo Costa. Ndërkaq, shtypi ngre lart drejtimin e trajnerit Selman Stërmasi, “energjisë dhe aftësisë së tij”, siç përcaktohet.

Kur mbërrin 1938, ky është viti i madh sportiv i Naim Kryeziut. Ndeshja e madhe me Barin dhe prania e dytë e Conte Ciasno-s. Dhe gjithçka mû në vitin kur Italia qe shpallë Kampione e Botës. Kjo ka qenë ndeshja kur ata që sot quhen menaxherë, përveç emrit të Riza Lushtës, shënuan edhe emrin e Naim Kryeziut.

Është 26 prill 1938 në Shallvaren e Tiranës. E doemos 2-0 për Barin e Serisë A të Italisë. Shkruan Anton Mazreku: “Sportklubi u da me nderë pse dijti me i ba ball ma’smirit skuadrës mike”. Çka e pohon trajneri i Barit, Cargnelli kur thotë: “Nuk kam mendue se gjej nji skuadër kaq të fortë n’Atdhen tuej”. Ndërsa Stefan Shundi në shkrimin e tij në të përditshmen “Drita” firmosur me pseudonimin “Nichts”, thotë: “Kemi nji ekip të fortë dhe plot shpirt e luftaraksi, nji ekip që di të sulmojë si nji trim pa iu tutun syu dhe që di të mprohet njëkohsisht po me bravura. Përfundimi 2-0 asht nji triumf sportiv shqiptar, dhe duhet të jesh i krisun nga mëndja për të pritun nji fitore prej nji njmbëdhjetshi të bukur dhe trim si Sport Klubi.

NAIM KRYEZIU – KAMPION I SHQIPËRISË MË 1939
Ai është një protagonist i një fundoreje (finaleje) të jashtëzakonshme, historike, një ndeshje nostalgjike, në fund të fundit. Kjo, sepse për herë të fundit për një ndeshje kampionale, futbolli shqiptar do të shihte nën fanellat e tij së bashku dy futbollistët më të mëdhenj të viteve ’30: të paharrueshmit Riza Lushta dhe Naim Kryeziu të Kosovës.

E vërteta është se edhe nga kjo ndeshje, emrat e Riza Lushtës, Naim Kryeziut, Sllave Llambit, Loro Boriçit, Foto Jankut e Muc Koxhjes ishin futur në rreth të kuq për t’u rrëmbyer prej vëzhguesve italianë të pranishëm. Është një ndeshje që ka një fillim të papërmbajtshëm për Sportklubin. Në të 6′ Miço Plluska e shndërron në gol një lâmsh para portës shkodrane.

Në të 13′ Zyber Lisi e bën 2-0. Dhe mbas tij i vjen radha Naim Kryeziut me dy golat e tij në të 32′ dhe në të 40′, çka do të thotë 4-0 për SK Tiranën mbrenda 40 minutave të para! Po tre minuta më vonë, Gurashi nuk ndal goditjen e fortë të Met Vasisë e bash këtu nis mrekullia e vonuar shkodrane. Me fillimin e pjesës së dytë “shihet fare kjartas se Shkodra nuk ka mend mekundrejt nji Bari që vjen nga divizjoni ma i lartë kombëtar i Italis e cila asht edhe shampione e Botës”. Shqipëria do të kishte edhe vetëm një vit Pavarësi…

Lutfi Hoxha shënon bukur dhe 4-2. E Lushta si Lushta. Mashtron radhazi një tufë shkodranësh dhe 5-2. E, Haki Korça te firmos 6-2 me golin e tij të minutës 15. Shì atëherë kur gjithçka duket se ka marrë fund, “makina e Shkodërs xéhet e loja merr zjarr”, Gjithçka është vepër e treshes së mesit Alibali-Koxhja-Vasija. Në të 76′, 17-vjeçari Loro Boriçi nuk përmbahet mbasi ka marrë topin e çmueshëm prej Hoxhës: 6-3. Mbas tre minutash episodin e ndërton Shkjezi dhe Loro Boriçi ngushton në 6- 4!

Mandej e merr fjalën Skender Gjinali, ylli tjetër i Kosovës për klubet e Shqipërisë, e mbasi gjen Boriçin, ky nuk e tradhton. Gjuajtja e Loros është e rrallë: shtyllë dhe rrjetë! Është 6-5 përfundimtar! Sportklub Tirana fiton 6-5 dhe ky është çasti kur Naim Kryeziu bëhet për herë të parë dhe të fundit Kampion i Shqipërisë së tij. Madje duke qenë me 7 gola dhe kryeshënuesi i këtij Kampionati, i ndjekur nga një 17-vjeçar, emri i të cilit është Loro Boriçi, i cili shumë shpejt do të jetë bashkëlojtar i Kampionit të Botës, Silvio Piola, në Lacio të Romës. Ndërsa Riza Lushta, i cili kishte braktisur shkollën për futbollin, bëhet Kampion i Shqipërisë për herë të katërt.

Një muaj më vonë, më 28 nëntor 1939, organizohet një tjetër ndeshje e madhe, jashtë kampionatit, po në Shallvare të Tiranës, e gjykuar nga gjyqtari italian i Serisë A, i mirënjohuri Bruno Manghi. Është një ndeshje që luhet për nder të përvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por… nën fashizëm! Vllaznia fiton bujshëm 3-1 si në një akt të dytë të fundores (finales) së 30 shtatorit për Kampionatin. Kjo është ndeshja e fundit e Naim Kryeziut në Shqipëri e që nga kjo ditë ai do ta bartte tash gjithçka menjëherë te klubi Roma i Italisë…

UVERTURA ITALIANE E NAIM KRYEZIUT…
“Me anën e sportit të përfaqësoj emnin e nanës s’onë Shqipni!”. Këta e ka thënë Naim Kryeziu i Gjakovës dhe Tiranës, i Kosovës dhe Shqipërisë. I pati në zemër përjetë. Për fat në një çast këtë e kam përjetuar edhe unë. Kam pas nderin me qenë shqiptari i parë i Mbasluftës, i cili ka mundur të thirret në telefon prej tij. Kjo ka ndodhur mbasi ai kishte lexuar shkrimet e para që kisha botuar për të në fillim të viteve ’90.

Nuk ka qenë një bisedë e shpejtë, por përkundrazi, e qëndrueshme, prej së cilës kuptova mallin e tij, që shprehej përmes një shqipeje të pastër, një shkrirje me kulturë në të cilën po aq sa dalloja të folmen e “dikurshme” qytetare të Tiranës, po aq dhe ndieja peshën e theksit të këndshëm për mua, të së folmes tipike të Kosovës, e në tanësi të një kulture të një pedagogu të vërtetë.

Për fatmadh, kam në dorë një dokument të rrallë të gjithë kësaj, që e kam botuar në “Veprën 9” të Dr. Vasfi Samimit – një nga figurat më poliedrike të kulturës e shkencës shqiptare – një ndër librat më të dashur që kam, i vetmi që, përmes figurës së Dr. Samimit, u kushtohet edhe organizimeve sportive shqiptare të viteve ’20 dhe ’30. Vetëm me pjesët e publicistikës të Dr.Samimit që botohen në këtë libër, studentët e kulturës fizike ia vlen ta kenë si manual.

Pakkush (vetëm disa njerëz të mençëm) e prek me dorë këtë libër, sepse për paradoks dihet: kultura kombëtare e pra edhe ajo sportive kanë pësuar një goditje dëshpëruese. Dhe më 1940, Nim Kryeziu i dërgon Dr. Samimit, këtë letër të shkurtër, e cila na mjafton për të kuptuar shqiptarësinë e fuqishme dhe edukatën kombëtare të gjakovarit tonë të madh:

“I nderuemi Dr. Samim!

Ka kohë që nga ju pata rasën të marr nji letër e cila më gëzoj shumë, së pari për mirëshëndetin tuej dhe së dyti si nji sportist me kulturë patët mundsinë me më kujtue këtu larg atdheut t’im të dashtun Shqipni. Personin tuej e kamkçmue gjithmonë si në fusha sportive ashtu dhe kulturale. Do të kisha qenë shumë mâ i kënaqun sikur un të bâjsha pjesë në shoqninë tuej mendore në mënyrë që – me anën e këshillave tua – të plotsojsha sa mâ mirë detyrat e mia kundrejt shoqnisë dhe atdheut. Fatëkeqsisht pozita e juej nuk më lejonte të ishim gjithmonë afrazi. Më duket vehtja e lumtun që kur nji njeri i kulturuem si ju merr gjithmonë inisjativa tue më këshillue me anë letrash, këshilla këta që më më- sojnë si me sigurue avenirin t’im dhe si un të mundem që të paktën me anën e sportit të përfaqsojë emnin e nanës s’onë Shqipni Përfundoj me shumë të fala”.

Naim Kryeziu (firma)

Para dy vitesh kemi përkujtuar 75-vjetorin e shfaqjes së parë të një futbollisti shqiptar në Serinë A të Italisë, që është historia sensacionale e Riza Lushtës. Ngjarja ka ndodhur më 7 janar 1940, Java 14 e Kampionatit 1939-1940 të Italisë kur, në ndeshjen Bari-Venezia 3-0, debuton shqiptari i parë në Serinë A, Riza Lushta, i cili në të vërtetë do të bëhej më i madhi, me shifrat e tij ende të paarritshme: 170 ndeshje dhe 68 gola, çka deri sot e kësaj dite përbën një tregues të lakmueshëm për çdo të huaj i cili luan në Itali.

Dhe menjëherë mbas Lushtës, i dyti është Naim Kryeziu. Madje, ai në dy arritje ia kalon edhe Lushtës: luan 9 Kampionate të Serinë A – rekord absolut për një shqiptar – dhe bëhet Kampion i Italisë – i vetmi shqiptar sot e kësaj dite. Me 9 kampionatet e tij të Serisë A, ai arkivon 2 mbi Lushtën, e pra, nëse Lushta është fitues i Kupës së Italisë me Juventusin më 1942, Naim Kryeziu është Kampion i Italisë me Romën po më 1942.

Kishin qenë bashkëlojtar të Sportklub Tiranës së tyre dhe papritmas shfaqen si kundërshtarë. Ka qenë Java 22 e Serisë A, mars i 76 vjetëve më parë, ndeshja Roma-Bari, e 10 marsit 1940, një duel spektakolar i një goli po të këtillë të Lushtës.

NAIM KRYEZIU – KAMPIONI I ITALISË
Ajo ishte Roma 1942, skuadra që stërvitej nga i mirënjohuri Eraldo Monzeglio, por që shpejt kalon në duart e hungarezit Alfred Schaeffer. Shkaku është krejt i veçantë: Monzeglio stërviste në tenis Musolinin dhe vetvetiu ai e dorëzon Romën. Ajo është një Romë, e cila që në fillim të Kampionatit 1941-1942 nxiton për të shpalosë synimet e saj. Shfaqet për herë të parë në krye të Renditjes qysh në javën e dytë, teksa fitonte 2-1 me Bolonjën falë golit të Naim Kryeziut në minutën e 83-të.

Një javë më vonë, Roma fiton 2-0 me Juventusin e ndërsa Kryeziu e Lushta janë përballë njeri-tjetrit, Naimi shënon golin e parë. Në Javën 10 Roma, Triestina dhe Venezia kanë nga 13 pikë secila dhe shkëputja bëhet në Javën e 13-të, më 18 janar 1942, ditë kur Roma fiton në Milano 2-0 me Ambrosiana-Inter. Naim Kryeziu ka ndeshjen e tij të shkëlqyeshme, duke qenë autori i të dy golave. Kronika thotë se Coscia ia kalon topin Amadeit, Capellini, Kryeziu dhe 1-0. Është minuta e 45-të. Kur vjen minuta e 85-të, Kryeziu shfrytëzon një goditje këndi prej së cilës mbasi rrëmben topin e kthyer nga portieri i milanezëve Caimo, shënon pranë shtyllës.
Është 2-0, e gjitha një kryevepër kryeziane.

Mbas një jave, ndonëse Kryeziu shënon të vetmin gol, Roma humbet nga Genoa dhe zbret në vendin e tretë mbas Venezias e Torinos. Është një krizë e papritur, por skuadra gjen forca për të rifilluar fitoret. 1-0 kundër Fiorentinës, po prapë humbje kur nuk pritej, 2-4 në Milano nga Milan, edhe pse përsëri gol i Kryeziut. Një javë më vonë, Roma rifillon të fitojë: 2-0 me Atalantën, 1-0 në Venezia, 7-0 kundër Ligurias, ditë kur Lacio i Silvio Piola-s me shqiptarin tjetër në 11-tësh, 20-vjeçarin Loro Boriçi, fiton 2-1 në Genoa duke i hequr çdo mundësi skuadrës genoane që të afrohej në majë të Renditjes.

Kampionati mbërrin ndërkaq, te 90 minutat e fundit dhe Roma ka 40 pikë përballë 39 të Torinos dhe 38 të Venezia-s. Është 14 qershor 1942, dita kur Roma proklamohet për herë të parë Kampione e Italisë. Mjafton 2-0 kundër Modenas në Romë, humbje e Torinos 0-2 në Firence dhe e Venezia-s po kaq nga Lacio. Kryeziu ka luajtur 23 nga të 30 ndeshjet – titullar i padiskutueshëm – e çka është më me vlerë, ka shënuar 6 gola tejet të rëndë- sishëm, gola kthese në ecurinë e Kampionatit, ndër më të fortët në historinë e Italisë. Një shqiptar bëhet për herë të parë Kampion i Italisë, shteti i cili ishte Kampion i Botës, titull i fituar në Kampionatin e fundit Botëror, atë të vitit 1938!

Sipas Bruno Roghi-t, drejtor i “La Gazzetta dello Sport” të epokës, Kryeziu, “është një “realizues magjistral”. Në të vërtetë, Naimi është një pikë referimi. Siç përcakton historiani Fracesco Valitutti, “fundi i këtij kampionati rezervoi të reja të rëndësishme që ndikuan thellësisht për të ardhmen e romanistëve: luajnë me sukses Amadeo Amadei që vinte prej një përvoje atalantine dhe sulmuesi i shpejtë i krahut, shqiptari Kryeziu”. Është ajo që sot e kësaj dite kujtohet si dyshja sunduese e Kampionatit 1942, ajo Kryeziu-Amadei.

Emra të famshëm përmban ndërkaq, 11-shi tip i kësaj Roma ’42, ku posti i krahut të djathtë të sulmit roman mbetet gjithnjë pronë e Naim Kryeziut: Masetti, Brunella, Andreoli, Donati, Mornese, Bonomi, Kryeziu, Capppellini, Amadei, Coscia, Panto. Dhe mbi ta trajneri hungarezi Alfred Schaeffer. Për Romën, ky titull do të mbeste i vetëm për bukur 41 vjet, sepse titullin e dytë ajo do ta fitonte vetëm më 1983!

Nuk mund ta harroj atë mesditë të prillit 1983, kur duke ndenjur në katër sy me Sandro Ciotti-n, radiokronistin legjendar të Italisë, në hotel “Dajtin” e Tiranës, dëgjoja sesi ai më tregonte dialogun radiofonik që kishte pas pak muaj më parë drejtpërsëdrejti në RAI me Naim Kryeziun – Kampionin e vitit të largët 1942. “A keni pasë rast ta dëgjoni?”, më pyeste Sandro Ciotti, teksa më fliste me përcaktimet më të larta për futbollin e Kryeziut e të Lushtës, e madje paksa edhe për futbollin e Loro Boriçit, të cilin e kishte admiruar, në kohën kur Ciotti i ri luante me të rinjtë e Lacio të Romës e Boriçi me të rriturit.

E gjithë kjo bisedë, e cila zhvillohej midis nesh një ditë para ¼ të finale (fundores) të Kampionatit Europian të NEN21, Shqipëri-Itali 0-1, ditë e madhe e futbollit shqiptar, ngjarje e pambërritshme kurrmâ për futbollin shqiptar. Kështu pra, Naim Kryeziu, deri më sot e kësaj dite, është i pari dhe i vetmi shqiptar që fiton një titull të kampionit me një superfuqi botërore të futbollit dhe po i vetmi i cili luajti si titullar në 9 Kampionate të Serisë A, në plot 215 ndeshje dhe 51 gola. Pa harruar edhe 2 kampionate në Serinë B dhe 1 në D nga 1940 deri më 1954, kur 36-vjeçar var këpucët e futbollit, por pa u nda nga fusha e blertë. Do të jetë zbulim dhe formim i tij futbollisti i mirënjohur italian Giuseppe Giannini – 47 herë me Kombëtaren e Italisë të viteve ’80.

Universitar i edukimit fizik për nga diploma, falë studimeve në të famshmin ISEF (Instituti i lartë i Edukimit Fizik) të Romës, Naim Kryeziu arriti të ishte deri trajner i dytë i skuadrës së Romës në periudhën 1962-1965, madje për disa muaj edhe trajner i parë i saj më 1965, duke zëvendë- suar pikërisht trajnerin e shquar të Kombëtares së Italisë dhe të Zvicrës, ish-Kampionin e Botës, Dr. Alfredo Foni. Më 1 nëntor 1964, Roma me 1- 0 Torinos fiton për herë të parë Kupën e Italisë. Çka e rrit më tej poliedricitetin e tij kombëtar e ndërkombëtar futbollistik.

Naimi për herë të parë Kampion i Italisë si lojtar, dhe po për herë të parë fitues i Kupës së Italisë si trajner! “Naim Kryeziu si askush”, siç kam titulluar qysh më 1996, një skicë në një faqe të tanë të “Sportit Shqiptar” që drejtoja. Si një përkim krejt i veçantë, jeta e një njeriu të madh të futbollit e sportit shqiptar u mbyll mû në 70-vjetorin e dukjes për herë të parë të futbollistëve shqiptarë në Serinë A të Italisë. Më 7 janar 1940 debuton Riza Lushta në ndeshjen Bari-Venezia 3-0.

Dy muaj më vonë, më 19 mars 1940 debuton Naim Kryeziu në ndeshjen “e çuditshme” Roma-Bari 4-2, duke pas “kundërshtar” shokun e tij të Sportklub Tiranës, i cili quhej Riza Lushta! Dhe për Kryeziun ndarja nga jeta vjen plot 70 vjet më mbas, në të njëjtin muaj të ndeshjes së parë të tij: mars 1940-mars 2010! Shpesh ky është fataliteti i pashpjegueshëm i jetës së njeriut…

Besnik Dizdari