Një jetë me Vëllaznimin
Në hyrje të shtëpisë dëgjohej Radio Gjakova e ai është i apasionuar me gjërat që e karakterizojnë Gjakovën. Radio e admirimi i pafund për klubin futbollistik “Vëllaznimi” e kanë bërë që jeta e tij të jetë e mbushur me emocione.
Ai është sot 81 vjeç, është ndoshta tifozi më i moshuar në stadiumin e Gjakovës. Sporti i ka mbushur jetën tërë këto vite. Këtë gjë e pamë edhe ne. Qysh në pyetjen e parë kur i tregova se për çka e kishim ndërmend të bisedonim dhe sapo u përmend fjala “Vëllaznim” e “tifozëri”, Myrteza Këndusi apo ndryshe siç njihet në Gjakovë si baca Xaj, nisi të rrefente me dorë në zemer dhe lot në sy.
“Jam simpatizant i flaktë i Vëllaznimit , jam ai që nuk mungojë në asnjë ndeshje, jam ai që gjendem që 64 vite në ulëset e secilit stadion ku ka luajtur Vëllaznimi”- nisi përmbledhjen e jetes së tij e gjitha “kuq e zi” baca Xaj.
Në fakt fjala “tifozëri” nuk e përmbledh pikërisht jetën e tij në krahë me Vëllaznimin. Dashuria e tij për klubin nuk ka qenë e gjitha kaq romantike sa duket, ai na tregon edhe sakrificat sidomos të periudhës së paraluftes.
“Disa herë kam qenë i burgosur për 15 orë në qeli e shumë shpesh edhe në gjykatë me ankesën për kundërvajtje duke mos lënë anash edhe kërcënimet nga policia jugosllave e gjitha kto vetem pse kam brohoritur për klubin tim të zemres”
Baca Xaj tregon dhe momentet kur ka sfiduar moshen duke u përfshirë më shumë se që duhet në emocione. “Jam aq i flaktë saqë ndonjëherë edhe entuziazmi im tejkalohet, bërtas aq shumë saqë kur dal nga stadiumi besoni që nuk kam fuqi për asnjë fjalë”- shprehet ai me një qeshje sikur tregon se një gjë të tillë do e bëj papushim deri sa të ketë zë.
Por, Vëllaznimi gjatë historisë së tij ka kalaur në ulje ngritje, ndërsa moment kur Vëllaznimi kishte rënë nga liga shumë kohë më parë, personashi ynë nuk do e harroj kurrë. Gjatë rrëfimit ai shpesh ndalet dhe merr frymë sikur të njejtin ankth po e ripërjetonte edhe në atë moment.
“Ka ndodhur në 62-shin, ka qenë loja në mes të Vëllaznimit e Besës… ishte minuta e 90-të… lojtari i Besës shënoi gol… më besoni që as nuk kam folur për atë ndeshje nga emocioni e ankthi”-, thotë Baca Xaj tashmë kur lotët i përshkruajnë faqet e tij.
Duke qenë se ai ka kushtuar një jetë të tërë Vëllaznimit nuk mund të kalonte pa rënë në sy edhe nga institucionet. Ai është shpërblyer me epitetin “tifoz i flaktë” nga Kuvendi Komunal i Gjakovës.
Me një artikull për dashurinë dhe kontributin e tij për ekipin hendollistik Vëllanimi, Myrteza Këndusi ka qenë pjesë e një libri kujtimesh që është botuar nga ky klub, të cilin ai e dashuron po aq sa atë të futbollit.
Duke qenë se vitet kanë kaluar dhe Myrtezai e ndjek edhe sot me ëndje ekipin e zemrës dhe i dhemb edhe për gjendjen e tanishme të klubit nuk mund të mos komentoj dhe të shpreh pakënaqësitë e tij.
“Si ka mundësi që sot në futboll e sport hyjnë njerëz që nuk e dinë as domethënien e sportit?” pyet me mllef ai. Pas luftës ai ka qenë i dëshpëruar me sportin kosovarë e sidomos me Superligën e Kosovës dhe ngjarjet jo të këndshme që e kanë shoqëruar këtë garë.
Vëllaznimi tashmë ka rënë nga elita e futbollit kosovar dhe nga sezoni tjetër do garojë në një rang më të ulët. Klubi i dytë më i trofeshëm në Kosovë pavarësisht rrethanave mbrapa ka një armatë tifozësh të cilët e mbështesin në krye të të cilëve qëndron baca Xaj.
Dashuria e tij për klubin është sikur ajo që shohim në filma, gjithmonë me emcione pozitive e negative, por asnjëherë për ta tradhëtuar njëri-tjetrin. Edhe në ligen e dytë në ulëset e para do jetë Baca Xaj duke u kujdesur e përkrahur drejt fitoreve të reja ekipin e Vëllaznimit./radiogjakova/
Fiona Stuja