Një kafe me Ismet Pejën
Një kafe me bilbilin jo vetëm të Kosovës, por gjithë kombit. Një bisedë me Ismet Pejën për të na treguar më tepër nga jeta e tij.
Pa harruar muzikën, ai na flet për disa projekte që i janë dedikuar atij, por edhe ato të tijat. Jep dhe komentin e tij për lidhjen Gjakovë-Shkodër.
Do ta pimë një kafe për 15 minuta ndoshta shpejt. A e pini kafen shpejt apo ngadalë?
Ismet Peja: Jo vallah unë e pi kadal- kadale, për 15 minuta kemi vakt!!!
Si janë mëngjeset për Ismet Pejën? I doni mëngjeset më shumë mesditën, mbrëmjet?
Ismet Peja: Me thonë të drejtën mëngjesi për Ismet Pejën është deri në ora 10 apo 10:30, i shtrim në krevat e mandej i kryej detyrat e shtëpisë. Po më së shumti unë në këtë kohë sidomos kur është vapë unë lëvizi më tepër në mbrëmje edhe kah ora 7- 7:30. Kur të bien flladi unë vend- takimin e kam tek vëllezërit Lul dhe Emin Delia në atë Qebaptoren, shkoj e pi një kafe dhe e ha një akullore me ata jaranët edhe kështu kalon deri kur kthehem në shtëpi në televizion pastaj. Ky është mëngjesi dhe mbrëmja e Ismet Pejës.
Ju në muajin prill të këtij viti keni mbush 76 vjet, plot 61 vjet të karrierës së bujshme të këngëtarit, ju jeni këngëtar i këngëve të vjetra qytetare, por edhe në këtë moshë jeni të pandashëm me këngën, këndoni me gjithë qejf , me gjithë zemër?!
Ismet Peja: Këngës nuk do ja ndali deri sa të marr frymë. Këtë e kam thënë edhe po them edhe tash. Me rastin e 76 vjetorit me 27 prill Presidentja Atifete Jahjaga më dekoroi me medaljen presidenciale për merita dhe për këtë dua ta falënderoj.
Shkodra dhe Gjakova, muzika në mes cili është komenti i juaj?
Ismet Peja: Kishte me qenë shumë e mirë të titullohet Gjakova këndon për Shkodrën dhe Shkodra këndon për Gjakovën. Me 4 mars të këtij viti pata një ftesë nga poeti popullor Ramazan Çeka, i cili është edhe dashamir shumë i fort i muzikës. Më ftoi sepse e kishte shkruar një tekst për Bik Ndojen, legjendën e gjallë të këngës shkodrane, të këngës gjithë shqiptare, kështu që unë atë e quaj reformator të këngës shqipe. Duke ju falënderuar atij, kënga shqipe ka marr hov në gjitha trojet shqiptare, në gjithë botën. Isha i ftuar në Shkodër për ta incizuar këngën për Bik Ndojen. Për mua ishte një privilegj i madh që një këngëtar edhe si veteran, si doajen i muzikës popullore shqiptare siç e thatë për mua, ishte krenari dhe ishte përgjegjësi e madhe të këndoja për Bik Kndojen. Këngën për Bik Ndojen e ka kompozuar Luan Dagimestani, tekstin e ka shkruar Ramazan Çekaj e këndon Ismet Peja. Është një këngë të cilën e kam në 10 blloqe. E kam xhirua në Prill të këtij viti në Shkodër në 12 vende duke u nis prej bunes, prej kafes madhe kështu që atë ditë 3 orë e gjysmë unë e di me shpirt kam këndu por isha krenar që po këndoja për Bik Ndojen.
Keni pasur gjatë realizimit të kësaj kënge dhe të këtij spoti televiziv mjaftë kohë të rrini me Bik Ndojen, me këngëtarin e madh siç e thatë ju. Si e ke ndjerë veten, veterani me veteranin?
Ismet Peja: Me thonë të drejtën kur e shifsha Bik Kndojen i cili muajin e kaluar i ka mbushur 90 vite por me za nuk është sikurse që pikërisht jam unë në këtë moshë, megjithëse dihet ai 90 vite unë 76, por njeri zotëri njeri për me të lënë përshtypje gjatë bisedës, gjithmonë shumë i qetë, shumë i thjeshtë dhe shumë modest. Biku është, njeri që më ka lënë përshtypje dhe shpesh kam qejf dhe e marr në telefon prej merakut veç me ia dëgjua zërin dhe me ia dëgjua fjalët e tij. Kam kaluar me të 3 orë e gjysmë në Shkodër si me qenë 3 minuta e gjysmë mu kanë dukë që kanë kalu ajo kohë.
Lidhmëria e muzikës gjakovare me muzikën shkodrane e ka bërë ndoshta edhe e shtrimja e afërt gjeografike me Shkodrën që të kemi elemente të përafërta ?
Ismet Peja: Me siguri që edhe ajo e ka bërë të veten por duhet theksuar edhe një gjë se, tri qendrat më të njohura në truallin shqiptar Gjakova, Shkodra edhe Korça të gjitha e kanë atë specifiken e vetë të kënduarit edhe të këngëve të veta. Gjakova i ka “Ofait” ndërsa Shkodra i ka “Jaret”, kurse Korça i ka “Serenadat . Shkodra me Gjakovë edhe para qindra viteve kanë pas marrëdhënie tregtare në mes veti plus asaj shumë gjakovarë ke që jetojnë në Shkodër edhe kjo e ka bërë lidhshmërinë e asaj që ne të kemi vazhdimisht lidhshmëri edhe gjatë të kënduarit, sikurse Gjakova që interpreton këngët shkodrane asnjë trevë tjetër në Kosovë nuk i interpreton.
Solistja e shquar Mukadeze Çanga të ka dedikuar një këngë të bukur për ty ?
Ismet Peja: Më të tregu të drejtn kompozitori i kësaj kënge i cili ka shkruar për Ismet Pejën është Ilir Zogu ndërsa i njëjti njeri, Ramazan Çekaj që ka shkruar tekstin për Bik Ndojen ka shkruar edhe tekstin për Ismet Pejën, edhe për mua këtë kangë e këndon pMukadeze Çanga një veterane shkodrane, një këngëtare, një emër e njohur. Për mua ka qenë një nder i madh kur më kanë thënë se Mukadeze Çanga e këndon kurse Ilir Zogu e ka bërë kompozimin Ramazan Çekaj tekstin. Të them se është një tekst me të vërtet që më ka lënë përshtypje jo pse jam unë Ismet Peja e flas tash, mirëpo aq bukur ja kanë qëlluar karrierës time, aq bukur ia kanë qëlluar jetës time një jetë me kangë, kështu që për mua është një privilegj e madhe që Shkodra me ka bërë një kompozim kësisoj. Edhe unë e falënderoj nga zemra edhe Mukadezin e cila në Gjakovë dhe ajo të vie në Gjakovë të këndoj për Ismet Pejën kështu që edhe unë i kam zgjedh disa vende karakteristike ku do xhiroj, këtë xhirim do ta bëj TV Blue Sky me drejtor Gëzim Brahusha i cili e ka bërë edhe spotin për Bik Ndojen. Unë e kam edhe spotin e Bik Ndojes që ma kanë dërguar është një spot jashtëzakonisht i qëlluar i xhiruar nëpër gjithë Shkodrën, në Bunë, te kafja e madhe në ato vendet më të spikatura karakteristike të Shkodrës.
Do të thotë ju jeni duke vazhduar një bashkëpunim të madh me këngëtarët shkodranë ?
Ismet Peja: Me siguri me siguri ata kanë respekt ndaj meje edhe unë kam respekt ndaj tyre.
Një Audio CD që ka vetëm katër këngë për çfarë këngësh bëhet fjalë aty?
Ismet Peja: Unë ju thash kënga e parë është për Bik Ndojen, kanga e dytë është e Shkëlqim Rracit, një klarinetist i orkestrit tonë “Ilir Soba”. Ai e ka bërë një tekst për Ismet Pejën edhe e ka bërë edhe kompozimin edhe orkestrimin. Kuptohet e këndoj unë. “Me këngë të mija jeni rrit”, e ka bërë një tekst jashtëzakonisht të bukur ku më paraqet si një njeri të moshuar që për çdo ditë shkoj në atë kafene dhe e pi një kafe të mëngjesit edhe vjen ajo kamerierja më shërben, por ndërkohë me ndryshimin e asaj kamerieres, vjen një kameriere e re edhe thotë: “ Aty për çdo ditë vi nuk më njeh nuk ke faj se je e re, të lutem pak rri ulu me mua, dy llafe me ti tregu…”. Kështu që është një këngë e shkëlqyeshme tematike e bohemit të këngës popullore shqiptare.
Keni edhe një potpuri me Albert Zhubin?
Ismet Peja: Me të thonë të drejtën kjo është shumë specifike. Albert Zhubi një ditë vjen e ulet në tavolinë e më thotë: baca Ismet , krejt shoqëria po më thonë veç ti nuk e bone një potpuri me Ismet Pejen, krejt këngëtarët e bënë (Labinot Tahiri, Burim Mehmeti, Xhavit Sadiku). I thash mirë more Albert unë jam gati pse nuk më ke thënë. Kur të duash e bëjmë… Tha : a po e bënë zgjedhjen e repertorit. Unë po e bëj zgjedhjen e repertorit nëse ty të pershtatetet ajo, shkojmë edhe e bëjmë.Kështu që me orkestren Qumilat në shtepinë e Hysni Koshit në atë studion e tij e kemi bo xhirimin me Dukagjin Bardhin me teknikë. Është një potpuri shumë e mirë me këngë shumë të bukura të cilat rrallë interpretohen. Duke u nisë prej asaj; “Unë ty moj të kam dashtë”,”Bubullimë te shkambi i Kavajes”, “Vaj si qenka bo dynjaja” etj, kështu që unë në këtë numër të këtyre katër këngëve që janë për herë të parë që dëgjohen e futa edhe këtë potpuri.
A keni ndonjë plan tjetër?
Ismet Peja: Kam plane, por planet, me të thonë të drejtën unë nuk i bëjë shpesh, sepse babai i im perpara më thoshte: “Bon çka ke ndërmend me bo e mos bon plane por bone kur të vjen puna ato me i bo” edhe unë ashtu i bëjë. Kam pas një verë plot punë. Kështu që këtë verë kam pas kënaqësinë të madhe ti këndoj disa kolegëve të mi në dasmën e djemve dhe të vllaut ishte dasma e Labinot Tahirit në Ferizaj më ka thirr mysafir special i ka bërë dy djemtë synet, martoi vllan pas pesë ditëve Shkëlzen Jetishi e martoi djalin Korabin edhe aty ja kam bërë një dasëm që është përmend e kam pas për obligim se Xeni më ka këndu në dasmë të djalit edhe unë i këndova në fejesë dhe në dasëm të djalit. Edhe kështu që me radhë jam duke e zhvilluar aktivitetin tim sepse unë jam sikur akumulatori kur rri mbushna. Kur ja nisi me këndu dy ditë jam thua se nuk kam pas asgjë, hiq nuk ndjejë kurrfarë dhimbje, ndihem shumë i relaksuar. Me këtë po them se kanga më ka mbajt, më mban dhe ka me më mbajt deri sa të jam gjallë.
Bisedoi: Zeki Vehapi