.
Published On: Sun, Aug 25th, 2013

Një shekull jetë aktiv, historia e bacës Dinalush

Share This
Tags

fiona-dinalushiËshtë puna ajo që e mban njeriun. Ajo që i shëndron vitet e pleqërisë në vite të rinisë,  ajo që na e zgjatë e na e bën jetën më të shëndetshme. Xheladin Nushi, i njohur për të gjithë ne si baca Din, baca Dinalush, kujdeset për bahçen e tij skaj përroit të qytetit në lagjen Gërqar të Gjakovës. Punon nga mëngjesi në mbrëmje e asnjëherë nuk lodhet nga ajo edhe pse mbi supe i ‘rëndojnë’ 97 vite.

Ne në këtë shkrim e sjellim bacën Din, si shembullin e jetëgjatësisë që është fryt i mënyrës së të jetuarit dhe të të ushqyerit. “Qysh kur e kemi blerë shtëpinë në këtë lagje, unë kam qenë veçse 4 vjeç e që nga ajo kohë e vetmja gjë që mbaj mend është puna që unë e bëj në bahçen time”, kujton baca Dinalush.

Rrëfimi i tij nis nga jeta shkollore që nuk ishte e njëjtë si për shumicën e fëmijëve tjerë.Ai e filloi atë por e përfundoi po atë vitë. “Unë i kam hyrë kësaj pune qysh se në klasë të parë. Kam qenë në shkollë vetëm në atë vit shkollor e puna ime e vetme ishte t’i ndihmoja babës në punët ditore kështuqë shkolla për mua mbarojë në po atë vit që filloi”, tregon ai.

Ne e gjetëm në bahçe, aty ku ai kalon pjesën më të madhe të ditës e kohës së tij. “Qohem në ora 5:30 të mëngjesit e dal aty.  E nis me pemët e perimet që i kultivoj që një jetë të tërë e përfundon me ndonjë punë tjetër rreth kopshtit”, rrëfen një ditë të zakonshme 97 vjeçari që shpesh e zë edhe nata aty.

Baca Dinalush e ka treguar “sekretin” e jetëgjatësisë së tij dhe shëndetit mjaft të mirë që e gëzon sot. Sipas tij qysh në rininë e hershme ka qenë pjesë e aktiviteve të shumta. “Kam qenë në Shkodër  për më shumë se katër herë në këmbë e kam qenë më i riu prej shokëve. Ecnim gjithë ditën në shi e unë i kam rezistuar edhe asaj kohe”, thotë ai që për shumë të rinj në ditët e sotme vetëm mendimi për një gjë të tillë do të dukej çmenduri e lene më akti.

Xheladin Nushin gjen kohë edhe për diçka tjetër. Ditët e tij pre të moshuari mbushen me jetë edhe kur qëndron në një ambient tjetër. “Jam dervish në Teqenë e Madhe.E kemi me traditë e i pari i teqesë më ka lënë vendin e të parëve të rradhet e njerezve të rëndësishëm të asaj teqeje”,  thotë baca Dinalush duke treguar se edhe pse nuk është çdo ditë aty, ai i përtrinë të gjitha duatë dhe ritet e asaj teqeje.

Duke u kujdesur për bahçen e tij ai e argëton edhe veten. E baca Dinalush, dinë t’ia thotë edhe këngës. Por kënga pa raki, siç e thotë edhe ai vet, nuk shkon. “Pa raki nuk shkon zani. Kangës i’a kam marrë qysh në vitet e mia të rinisë, atë kohë kur me shokët e mahalles kemi pi raki e kemi lënë të agojë dita përmes kangës”, thotë ai.

E pas kësaj që thotë i’a merr dhe këngës për ta vërtetuar që zëri nuk e ka tradhëtuar ende e që ajo e shoqëron çdo ditë kur ai i’a thotë afër hijes së pemëve të larta të bahçes së tij.

Me tregimin për jetën, për punën e përditshme sjell edhe një mesazh për të rinjët. “Puna të mbanë. Jeta pa punë s’ka asgjë. Punoni shumë e ushqehuni mirë se ajo është sherbet për ditët e pleqërisë”, perfundon njeriu më i moshuar e që është akoma aktiv në Gjakovë.

Vullneti dhe energjia që e karakterizojnë bacën Din kur pritet të mbushë një shekull jetë të befasojnë për të mirë. Atë ndodh të mos e shohim edhe tek shumë të tjerë të cilët nuk kanë as çerekun e viteve të tij. Ai vazhdon punën në bahçe, e ne largohemi duke i uruar edhe shumë vite të tjera jetë poaq të bukura e aktive sa ç’i ka dhe sot./radiogjakova/

FIONA STUJA