Rëndësia e lëndës së edukatës fizike dhe sportit
Viti i ri shkollor që nisi këtë muaj erdhi me disa risi, por sa i përket lëndës së Edukatës Fizike ajo vazhdon të mos merret shumë seriozisht nga disa mësimdhënës dhe nxënës. Edhe pse është shumë e rëndësishme për shëndetin e nxënësve, kjo lëndë më shumë shihet si orë e lirë.
Megjithatë, në komunën e Gjakovës vetëm disa shkolla gëzojnë infrastrukturën e duhur dhe kushtet për të zhvilluar si duhet një orë të kësaj lënde.
Arsimtarja e kësaj lënde në shkollën “Yll Morina” dhe “Mazllum Këpuska”, Blerta Rraci, thotë se pavarësisht angazhimit të mësimdhënësve, mungesa e veglave i kushtëzojnë shumë.
“Nëse bëj një krahasim mes dy shkollave ku unë jam mësim, në “Yll Morina” janë të gjitha kushtet dhe s’ka justifikim për mos punë, ndërsa në “Mazllum Këpuska” nuk ka kushte. Megjithatë ne me improvizime mundohemi që të angazhojmë nxënësit”, u shpreh ajo.
Teknologjia ka çuar drejt një jete shumë pasive të gjithë të rinjtë. Kjo ka bërë që ata t’i largohen sportit dhe kjo vihet re edhe nga mësimdhënësit. Blerta Rraci jep alarmin duke thënë se çdo gjeneratë që vjen është më e plogësht, pavarësisht moshës së tyre të re.
“Tani bëhen 10 vite që kur ushtroj profesionin e mësimdhënësit dhe çdo gjeneratë e re nxënësish që vjen, janë më pasivë, më të plogësht. Janë zhytur në botën e kompjuterit, telefonave të mençur apo internetit. Gjatë orëve të mësimit nuk janë në gjendje të kryejnë edhe ushtrimet më të lehta”, thtoë Rraci.
Ajo inkurajon prindërit që t’i shtyjnë fëmijët e tyre drejt sportit pa frikën se kjo do t’i shpërqendrojë nga mësimet.
“Sporti duhet të jetë numër një. Nuk mendoj se qëndron arsyetimi se nuk dua të merret me sport se i lë anash mësimet, përkundrazi mund ta ndihmoj shumë në shkollë. Disa prindër i dërgojnë një apo dy muaj me ndonjë klub, pastaj i largojnë nga aty, edhe kjo është gabim”, vijoi Rraci.
Së fundmi, Universiteti i Sporteve në Prishtinë i ka propozuar Ministrisë së Arsimit që të shtojë numrin e orëve të lëndës së edukatës fizike nga 2 sa është aktualisht në 3 orë në javë si dhe të monitorojë të gjithë arsimtarët e kësaj lënde gjatë orëve të mësimit./radiogjakova/