.
Published On: Wed, Jul 5th, 2017

Rroni sjell remikset e reja… dhe një surprizë!

Share This
Tags

Rron Sadiku, i njohur për remikset e tij, ka publikuar dy krijime të reja. Ai ka miksuar dy këngët e njohura të muzicientit të famshëm suedez Tim Bergling, që gjerësisht njihet me emrin e tij artistik Avicci.

“Superlove” dhe “Last Dance” janë këngët që ai ka zgjedhur t’i punojë për këtë verë, ndërkohë që vazhdon puna në studion e tij për të sjellë të tjera krijime.

“‘Superlove’ dhe ‘Last Dance’ janë krijime të DJ të njohur Avicci. Ato janë publikuar vite më parë, por i zgjodha t’i rikthej në stilin tim”, tha Rroni.

Të gjitha krijimet e tij janë publike në internet, saktësisht në llogarinë e tij në Soundcloud “Ronnybeatz”. Për Ronin, kjo është një dritare që muzika e tij të dëgjohet kudo.

“Jam duke punuar shumë që të arrij në pikën ku unë dua. Do të bëj gjithçka për të synuar tregun ndërkombëtar. Aktualisht në llogarinë time në Soundcloud janë të gjitha remikset e mija dhe aty çdo ditë po shtohen shikimet dhe dëgjimet apo që në gjuhen e internetit njihen si ‘views’”, tregon Rroni.

Ai vijon shkollimin për piano në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” dhe kjo po e ndihmon shumë për punën në studio, sidomos me muzikën që ka zgjedhur të merret.

“Shkolla dhe ajo që punoj në studio e plotësojnë mrekullisht njëra-tjetrën. Mund të jesh i talentuar, por duhet të punosh, ndërsa edhe për të punuar duhet të kesh disa baza teorike. Ndihem shumë i plotësuar, por sigurisht që në të ardhmen mendoj se do të rritem akoma më tepër profesionalisht”, vazhdon Rroni.

Frymëzimin e gjen tek disa prej DJ më të njohur si Martin Garrix apo Tiesto, por qëllimi i tij është të krijojë identitetin e tij.

“Po, e kam thënë që këta DJ më frymëzojnë, bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Por, mundohem të mësoj nga ta dhe të vazhdoj rrugën time, të krijoj identitetin tim në këtë muzike, pra të kem stilin tim”, shprehet ai.

Rroni po përgatit diçka të madhe për këtë vit, por kërkon që të mbetet surprizë. Bëhet fjalë për një album me një artist të madh shqiptar me famë ndërkombëtare.

“Vetëm kam filluar punën për një album me një artist të madh shqiptar. Nuk dua t’ia përmend emrin sepse gjithçka do të zbulohet me kohë. Do të jetë diçka shumë e bukur që besoj të gjithë do ta pëlqejnë. Aktualisht jemi në fillim të punës me njeriun që kam nderin të bashkëpunoj, por puna do të vazhdoj edhe për disa muaj. Nuk mund të them kur do të publikohet albumi apo detaje të tjera. Këmbëngul t’ia lëmë kohës”, thotë Roni./radiogjakova/