Shkolla “Zekeria Rexha” përuron klasën burimore dhe 13 murale
Nxënësit e shkollës “Zekeria Rexha” prej së premtes do të gëzojnë hapësirën burimore që tashmë është krijuar falë bashkëpunimit me organizatën “Save the Children”.
Kjo klasë është ndryshe nga ato të zakonshmet duke nisur nga ambienti, por edhe sa i përket pajisjeve pasi posedon laptopë e projektor.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, drejtori i kësaj shkolle, Pleurat Rudi, tha se këtë klasë mund ta shfrytëzojnë edhe nxënësit me aftësi ndryshe dhe ata me vështirësi në të nxënë.
“Kjo hapësirë ka rrjedh prej një projekti së bashku me ‘Save the Children’ që quhet ‘Së bashku kundër dhunës’ ku është dashur të realizohen 5 aktivitete e një ndër to ka qenë krijimi i kësaj hapësire që ne po e quajmë klasë burimore. Kuptohet që kjo klasë ka nevoje edhe për disa materiale të tjera. Këtë klasë mund ta shfrytëzojnë edhe nxënënsit me nevoja te veçanta dhe atë me vështirësi në të nxënë të cilët bashkë me nxënësit e tjera do të mund të punojmë në projekte apo prezantime të ndryshme”, u shpreh Rudi.
Në shkollën “Zekeria Rexha”, saktësisht në objektin e vjetër, janë përuruar edhe 13 murale që e bëjnë këtë shkollë një ambient më të ngrohtë për fëmijët.
Sipas drejtorit Rudi, janë punuar rreth 80 metra katrorë murale nga arsimtari i artit i kësaj shkolle Fiduli Axhemi të cilit i janë dashur mbi dy muaj punë.
“Kemi dashur ta bëjmë një ambient të këndshëm për nxënësit. Kemi fatin të kemi arsimtarin Fiduli Axhemi i cili me shumë mund e sakrificë ka punuar për dy muaj e gjysmë. Janë 13 murale ose nëse e kthejmë në metra janë afër 80 metra katrorë murale. I kanë dhënë shkollës një pamje krejt ndryshe dhe është një sensacion për fëmijëtë”, shtoi Rudi.
Këto murale i kanë pasuar dekorimet për festat e fundvitit që nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës i kanë realizuar në dyert dhe klasat e tyre./radiogjakova/