.
Published On: Tue, Feb 24th, 2015

S’ka “Mabetex”, por ka 30 mijë euro për Vëllaznimin

Share This
Tags

mimoza-vellaznimiDritë në fund të tunelit për Vëllaznimin?! Ashtu duket. Pas shprehjes së pakënaqësive të mëdha nëpër rrjete sociale nga ana e tifozëve kuqezi për gjendjen e krijuar në KF Vëllznimi, dhe pas kërcënimit të lojtarëve dhe shtabit teknik për bojkotim të garave, ka reaguar edhe Komuna e Gjakovës.

Në një takim mes kryetares së komunës, Kusari-Lila, drejtorit të Sportit, Meriton Ferizi, trajnerit Genc Hoxha, kapitenit Robert Gjeraj, përfaqësuesve të kryesisë së klubit dhe tifozve “Kuqezinjët e Jakovës” është dakorduar që Vëllaznimi t’i vazhdojë garat, ndërkohë që komuna deri të premten (datë 27 shkurt) do ndajë 30 mijë euro.

Kërkesa për kompninë “Mabetex” ka hasur ne vesh të shurdhër, prandaj edhe gjithë ajo fushatë në rrjete sociale duket se nuk ka pasur efekt, pasi 15 mijë euro janë ndarë nga Zyra e Kryetares, ndërsa 15 mijë të tjera nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Në këtë takim u tha se gjendja e rëndë financiare në KF Vëllaznimi është si rezultat i keqmenaxhimit të klubit që nga viti 2007, ku vetëm si borxhe të komunalive (ujë, rrymë, mbeturina) janë trashëguar mbi 100,000 euro dhe kjo situatë e vazhdueshme ka shkaktuar në vazhdimësi probleme të natyrës financiare./radiogjakova/