Të pakënaqur me ndarjen e subvencioneve nga Komuna
Pas vendimit të Komunës së Gjakovës për të ndarë 70 mijë euro për klubet dhe shoqatat sportive të kësaj komune, të pakënaqur me këtë ndarje kanë mbetur ekipet e femrave, anëtare të superligave të Kosovës në hendboll dhe basketboll, nisur nga fakti se të tri klubeve bashkë u janë ndarë 8 mijë euro.
Nisur nga vështirësitë e mëdha materiale, KH Vëllaznimi, ka paralajmëruar mundësinë e mosvazhdimit të garave në Superligë. Menaxheri i këtij klubi, Denis Spahia, për Radio Gjakovën ka thënë se gjatë ditëve në vazhdim, do të ulet kryesia e klubit për të vendosur se çfarë do të bëjë për vazhdimin e garave, nisur edhe nga borxhet e mëdha që ka ky klub.
I pakënaqur me ndarjen e subvencioneve është shprehur edhe sekretari i KH Shqiponja Demë Sadiku, i cili një veprim të tillë e ka quajtur si një padrejtësi të madhe ndaj sportit femëror. Ndryshe, si kemi njoftuar tashmë, nga shuma e gjithëmbarshme prej 70 mijë euro të parapara për subvencionimin e klubeve sportive, komuna e Gjakovës, 15 mijë euro ia ka dedikuar klubit të futbollit Vëllaznimi, kurse klubeve simotra në basketboll dhe hendboll në konkurrencën e meshkujve nga 10 mijë euro./radiogjakova/