Të rinjtë gjakovarë inkurajohen të bëhen gjyqtarë futbolli
Komisioni i Gjyqtarëve i cili është organ i Federatës së Futbollit të Kosovës, gjithnjë është në kërkim të rekrutimit të gjyqtarëve të rinj, femra dhe meshkuj.
Kurset për gjyqtarë mbahen nga Shoqatat Rajonale e Gjyqtarëve të cilat janë nën juridiksionin e Komisionit të Gjyqtarëve. Pasi që gjyqtari ta kompletojë kursin në mënyrë të kënaqshme, ai do të jetë në gjendje të përparojë përmes sistemit.
Për më tepër, nëse arrin progres të vazhdueshëm gjatë viteve, mund të futet edhe në listën e gjyqtarëve apo asistentëve të FIFA-s, e cila i jep mundësi që të referojë ndeshje në të gjitha pjesët e Europës dhe kohë pas kohe edhe ndonjë pjesë tjetër të botës.
Në këtë kontekst dega e Gjakovës e Shoqatës profesionale të Gjyqtarëve të futbollit ka mbajtur takimin informues me gjithë të rinjtë gjakovarë të moshës nga 17 deri në 25 vjeç të interesuar të bëhen gjyqtarë.
Koordinator i degës në Gjakovë është gjyqtari Kreshnik Vula i cili ka inkurajuar të rinjtë që të paraqiten deri me datë 30 gusht./radiogjakova/