Tri histori romantike “Made in Gjakova”
Romantikët janë gjallë. Ata i kemi mes nesh. Në Gjakovë. Ata janë vazhdimisht duke menduar se si t’i befasojnë të dashurat e tyre. A keni kaluar një natë nën driten e qirinjëve ku petalet e trendafilave kanë shoqëruar puthjet tuaja? A keni marrë një propozim në Venecia, apo ndoshta në Paris? Nëse përgjigjja e këtyre pyetjeve është “po” atëherë jeni po aq me fat sa personazhet tona në këtë shkrim, të cilat rrëfejnë historitë e tyre.
“Natë ëndërrash” – Albana Peja e Ilir Muhaxhiri
Sa herë kujton ndonjë surprizë të Ilirit, fytyra e Albanes mbulohet me një buzëqeshje. Ajo të tregon pa u lodhur për cdo detaj, për shumë dhurata që ka marrë nga i dashuri i saj. Rrëfen pa ngurrim për suprirzen e parë kur kishte marrë një arush të madh, që kishte kohë që i pëlqente, apo për oren në diten e të dashuruarve për të cilin kujdeset “si sytë e ballit”.
Por, surpriza më e madhe ishte planifikuar në një mënyrë krejt tjetër me shumë mjeshtëri nga Iliri. “Surpriza më e bukur ishte në shtëpinë e tij. Një dhomë e mbushur me qirinj në formë zemrash e mbuluar me qarqafë të kuq e petale trëndafili. Siper çokollata të vogla dhe dy orët tona, dhuratat e para për njëri-tjetrin”,tregon Albana, duke vazhduar me reagimin e saj. “Sytë i kisha të lidhur me një shirit te kuq dhe momenti kur e pashë atë dhomë, ngela pa frymë. Nuk dija ç’të bëja, vetëm e përqafoja e shtrëngoja me lot lumturie Ilirin i cili po bënte të njëjtën gjë”, thotë Albana, e cila tashmë dashurinë e tyre me Ilirin e kanë kurorëzuar me martesë.
Surpriza erdhi me surpriza. Ajo na tregon se së shpejti do të bëhet edhe nënë dhe kjo është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhte. “Ne do bëhemi prindër të një bebusheje. Me shumë emocion po e presim ditën kur ajo do të jetë pranë nesh”, shprehet shumë e lumtur Albana.
“Propozim venecian” – Sihana Bejtullahu e Adhurim Haraqia
Më thuani një vajzë që nuk do të dëshironte që i dashuri i saj t’i propozonte në një nga sheshet më të bukura të botës, në Itali në qytetin e Venecias. Sigurisht, asnjë. Sihana Bejtullahu ka një histori prej hirusheje.
“Më 14 shkurt të vitit 2012 në Venecia të Italise, për Shën Valentin por edhe për ditëlindjen timë, Adhurimi kishte vendosur që të bënte surprizën e madhe. Ai më propozoi në sheshin më të madh të Venecias, në Piazza San Marco, në një skenë te madhe”, nis rrëfimin Sihana.
“Me mikrofon më ftuan që të hipja në skenë dhe aty më priste Adhurimi i cili kishte aranzhuar edhe një pllakë të madhe ku shkruhej “Will you be mine forever? (Do të bëhesh e imja përgjithmonë?). Mbishkrimi mbahej në duar nga dy agjistarë, ndërsa ishte e vizatuar edhe një hënë në formë zemre e dizajnuar me shumë kujdes nga miku ynë, Ariani” tregon Sihana e cila edhe sot habitet se si nuk kishte arritur të kuptonte gjë ‘parakohe’ për suprizen.
Besoj përgjigjen e Sihanes e dini gjithë. Ajo thjesht ka një porosi për gjithë të dashuruarit dhe jo vetëm. “Do i porosisja të gjithë që të bëjnë sa më shumë dhurata sepse përmes kësaj mënyre ne ju tregojmë më të dashurve tanë se sa shumë i duam dhe sa shumë kujdesemi për ta”, përfundon Sihana.
“Parisi për Elzen” – Elza Guta e Valon Leti
Lëmë Venecian dhe “marrim autobusin e orës 7” për në Paris, ëndrrën e qindra mijëra femrave që shpresojnë të kenë fatin e Elzës, që princi i tyre t’i propozoj poshtë kullës më të famshe në botë, asaj të Eiffel-it.
“Shkuam në Paris. Ishte dita e 10-të e një udhëtimi nëpër Evropë. Vizita e fundit e programuar ishte tek kulla e Eiffel-it. Mezi prisja të bëja një foto aty, pasi është vendi që më pëlqen më së shumti. Shetitja nëpër Paris nga mëngjesi deri pasdite vonë ishte e lodhshme dhe kur erdhi momenti që po afroheshim tek kulla nuk e kisha më atë interesimin që pata në mëngjes”, kujton Elza momentet e fundit para asaj që po e priste e për të cilin ajo se kishte as idenë më të vogël.
“E mbaj mend që isha me shoqen time Kaltrinen e cila po mundohej të më hutonte që unë të mos kuptoja gjë nga surpriza derisa Valoni me miqtë tjerë po bënin përgatitjet e fundit për të”, tregon Elza, që sikur po i përjetonte dhe njëherë ato emocione.
Turma e miqve të tyre tashmë ishin mbledhur si me magji para kullës. Ajo mbërriti e fundit duke shpërndarë turmën për të gjetur në mes të tyre Valonin, i cili mbante në duar dhe në vesh dy lule brenda së cilave fshiheshin unazat. “E di që kam humbur, jam rrënqethur, fillova të dridhesha dhe pa dashur filluan të më rridhnin lotët. U afrova dhe Valoni më tha: A pranon të fejohesh me mua? I thashë pesë herë po”, vazhdon historinë duke qeshur ajo.
“U bëra vajza më e lumtur në botë. E falenderojë së tepërmi të dashurin tim që është aq i kujdesshem e që përveq dashurisë dhe mbrojtjes që ndjej përkrahë tij ai mundohet që gjithmonë të më shohë të lumtur”, shprehet në fund Elza.
Një buqetë me lule, dhuratë ideale
Përveq surprizave të mëdha që tregojnë momente të magjishme, ne mund t’i bëjmë më të dashuritë tanë që të ndjejnë afërsinë dhe romanticitetin edhe me një buqetë lule. “Lulet janë dhurata ideale sepse shumica e femrave i adhurojnë dhe janë romantike në çfarëdo feste”, thotë Blend Berberi, nga dyqani i luleve “Achillea” në Gjakovë.
Ai thotë se çmimet e tyre janë të arsyshme duke pasur parasys faktin se lulet janë të freskta. Ndërkohë, kur e pyesim sa cilat prej tyre preferohen më shumë, Berberi na përgjigjet kështu: “Lulet më të shitura janë trëndafilat e kuq që gjithmonë janë “pre” e të dashuruarve sidomos në ditën e Shën Valentinit për të mos harruar edhe përvjetorët e duke mos lënë anash edhe krizantemat e zambakët e bardhë”, shprehet ai./radiogjakova/
Fiona Stuja