.
Published On: Wed, Aug 9th, 2017

Vëllaznimi vijon përgatitjet, në fundjavë edhe dy miqësore

Share This
Tags

Dhjetë ditë para fillimit të kampionatit të ri të Superligës së Kosovës, futbollistët e Vëllaznimit ndjehen mirë të përgatitur për garat e edicionit vjeshtor.

Shtabi teknik me në krye Ismet Munishin deri më tash ka përfunduar me sukses fazën e përgatitjes fizike dhe taktike duke ushtruar nga dy herë në ditë dhe tash së fundmi është në fazën e përzgjedhjes së futbollistëve që do ta bartin barrën e kampionatit.

Këtë fazë, shtabi teknik me ndihmësit Luan Tabaka, Haxhi Kurhasku dhe Veton Doli po e kombinon me zhvillimin e ndeshjeve stërvitore.

Deri më tash takime të tilla Vëllaznimi ka zhvilluar me Oniks Banjën, Llapin e Podujevës , Vllaznin e Pozharanit, Trepçën ‘89 dhe Prishtinën, ndërkaq gjatë kësaj jave do t’i luajë edhe dy ndeshje të tjera miqësore.

Të premten në Gjakovë luan me 2 Korrikun e Prishtinës, ndërsa të shtunën udhëton në Prishtinë për të luajtur me Ramiz Sadikun.

Ndeshjen e parë në kampionat Vëllaznimi e zhvillon të dielën e 20 gushtit me Lirinë e Prizrenit./radiogjakova/