Agron Peni
Agron Peni është njëri nga kitaristët më të mirë që Gjakova i ka dhënë muzikës shqiptare. Ai vlerësohet dhe respektohet për punen që bën jo vetëm nga komuniteti artistik, por nga gjithë adhuruesit e muzikës.
Emri i tij është i lidhur ngushtë me grupin Latio Band të cilët së fundmi festuan ditëlindjen e tyre të dhjetë. Projekti i tij i fundit pa këtë grup është kënga “Vendit tim”, një dedikim për Gjakovën nga një grup artistësh të prirë nga Shkëlzen Doli.
Në “24 orë”, sic është edhe natyra e kësaj rubrike, Agroni tregon detajet e përditshmërisë së tij dhe jo vetëm kaq, tregon më shumë për muziken që luan.
Në cilën orë bie alarmi i mëngjesit?
A.Peni: Alarmi im bie në ora 10 ose 11, varet.
Cili është mendimi i parë që ju vjen në mendje sapo zgjoheni?
A.Peni: Mendimi i parë është plani i asaj dite.
Ku dhe me kë e pini kafen e mëngjesit?
A.Peni: Kafen e pi te Akademia e Arteve me shokun tim, Meriton Ferizi.
Cfarë ka të veçantë muzika latine që ju ka bërë për vete?
A.Peni: Muzika latine ka të veçantë ritmin.
Cfarë muzike tjetër dëgjoni pos asaj që performoni ju?
A.Peni: Përpos muzikës që luaj, dëgjoj muzikë klasike.
Cfarë muzike nuk e ke në qef?
A.Peni: Nuk e kam në qef muzikën tallava.
Cilin artist e vlerësoni më shumë për punën e tij?
A.Peni: Profesorin tim të kitarës, Xhevdet Sahatçiu. Ai jeton dhe vepron në Kroaci.
Si nisi dashuria për kitarën?
A.Peni: Dashuria për kitarë nisi nga vet prezenca e këtij instrumenti qysh moti në shtëpinë time. Babai im ishte mësuesi i parë në kitare dhe kjo dashuri dhe ky talent për kitarë është trashëguar nga të dy prindërit.
Në qoftëse nuk do merreshit me muzikë, cili do ishte profesioni juaj?
A.Peni: Jam shumë i dhënë pas artit dhe nuk e imagjinoj veten me profesion tjetër, por vetem diçka lidhur me art, ndoshta regjisorë do kishte qenë profesioni më i afërt.
Tre vendet ku do të dëshironit të jetonit?
A.Peni: Madrid, Paris, Brazil në njërin prej këtyre vendeve duke e lidhur gjithnjë me shpirtin e artit jo shumë me bukuritë e tyre.
Në cilën kohë do të doje të kishe qenë?
A.Peni: Në periudhën e renesancës.
Pas një dite të lodhshme punë, ku është vendi ku preferoni të çlodheni?
A.Peni: Preferoj të jem në shtëpinë time në qetësi.
Cilen sjellje do e ndryshonit tek vetja?
A.Peni: Do e ndryshoja ndrojtjen e të folurit rreth vetes.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më shpesh?
A.Peni: Zakonisht kur flas më kanë thënë që e përdori shpesh fjalën “a din” .
Kur nervozohesh si e qetëson veten?
A.Peni: Në rastet kur nervozohem e të cilat janë të shpeshta, mjafton kapja e kitarës dhe ndihem më i qetë.
Koncertin e kujt ke dëshirë ta ndjekësh nga afër?
A.Peni: Nga afër kisha pas dëshirë ta ndjek një koncert të kitaristit botëror , Paco de Lucia.
Cila është motoja juaj në jetë?
A.Peni: Vlera e një personaliteti të dëshmohet me punë, e jo me fjalë apo me letra boshe.
Për fund?
A.Peni: Shpresoj që në të ardhmen e afërt arti të vlerësohet shumë më shumë dhe jo të mbetet si tash, i pushtuar nga antivlera.
Fiona Stuja/radiogjakova/