.
Published On: Thu, Jul 19th, 2018

Debati publik në Gjakovë, Kusari-Lila kritikon qeverisjen lokale dhe qendrore

Share This
Tags

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e shoqëruar nga anëtarë të këshillit drejtues të këtij subjekti politik dhe kryesia e asamblistë të degës së Alternativës në Gjakovë të mërkurën mbrëma kanë mbajtur një debat publik me qytetarët e Gjakovës.

Ajo ka qenë shumë kritike ndaj qeverisjes në qendër dhe në Gjakovë duke thënë se Komuna e Gjakoves  nuk ka përfituar asgjë nga fakti se kryetari vjen nga e njëjta parti si ajo e kryeministrit, përkundrazi në rishikimin e buxhetit janë tërhequr investime në vlerë prej 19 milionë euro.

Kusari-Lila shtoi se vetëm falë insistimit të saj si deputete e Kuvendit të Kosovës përmes Komisionit për Buxhet e Financa janë kthyer mjetet për projektin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, Qendrën Kulturore në Rogovë të Hasit dhe për shkollën në Korenicë.

Ajo theksoi se është shkurtuar dukshëm buxheti për Qarkoren e qytetit nga 25 milionë në 6 milionë euro për tri vitet e ardhshme, njëjtë siç ka ndodhur me buxhetin për fushat e tenisit.

Po kaq kritik është treguar edhe kryetari i degës së Alternativës në Gjakovë, Gurakuq Dobruna. Ai tha se qeverisjen lokale e karakterizon mos transparenca dhe punësimet partiake.

Duke përmendur Qendrën për Informim, Dobruna u shpreh se shumë profesionistë në Komunë janë zëvendësuar me militantë partiakë, ndërsa në arsim mësimdhënësit që dalin në pension zëvendësohen me të afërm të njerëzve të partisë në pushtet.

Para këtij takimi me qytetarë, Kusari-Lila me bashkëpunëtorë qëndroi edhe në ambientet e reja të shoqatës “Handikos” ku u takua me drejtues të kësaj shoqate dhe me familjarë të personave me aftësi të kufizuara. Kusari-Lila u nderua me mirënjohje për angazhimin e saj në përmirësimin e kushteve të punës së kësaj shoqate./radiogjakova/