.
Published On: Thu, Jul 19th, 2018

Gjini, takime të ndara me BERZH dhe ministrat Lekaj e Hamza

Share This
Tags

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, së bashku me ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj, në dy takime të ndara ka takuar përfaqësuesit e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ministrin e Financave, Bedri Hamza.

Qëllimi i takimit me përfaqësuesit e BERZH-it ishte përforcimi dhe ngritja e stadit të zhvillimeve për projektet infrastrukturore në Gjakovë, sidomos të atyre që shihen me prioritet nga ana e Komunës e që ka nevojë për mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës.

Gjatë këtij takimi, Lekaj tha se Ministria e Infrastrukturës do të bëjë më të mirën e mundshme që projektet e premtuara gjatë memorandumit të nënshkruar muaj më parë me Komunën e Gjakovës të përfundohen sa më shpejtë të jetë e mundur dhe të mos ketë stërzgjatje të panevojshme, pavarësisht procedurave të cilat ndonjëherë shkaktojnë vonesa.

Gjakova po pret nga Ministria realizimin e Qarkores së qytetit, hyrje-daljeve për Prizren, Prishtinë dhe Pejë, Autostradën e Dukagjinit dhe disa rrugë rajonale për të cilat puna ka filluar ose pritet të fillojnë.

Ndërsa, kohë më parë, Komuna kishte kërkuar nga BERZH-i ndihmën në realizimin e 4 projekteve të tjera infrastrukturore në vlerë prej 8 milionë euro, ku kryesori ishte ai i daljes për Deçan.

Në takimin tjetër, atë me ministrin e Financave, Bedri Hamza, është biseduar për dy projekte të tjera të rëndësishme, atë për kanalizimet, posaçërisht për fshatin Cërmjan si dhe për ndërrimin e tubave të rrjetit të ujësjellësit që aktualisht janë prej azbesti.

Projekti për tubat është i një rëndësie të veçantë dhe kap vlerën e 12 milionë eurove. Ky investim do të ndihmonte edhe në eliminimin e humbjeve të ujit të pijshëm. Sipas kryetarit Gjini, të dy projektet janë shumë afër finalizimit për çfarë ka falënderuar Qeverinë e Kosovës./radiogjakova/