.
Published On: Mon, Nov 20th, 2017

ARDIAN GJINI – KRYETAR I GJAKOVËS

Share This
Tags

Ardian Gjini është kryetar i ri i Gjakovës. Qytetarët e komunës zgjodhën kandidatin e AAK-së në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale që u mbajtën të dielën.

Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga KQZ, Gjini ka marrë 21 mijë e 607 vota ose 53,49% kundrejt 18 mijë 791 votave ose 46.51% të ish-kryetares dhe kandidates së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Menjëherë pas konfirmimit të fitores nga KQZ, Gjini iu drejtua qytetarëve të komunës së Gjakovës duke thënë se do të jetë kryetar i të gjithëve pa dallim, njëjtë siç ka qenë motoja e tij politike.

“Po aq sa jam i lumtur dhe i gëzuar që kam marrur besimin tuaj, aq ndjej edhe përgjegjësi për 4 vitet qe vijnë, që nga ky çast. Mesazhi im kryesor gjatë kësaj fushate ka qenë bashkimi i njerëzve, kjo ide do të më prijë gjatë 4 viteve. Qytetarët e Gjakovës kanë treguar se e mbështesin vizionin tonë për bashkim. Në të njejtën kohë, të gjithë atyre që ndjehen humbës ju premtoj se krejt çka kanë humbur është një garë politike. Unë dhe të gjithë kolegët e mi do të kujdesemi që asnjë qytetar i Gjakovës të mos jetë humbës por të gjithë fitues”, tha Gjini.

Në konferencë për media u paraqit edhe kundërkandidatja e Gjinit, Kusari-Lila që pranoi humbjen dhe falënderoi të gjithë votuesit e saj për mbështetje.

Ndryshe, sipas KQZ-së, pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në komunën e Gjakovës ka qenë 35.85% ose 41 mijë e 21 persona të cilët kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar./radiogjakova/