.
Published On: Thu, Mar 29th, 2018

Biografitë e 6 heronjve të Kosovës

Share This
Tags

Prej të enjtes, Gjakova do të ketë 6 heronj të tjerë të dekoruar. Vendimi i Presidentit Hashim Thaçi mori jetë të enjten pasdite kur familjarët e këtyre heronjve morën zyrtarisht titujt që nderojnë bijtë e tyre.  Radio Gjakova ju sjell pak nga biografia e këtyre 6 heronjve.

PERMET Ilir VULA
Permet Vula lindi më 8 prill 1978 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Kishte dëshirë të madhe të regjistrohej në Akademinë Ushtarake në Tiranë. Ishte sportist i dalluar, qoftë si peshëngritës, qoftë si futbollist. Permeti po rritej në vorbullin e trazirave, të vuajtjeve, të keqtrajtimeve të popullit shqiptar, nga gjakpirësit shekullore serbë. Terrori dhe dhuna dita më ditë shtohej ndaj shqiptarëve. Kjo e mundonte shpirtin e ri të Permet Vulës. Në të njëjtat valë shqetësimi dhe dhune notonte edhe Gjakova. Pikërisht familja Vula në këtë tragjedi të fundit tregoi trimërinë dhe urrjetjen ndaj pushtuesit serb, ndaj armikut qindvjeçar, e sidomos heroizmi i Permet Vulës së ri. Shtëpia e dëshmorit në Gjakovë ishte bërë një burim trimash dhe njëkohësisht pikënisje për t’iu bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e tregoi Permeti kur bashkë me 12 shokë të tjerë nga Gjakova iu përgjigjën ftesës për rreshtim në radhët e UÇK-së për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga thundra serbe. Ishte dita e 18 prillit 1998 kur Permet Vula u inkuadrua në këto radhë, në fillim si ushtar fronti, në Njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit. Pra, Permet Vula është ndër të parët luftëtarë nga Gjakova që iu bashkangjit radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan të Deçanit. Derisa Permeti ndodhej në radhët e ushtrisë, shpesh e vizitonte i ati, Iliri. Në këto raste Ilir Vula u jepte kurajo jo vetëm të birit, Permetit, por edhe luftëtarëve të tjerë, se vetëm kështu do ta çlirojmë Kosovën nga okupatori shekullor. Në luftimet që u zhvilluan në këtë kohë, Permet Vula u dallua. Këtë e tregoi edhe më 10 gusht 1998 në Luftën e Junikut, aty ku egërsira serbe kishte arritur kulmin, por ndeshej me trimat e UÇK-së që nuk e përfillnin forcën serbe. Në luftën e ashpër që u zhvillua në Junik, bie në altarin e lirisë Permet Vula, bashkë me luftëtarët e tjerë, si Bekim Berishën – Abenë, Elton Zherkën, Bedri Shalën etj. Bien për të mos vdekur kurrë këta bijë të Kosovës. Sot, trupi i dëshmorit, Permet Vula, prehet në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë.

ELTON Gëzim ZHERKA
Elton Zherka lindi më 19 gusht 1977 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje ku ishte një ndër nxënësit më të dalluar në mësime dhe në sjellje. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik. Si fëmijë e donte sportin. Ushtroi për karatist dhe në badibilding. Në moshën 17-vjeçare e vërejmë bukurinë e trupit të tij, të bindur se mund të sfilojë në sfilatat e modës. Mirëpo, Eltoni e ndjente peshën e robërisë që nga bankat shkollore. Në demonstrata dhe revolta gjithnjë ishte i pari. Është kjo një kohë kur babanë e tij, Gëzimin, pushteti serb e kishte dënuar me 13 vjet burgim. Në disa vise të Kosovës kishin dalë në skenë djemtë e lirisë, ata që do të mbanin mbi supe tërë fshatin e kombit deri në fitoren përfundimtare. Eltoni futet në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” duke dhënë ndihmë për popullatën e pafajshme dhe të pambrojtur. Dhe, pikërisht 18 prilli 1998, së bashku me 12 djem gjakovarë, është ditë e inkuadrimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit, përkatësisht në fshatin Gllogjan që ishte vullkani i gjithë ngjarjeve dhe luftimeve për Rrafsh të Dukagjinit. Nga këta 12 luftëtarë, tre prej tyre bien në altarin e lirisë. Dhe, për afër katër muaj sa qëndroi dhe luftoi në Njësitin e tij “Komando”, Elton Zherka u dallua ndër bashkëluftëtarë. Ishte luftëtar i denjë dhe epror i dalluar. Lufta dhe heroizmi i tij i fundit, është ai në Luftën e Junikut, të datës 10 gusht 1998, ku në një luftë të ashpër, ballë për ballë me forcat serbe, bie në altarin e lirisë bashkë me trimat e paepur Bekim Berishën – Abeja, Bedri Shalën, Përmet Vulën, duke mbrojtur Kosovën nga represaljet serbe, të cilat Kosovës nuk iu ndan një shekull me radhë. Kështu, Elton Zherka, ia ngriti vetvetes lapidarin e lirisë, në zemrat e gjithë atyre që e njohën dhe atyre që dëgjuan për të. Kjo është rilindja e tij për të mos vdekur kurrë. Trupi i tij pushon në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë.

ILIR Mazllom SOBA
Ilir Soba lindi më 28 prill 1971 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje intelektuale, prej babait Mazllom dhe nënës Serbeze, që të dy mësues në pension. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Si nxënës i klasës së katërt Ilir Soba në fletore kishte vizatuar hartën e Shqipërisë etnike. Mësuesja ia kishte shkyer fletën e fletores. Iliri ishte nervozuar shumë. Vetëm me ndërhyrjen e prindërve mësues qetësohet shpirti i Ilirit të ri. Pas shkollës së mesme u regjistrua në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Elektrotenik, dega e Automatikës. Por, në vitin e tretë u detyrua t’i ndërprejë studimet dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pikërisht më 25 maj 1998 në Shtabin e Gllogjanit përkatësisht në ZOD-it. Ilir Soba ishte i guximshëm, sypatrembur. Me pietet e kujtojnë dhe flasin për trimërinë e tij bashkëluftëtarët dhe bashkëvendasit e tij. Madje, Ilir Soba ishte ndër të parët gjakovarë që u inkuadrua në UÇK. Në Gllogjan kreu stërvitjet ushtarake nën drejtimin e kapitenit Dritan Zeneli, tani dëshmor i kombit. Pas këtyre stërvitjeve nga Shtabi Operativ për Rrafshin e Dukagjinit në  krye me komandantin Ramush Haradinaj u ngarkua me detyra të ndryshme, të cilat i kreu me sukses. Mori pjesë në vijën e parë të frontit në luftimet që u zhvilluan në Prejlep, Prekolluk, Lumbardh, Broliq, Jabllanicë të Gjakovës etj. Më 17 tetor 1998 kur forcat serbe u vendosën në fshatin Kralan të Gjakovës, zonë kjo që deri atë ditë kontrollohej nga vëzhguesit e UÇK-së u bë konfrontim i hapur me forcat serbe. Po atë ditë në luftime mori pjesë edhe Ilir Soba. Të nesërmen, më 18 tetor, Ilir Soba u nis me luftëtarët që të zënë pozicionet në fshatin Kralan, me qëllim që t’i pengojnë depërtimet e ushtrisë serbe drejt bazave të UÇK-së në fshatrat e Dushkajës, si: Jabllanicë, Zhabel, Bardhaniq, Gërgoc, Maznik etj. Këtu u zhvillua një luftë e ashpër. Nga forcat serbe pati të vrarë e të plagosur. Pas kësaj beteje forcat e UÇK-së u kthyen në bazë. Por, Ilir Soba mungonte. Ai ra në fushë të nderit, gjoks për gjoks me forcat e armikut serb.

SADEDIN Hysen SHEHU
Sadedin Shehu, i ashtuquajturi Baba Sheh lindi më 16 shkurt 1958 në Gjakovë. Babai i tij, Sheh Hyseni, që në fëmijëri i rrëfente për trimat dhe qëndresën e gjakovarëve në luftë kundër armiqve serbomalazez. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Në fillim u punësua në ndërmarrjen “Dukagjini” ku punoi deri më 1981. Për shkaqe ekonomike, dëshmori Sadedin Shehu u detyrua të emigrojë në Belgjikë. Atje punonte dhe mbante familjen. Më vonë me familje kaloi në Gjermani. Por, krismat e para në Kosovë, Sadedinit ia prishën rehatinë. Zemra i digjej për Kosovën dhe lirinë e saj. Të gjitha këtyre ua ktheu shpinën, duke lënë gruan dhe tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë, dhe erdhi në Kosovë. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u inkuadrua në qershor të vitit 1998 në Gllogjan të Deçanit si ushtar. Nën komandën e komandantit Ramush Haradinaj, dëshmori dhe trimi Sadedin Shehu mori pjesë në të gjitha fushëbetejat e Rrafshit të Dukagjinit: në Junik, Kralan, Prejlep, Hereç, Gllogjan, Carrabreg, Jabllanicë etj. Por, nuk ishin të pakta as udhëtimet e tija nëpër Alpet shqiptare duke përcjellë njerëz, por edhe duke furnizuar me armë popullsinë. Kur erdhi nga Gjermania, Sadedin Shehu solli armatim me vete. Ishte në përcjellje të humanistes Selli Beker dhe shumë fëmijëve. Megjithatë, Sadedin Shehu me shokë arriti që fëmijët t’i nxjerrë nga kthetrat e armikut, ndërsa Selli Beker dhe një grua u zunë. Dita e 19 nëntorit 1998, në mëngjes, e gjeti Sadedin Shehun me katër shokë tjerë në rrugë në fushë të minuar nga forcat serbe duke kaluar kufirin shqiptaroshqiptar, në vendin e quajtur Bokë e Devës. Katër prej tyre u plagosën, ndërsa Sadedin Shehu mbeti i vrarë. Trupi i tij u zhduk nga forcat serbe. Mirëpo, vendi i nderit në altarin e lirisë u plotësua edhe me një trim të paepur, me një dëshmor të lirisë së Kosovës.

BUJAR Haki ROKA
Bujar Roka lindi më 21 janar 1974 në Gjakovë. Rrjedh nga një familje e ndershme dhe e nderuar gjakovare. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Për shkaqe ekonomike nuk i vazhdoi studimet. Prindërit, Haki e Sadije Roka kishin pesë fëmijë: dy djem dhe tri vajza. Si i ri, mori pjesë në të gjitha protestat dhe revoltat që u zhvilluan në Gjakovë gjatë viteve ’89-’91. Gjithnjë me shokë bisedonte, e madje edhe i frymëzonte ata me fuqinë e fjalës rreth problemit të Kosovës, vuajtjeve të saja nën regjimin serbosllav. Qysh në rini e kishte ndier peshën e robërisë. Zemra djaloshare e tij do ta gjente qetësinë vetëm në folenë e Shqiponjës, atje ku këmba e serbit nuk arrinte dot, atje ku do të bënte betimin nën flamurin kombëtar, në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, në të cilën u inkuadrua më 17 qershor 1998. Në fillim e gjejmë të sistemuar në Shtabin e Dukagjinit në Gllogjan. Aktiviteti i tij luftarak ka shtrirje të gjerë në shumë pjesë të Dukagjinit. Ai ishte në Dushkajë, në Gllogjan, me armë në dorë, në shërbim të kombit, duke furnizuar me armë, në udhëtime të shumta e të rrezikshme, në borë e në shi, por me vullnet të çeliktë. Kulmi i terrorit serbosllav Bujar Rokën do ta gjente në Dushkajë i sistemuar në Brigadën 132 “M.Zeneli”, si komandant kompanie, e cila vepronte në vijën e frontit në Gergoc të Gjakovës, ku mori pjesë në të gjitha betejat që i kreu kjo kompani në këtë rajon deri më 28.3.1999. Por, kur u dogj qyteti i tij i lindjes, Gjakova, ai do ta linte Brigadën 132 dhe me detyra emergjente do të hynte në Gjakovë për të mbrojtur popullatën e pambrojtur. Më 28 mars 1999 hyn në pjesën perëndimore të qytetit. Këtu edhe formohet Brigada 137 “Gjakova”, kryesisht me luftëtarët nga ky qytet, por edhe të tjerë. Këtë e bëri me urdhër të komandantit Ramush Haradinaj, sepse qyteti duhej të mbrohej nga brenda. Kështu edhe veproi dëshmori Bujar Roka. Ofensivat serbe ishin të egra. Ato dogjën çdo gjë, shkretëruan qytetin, Gjakovën, në njerëz dhe në infrastrukturë. Dita e 7 majit 1999 ishte një ndër më të rëndat. Beteja zhvillohej ballë për ballë me forcat serbe, ditë kjo kur edhe bie heroikisht dëshmori Bujar Roka, duke lënë prapa lavdinë për shokët, Gjakovën dhe mbarë Kosovën. Tash bashkë me dëshmorët nga Gjakova prehet në Varrezat e Dëshmorëve në qytetin e lindjes.

HAMËZ Hysen ZYMBERI
Hamëz Zymberai lindi më 16 maj 1976 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe atë të mesme i kreu në vendlindje. Rrjedh nga një familje e cila shpesh u keqtrajtua nga policia dhe sigurimi serb. Ishin të keqtrajtuar dhe të përndjekur. Prindërit Hysen dhe Time Zymberaj kishin pesë fëmijë: tre djem dhe dy vajza. Vëllai i dytë, Shpëtimi, u detyrua të largohet nga vendlindja, vetëm t’u shpëtojë ndjekjeve të pushteti serb. Edhe vëllai tjetër, Xhaferi, çdo ditë përleshej me serbët lokalë në Gjakovë. Kështu që familja Zymberi ishte gjithnjë në sy të policisë. Vëllezërit Zymberi ishin gjithnjë në ballë të protestave e demonstratave në Gjakovë në vitet ‘89 e ‘91, kundër okupatorit serb dhe dhunës që ushtronte ai ndaj shqiptarëve. Edhe kur e këshilluan Hamzën pas vitit 1989 që të largohet nga vendi, ai vendoshmërisht ishte përgjigjur: “Nëse dikush duhet të largohet nga vendi, atëherë duhet të largohet shkau, e jo unë”. Dhe vjen dita e shpresë për dëshmorin Hamëz Zymberi,  dita e 22 janarit të vitit 1999, kur inkuadrohet në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për të luftuar kundër pushtuesit serb, të cilin aq shumë e urrente. Në fillim iu besua detyra e ushtarit të furnizimit, në Brigadën 132, për të kaluar më vonë në Brigadën 137 “Gjakova”, më 28.3.1999. Pas shumë luftimeve, në vendlindje, (Gjakovë) ku përkrah shokëve dhe trimave të UÇK-së në një ndeshje me forcat serbe, bie heroikisht më 16 maj 1999 në fshatin Madanaj, afër Gjakovës, pikërisht në ditëlindjen 23. Kështu e kremtoi ditëlindjen dëshmori Hamëz Zymberi, në altarin e lirisë së Kosovës. Trupin e tij e varrosin në fshatin Dobrosh, komuna e Gjakovës, aty nën hijen e pishave, për të qëndruar i freskët përherë kujtimi për të.

Shënim: Biogratë janë marrë nga shënimet “Të pavdekshmit e Dukagjinit – Dëshmorët e UÇK-së të Zonës operative Dukagjinit (ZOD); Trupat e Mbrojtës Kosovës(TMK), Zona III, Pejë, viti 2002”