.
Published On: Fri, Nov 1st, 2013

Gjakovën e kam jurinë kryesore

Share This
Tags

florent-abrashiAi la sy e gojë hapur të katër panelistët. Florent Abrashi nga Gjakova që jeton në Prishtinë ka befasuar të gjithë me zërin e tij kur doli për herë të parë në episodin e tretë të “The Voice of Albania”.

Ja çfarë tregon Florenti për përshtypjet, pritshmëritë dhe emocionet kur u bë pjesë e garës së fortë mes talentëve shqiptarë. Në këtë intervistë Florenti shprehet i lumtur që është pranuar dhe tejet i gatshëm për t’a vazhduar sa më gjatë ecurinë e këtij formati.

Jemi të bindur në talentin e Florentit, me një eksperiencë të mëhershme me muzikën “The Voice” do t’i jep një shtysë të madhe karrieres së tij.

RGJ: Çfarë është muzika për ty?

Florent Abrashi: Muzika për mua është më shumë se hobi, është diçka që më mban gjallë, më mban të kthjellët, më deh, më çmend, më qetëson, pra prek çdo aspekt të mendjes sime. Hyrja në botën e muzikës ka qenë një prej vendimeve më të mira të jetës sime.

RGJ: Për çfarë do të shërbej më së shumti pjesëmarrja tek “The Voice”? 

Florent Abrashi: Më së shumti e shoh si mundësi për të arritur tek masat e mëdha të publikut, pasi që performancat e mia “live” deri tani kanë qënë të kufizuara në qytetet e ndryshme të Kosovës, por nëpërmjet këtij formati kam arritur të prek shumë njerëz të pjesëve të ndryshme të Shqiptarisë në përgjithësi.

RGJ: Na përshkruaj momentin kur anëtarët e jurisë kthehen përpara teksa ti këndoje? 

Florent Abrashi: Momenti deri sa është kthyer anëtarja e parë e jurisë, Alma, ka qenë shumë stresues normalisht, dhe të gjithë koncentrimin e kam pasur tek kënga, sepse i ka disa momente teknike që nevojitet koncentrimi i plotë, por pasi u kthye Alma, jam liruar dhe morra sigurinë që më duhej që të jepja një performancë të plotë. Ndërsa momenti kur pashë të gjithë anëtarët e kthyer nga unë, ishte momenti më i bukur ndoshta i karrierës sime, një shpërthim adrenaline, nuk mund t’a besoja që 4 gjigantë të muzikës shqipe po ziheshin për të punuar me mua.

florent-abarashij.pg

RGJ: Pse e zgjodhe Sidritin? 

Florent Abrashi: Një nga arsyet më të forta pse zgjodha Sidritin është personaliteti i tij në skenë, pasi që dihet që Sidriti është një kameleon i zhanreve të ndryshme të muzikës dhe karriera e tij shtrihet nga muzika klasike, e deri në heavy metal dhe thjesht e gjeta vetën tek krijimtaria dhe përvoja e tij, për atë edhe e zgjodha. Arsyeja tjetër pse unë zgjodha Sidritin është përgatitja akademike që ai ka, gjë që mendoi që i ndihmon shumë trajnimit të konkurrentëve, sidomos atyre meshkuj.

RGJ: Çfarë konkurrence e pret në “ The Voice”?

Florent Abrashi: Konkurrenca në “The Voice” do jetë shumë e fortë, pasi që sivjet ka shumë këngëtarë të formuar, këngëtarë me përvojë, aty e shoh konkurrencën më të madhe, ka shumë zëra të ndryshëm dhe e gjitha varet nga vizioni i trajnerëve tonë se kujt do t’i jepet shanca për të përparuar. Skuadra e Sidritit sivjet është veçanërisht e vështirë pasi që ka këngëtarë të të gjitha zhanreve, por shpresojmë që performancat e mia të jenë të kënaqshme që të shkoj përpara.

RGJ: A e ke të domosdoshme fitoren?

Florent Abrashi: Fitorja do të ishte kurorëzimi i gjithë këtij mundi dhe stresi e lodhjeje, por nuk është gjithçka që unë pres, deri më tani kam fituar më shumë se sa kam pritur, duke filluar nga shokë dhe shoqe të reja shumë të talentuara, si dhe këshilla dhe truqe të ndryshme të skenës së madhe, pra jam shumë mirënjohës nga ajo që kam marrë deri tani. Çka do që të vijë në fund, do ta shijoj deri në maksimum, dhe do ta jap 100%-in tim gjithmonë.

RGJ: Çfarë mendon se do të ndodhë me jeten tënde pas “ The Voice”? 

Florent Abrashi: Pas “The Voice” shpresoj që t’i dedikohem sa më shumë krijimtarisë personale, me këngë apo albume të ndryshme, por edhe disa projekte që i kam ëndërruar që moti.

RGJ: Kush është inspirimi më i madh në jetën tënde?

Florent Abrashi: Inspirimin tim e marr në disa mënyra prej disa personave në jetën time, në sfera të ndryshme. Sa i përket muzikës, bazat e muzikës dhe kitarës  kam mësuar nga profesori im që kam nderin ta quaj edhe shok, Agron Peni, kitaristi i grupit Latino Band i cili për vite me radhë ka qenë inspirimi im sa i përket kitarës dhe filozofisë të të bërit muzikë, ndërsa sa i përket këndimit dhe muzikës rockkëngëtari Richard Marx më inspiron jashtë mase, pasi që i përmbush të gjitha dispozitat apo kërkesat që unë kam nga një artist: është kantautor, multi-instrumentist, tekst-shkrues, pra jashtëzakonisht i talentuar.

RGJ: Qytetin e Gjakovës a e sheh si vendin që mund të të ofroj përkrahjen më të madhe?

Florent Abrashi: Qytetin e Gjakovës gjithmonë e kam parë si jurinë kryesore dhe jam munduar në maksimum që t’i kënaq si publikë, dhe normalisht shpresoj në mbështetjen e tyre gjatë këtij konkurrimi, por do të doja që mbështetja e tyre të vie jo vetëm nga arsyeja që unë vi nga Gjakova, por të jetë si pasojë e këndimit tim./radiogjakova/

EDEA BLYTA