Kusari-Lila viziton Ngrohtoren e Qytetit
Kandidatja për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari Lila vizitoi të hënën Ngrohtoren e Qytetit, ku nga menaxhmenti është njohur me gjendjen në këtë kompani publike komunale, si dhe për ecurinë e rimëkëmbjes pas problemeve që janë trashëguar me vite.
Punëtorët e kësaj ndërmarrje kanë përshëndetur angazhimin e Kusari Lilës sa ishte kryetare, por njëherit e kanë njoftuar edhe më vështirësitë, kryesisht, që po kalojnë në sigurimin e të ardhurave personale.
Punëtori Bujar Shala ka thënë se kjo ndërmarrje u ka borxh edhe 9 paga, ndërsa ka kërkuar angazhim në gjetjen e një zgjidhje për t’u dalë në ndihmë punëtorëve.
Në anën tjetër drejtori i Ngrohtores së Qytetit, Admir Shala ka thënë se Komuna ka kryer gati në tërësi obligimet ndaj ndërmarrjes , përfshirë edhe ato të akumuluara ndër vite, ndërsa ka siguruar punëtoret se shumë shpejt do të marrin edhe dy paga, kurse deri në pranverë edhe pjesën tjetër të mbetur.
Ish-kryetarja e Gjakovës në mandatin e kaluar, Mimoza Kusari-Lila gjatë këtij bashkëbisedimi me punëtorët e Ngrohtores, nuk ka lënë pa përmendur angazhimin e saj që nga fillimi i mandatit të kaluar qeverisës për të shndërruar Ngrohtoren në një ndërmarrje model.
Ajo me këtë rast ka përmendur ndërtimin e Ngrohtores së re për të cilën ka thënë se përveç që do të zgjidhë problemin me ngrohje do të hap edhe vende të reja të punës./radiogjakova/