Çaushi viziton Stacionin e Autobusëve
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Gjakovës, Driton Çaushi, vizitoi Stacionin e Autobusëve, ku me menaxhmentin e kësaj ndërmarrje publike diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në rast se qeverisja e ardhshme 4-vjeçare iu besohet atyre.
Çaushi tha se Vetëvendosje ka qenë gjithmonë pranë Stacionit dhe i njeh shumë mirë problemet me të cilat ballafaqohen, por shtoi se kjo ndërmarrje publike, në rast se ai zgjidhet kryetar, Komunën do ta ketë një aleat me të cilin do të shtyjnë përpara shumë projekte.
Drejtori i Stacionit të Autobusëve, Ilir Lyta, e njoftoi edhe për nismën e fundit të kësaj ndërmarrje që të marrë nën menaxhim transportin urban, ku është hapur edhe oferta për blerjen e dy autobusëve.
Nga ana e tij, Çaushi shprehi mbështetjen për këtë nismë, por tha se duhet të shikohet mundësia që përmes linjave të transportit urban të përfitojnë të gjithë qytetarët e komunës.
“Jemi shumë afirmativ për hapat që janë ndërmarrë për një nismë të re për përmirësim të gjendjes në transportin urban me dy autobusë që pritet të blihen mirëpo duhet të shikohet mundësia që ky shërbim t’i ofrohet të gjithë qytetarëve të komunës së Gjakovës përmes linjave të reja. Prandaj disktuaum mundësitë ku ne si qeverisje e ardhshme komunale do të mund të jepnim kontributin tonë në mënyrë që ky shërbim të funskionoë si duhet”, u shpreh Çaushi.
Para takimit në Stacionin e Autobusëve, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të komunës vizitoi edhe organizatën Iniciativa e Femrës Kosovare./radiogjakova/