.
Published On: Thu, Sep 28th, 2017

Ermeni në Dushkajë: Do të keni vëmendjen time

Share This
Tags

Bekim Ermeni ka vijuar takimet derë më derë me banorët e Dushkajës. Ai së bashku me kanidatin për Asamble të kësaj zone, Mark Krasniqi vizituan të gjitha lagjet e Cërmjanit dhe biseduan për hallet e tyre dhe mundësitë që në qeverisjen e ardhshme të intervenohet në zgjidhjen e problemeve të tyre.

Ermeni u shpreh se transporti i nxënësve nga lagjet e Cërmjanit deri te shkolla, sidomos në lagjet Xhekaj dhe Avdijaj është problem i pazgjidhur nga qeveria e kaluar dhe neglizhencë totale që kërkon zgjidhje me urgjencë dhe përgjegjësi ndaj banorëve.

Sipas tij, edhe rrugët dhe riparimet në ndriçim të lagjeve Kidaj dhe Lumaj duhet të jenë pjesë e planeve investive komunale.

Kandidati i LDK për kryetar të Gjakovës, Ermeni, premtoi se gjatë qeverisjes së tij do të bëhet ndërtimi i kanalizimeve për ujërat e zeza duke përfshirë investimin edhe në bio-disqe për trajtimin e tyre para derdhjes në toka bujqësore.

“Dushkaja dhe Cërmjani meritojnë vëmendje më të madhe institucionale dhe LDK-ja zotohet që jo me premtime të mëdha por me projekte të realizueshme do të jetë prezente aty”, u shpreh Ermeni.