Kusari-Lila: Fitoj pa balotazh
Alternativa prezantoi kandidatët për Asamble komunale të Gjakovës në një tubim ku mori pjesë edhe kandidatja për kryetare të Gjakovës nga ky subjekt, Mimoza Kusari-Lila, deputeti Ilir Deda dhe përfaqësues të tjerë të kësaj partie.
Në fjalën e tij, deputeti Deda përmendi sukseset e Kusari-Lilës gjatë mandatit të saj 4-vjeçar në krye të komunës, duke theksuar guximin e saj për të luftuar korrupsionin, zhvatjen dhe dukurite negative, që sipas tij, i kishte ish-pushteti i AAK-së.
Ndërsa Kusari-Lila para të pranishmëve tha se është e sigurt në fitoren e saj, madje tha se nuk do të ketë as balotazh. Ajo shtoi se Gjakova duhet të vazhdojë me të në krye sepse duhet të vulosen sukseset që janë nisur gjatë mandatit të kaluar.
“Përkundër pazareve që u bënë në qeverin qendrore, unë prap jam me ju, që të vulosim bashkë suksesin që e kemi nisur katër vite më parë. Ato që i thanë për mua katër vite më parë, i harruan ngase u bënë bashkë për pushtet, harruan që ka shtet dhe u lidhën vetëm për interesat e tyre”, tha Kusari-Lila.
Në fund të tubimit, u prezantuan edhe kandidatët për Asamblenë komunale nga radhët e Alternativës në Gjakovë, për të cilin Kusari-Lila tha se përfaqëson më së miri të gjithë komunën e Gjakovës./radiogjakova/