Kusari-Lila takon nënat e personave të pagjetur
Mimoza Kusari-Lila e shoqëruar nga kandidatët për Asamble nga Alternativa vizitoi shtëpinë muze të familjes Qerkezi ku takoi familjarët e personave të pa gjetur dhe përfaqësueset e shoqatës “Thirrjet e Nënave”.
Kryetarja e Alternativës tha se shtëpia muze e familjes Qerkezi, përjetimet e familjarëve të personave të pagjetur dhe e gjithë sakrifica e tyre për liri, duhet të na shoqërojë hap pas hapi në ndërtimin e shtetit tonë.
“Ne nuk kemi ardhur për fushatë, por që të vizitojmë një vend të shenjtë i cili është sinonim i sakrificës së popullit tonë për liri. E rëndësishme është që kauza juaj të përfundojë sa më shpejtë me gjetjen e familjarit të fundit që konsiderohet i pagjetur si dhe sa më parë të dalin para drejtësisë të gjithë ata që kanë shkaktuar këtë plagë të madhe për vendin tonë”, tha ndër të tjera Kusari-Lila.
Nga ana tjetër, nënë Ferdonije Qerkezi falënderoi Kusari-Lilën për mbështetje si dhe kërkoi që të mbështetet botimi i një monografie për familjen Qerkezi dhe përgatatitja e një padie ndaj atyre që sollën dhimbje ne familjen Qerkezi.