Mustafa mbështet Ermenin: Njeriu që i duhet Gjakovës
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka kërkuar nga qytetarët e Gjakovës, përkrahjen për kandidatin e kësaj partie për kryetar të Gjakovës, Bekim Ermeni.
Gjatë tubimit qendror që LDK ka mbajtur në Gjakovë, Mustafa ka thënë se Ermeni është një zgjidhje shumë e mirë, është njeri që ka dhënë kontribut të mrekullueshëm në një fushë shumë të rëndësishme të zhvillimit në këtë periudhë, jo vetëm në Gjakovë por edhe për Kosovë dhe se njerëzit e tillë duhet të përkrahen.
Gjatë këtij tubimi, Mustafa tha se sa ishte në krye të qeverisë qendrore është munduar që të përkrahë shumë projekte për Gjakovën, përfshirë edhe avancimin e Aeroportit të Gjakovës.
Ndërkohë, kandidati për kryetar të Gjakovës, nga kjo parti Bekim Ermeni ka prezantuar programin qeverisës në nivel lokal e që fokus kryesor ka zhvillimin ekonomik, e cila sipas Ermenit është e përgatitur nga ekspertet më të mirë që ka Kosova.
Ndërkaq kryetari i degës, Luan Gola, vuri në pah rolin e LDK-së që ka pasur në qeverisjen e kaluar lokale si dhe angazhimin dhe kontributin që ka dhënë familja e LDK-së për katër vitet e fundit për qytetin e Gjakovës.
Gjatë këtij tubimi, janë prezantuar edhe 38 kandidatët e propozuar për asamblenë komunale për komunën e Gjakovës nga kjo parti. /radiogjakova/