.
Published On: Mon, Oct 9th, 2017

Veseli: Gjakova ka nevojë për PDK-në

Share This
Tags

Kandidati i PDK-së për kryetar të Gjakovës, Ramadan Hoti, pasditen e së hënës shpalosi programin e tij qeverisës për katër vitet e ardhshme në një tubim në praninë edhe të kryetarit Kadri Veseli dhe përfaqësuesve më të lartë të kësaj partie.

Hoti tha se platforma e tij bazohet në tre shtylla zhvillim ekonomik, qeverisje të mirë dhe garanci për të ardhmen. Ai premtoi investime në çdo sektorë dhe çdo zonë të komunës së Gjakovës.

“Do të përmirësojmë shërbimet komunale, reformism dhe depolitizim të administratës, luftim të korrupsionit në secilin dikaster që do ta udhëheqim ne, llogaridhënie dhe transparencë në menaxhimin e financave. Kemi paraparë njehsimin e zonës së lirë ekonomike, mbështetje për bizneset e reja, ndërtimi dhe rehabilitimi i rrugëve dytësore e ndërtim të stadiumit të ri”, tha Hoti.

Në mbështetje të kandidatit për kryetar të Gjakovës doli edhe Kadri Veseli. Kreu i PDK-së tha se Gjakova deri tani ka pasur udhëheqës që mendjen e kanë pasur në Prishtinë, ndërsa theksoi se komuna e Gjakovës ka nevojë për ndryshim të cilin mund ta sjellë partia e tij.

“Me Gjakovën kanë udhëhequr njerëz që me me mendje e me trup vetëm në Gjakovë nuk kanë qenë. Gjakova është qyteti që më së shumti meriton forcën e ndryshimit dhe Partinë Demokratike. Platforma jonë qeverisëse lokale është në shërbim të qytetarit, zhvillimit ekonomik dhe llogaridhënies”, deklaroi Veseli.

Kryetari i degës së PDK-së në Gjakovë, Hajdar Beqa, që prezantoi edhe kandidatët për Asamblenë komunale nga kjo parti, u shpreh se programi i Hotit buron nga qytetarët e Gjakovës dhe është gjithëpërshirës.

“Me forcën e ndryshimit e Ramadan Hotin, Gjakova do të ndryshojë për të mirë. Programi i Hotit dhe PDK-së buron nga Reka e Keqe, nga Reka e Mirë, nga Dushkaja, Hasi, edhe nga qyteti i Gjakovës. Andaj besoni PDK-së dhe Ramadan Hotit të cilin do ta kemi kryetar komune për katër vitet e ardhshme”, tha Beqa./radiogjakova/