Historia e Mike Dusit, producentit të Hollywood-it me rrënjë nga Gjakova
Ai nuk di të flas shumë në gjuhën shqipe, por di ta thotë shqip dhe me mburrje që është shqiptar. Babai i tij është nga Qerimi i Gjakovës, nëna nga Mirdita kurse ai vet një nga aktorët dhe producentët më të njohur të Hollywood-it.
Ky është Mikel Dushi i njohur si Mike Dusi i lindur dhe i rritur në New York bashkë me familjen e tij. Ka punuar si një djalë që shërben pica në dyqanin e familjes por karrierën e tij e ka nisur 10 vjet më parë në Los Angelos.
Edhe pse zhvillon gjithë veprimtarinë e tij në Amerikë ai dhe familja e tij kultivojnë kulturën shqiptare. Mike Dusi ushqen një dashuri të madhe ndaj kombit të tij. “100 % gjaku im është shqiptar, jam amerikan nga pjesa e jashtme por unë jam vet tradita dhe kultura ime, jam ashtu sic jam rritur dhe kështu do të vazhdoj të jem”, tregon Mike Dusi.
Është shprehur njëherë që ai është shembulli më i mirë dhe më i keq i shqiptarëve sepse është rritur në një mënyrë shumë tradicionale. “Prindërit e mi ishin gjithë kohës duke më thënë mos pi duhan, mos pi alkool, mos merr drogë, mos bëj tatuazhe, mbylle gojen dhe bëhu fëmijë i mirë se do të jesh në rregull”, u shpreh Mike në emisionin “Pasdite në Top Channel”.
Mike Dusi shqiptari me karrierë hollivudiane është përjetë mirënjohës ndaj prindërve të tij që e rriten në atë ambient që mësohej gjithmonë se duhet respektuar familjen, të ftuarit dhe gjithë të tjerët. Dhe me të vërtet nëse sot e shohim se sa ballëhapur tregon që është shqiptar një i ri që është lindur dhe rritur jashtë vendit ku edhe e ka fituar famën, ka të bëj pikërisht me mënyrën se si ka mësuar të jetë i tillë nga të rriturit.
“Prindërit e mi më thonin je shqiptar duhet të jesh krenar, vetëm kaq dhe asgje tjetër, 100 % shqiptar, shqiptar me traditë, shqiptar i Kosovës”, vazhdon ai. Duke treguar për jetën e tij, për filmat që ka realizuar nxjerr nga xhepi kartën e tij. Karta e Mike ka emrin dhe mbiemrin dhe shqiponjen e flamurit shqiptar.
E brengos fakti që në një të ardhme fëmijët e tij nuk do të flasin shqip dhe për të thotë se kjo është e frikshme. “Gjuha shqipe nuk vdes tek unë por te prindërit e mi, të mendosh që e gjithë kultura dhe kombësia po shkojnë në drejtim të kundërt jo në drejtimin e të mësuarit shqip dhe të martuarit me vajza shqiptare dhe nuk jam i lumtur për këtë, më besoni” .
Së fundmi dasmat dhe traditat shqiptare vendosi t’i shfaq në një film komik “Mikey Boy” i cili premieren e kishte në New York është shfaqur në Shqipëri dhe me 5 dhjetor do të shfaqet edhe në Prishtinë në Kino ABC.
Mikel Dushi po arrin drejt piedestalit të dëshiruar, po ngritet me shpejtësi në rrugën e famës dhe të Hollywood-it, ka prekur ëndrrën e tij, është shqiptar dhe shembulli më i mirë se një fëmijë që rritet në një familje të shëndoshë është shpresë e madhe për një vend./radiogjakova/
EDEA BLYTA