.
Published On: Sun, Sep 29th, 2013

Shani Doli, një qylahxhi i moçëm

Share This
Tags

doli-plisiQeleshpunuesit dikur qëndron rend njëri pas tjetrit në Çarshinë e Madhe. Bashkë me zejet tjera i dhanë jetë këtij qyteti duke e shëndrruar Çarshinë e vjetër si “zemren ekonomike të Gjakovës”. Por kjo zeje është në rrezik për t’u “zhdukur” pasi shumë pak veta po merren me të.

Shani Doli është njëri nga qeleshpunesit më të vjetër të Gjakovës. Me këtë punë filloi të merrej që para 25 viteve, atëherë kur i ra mbi supe obligimi për të mbajtur familjen. “Si fëmijë kam fillu me punu plisa apo qylaha. I kemi ndihmu babës e sot edhe mbajmë familje prej këtij zanati”, tregon baca Shani.

Ai nuk ka një dyqan, punen e bën në bodrumin e shtëpisë, vend ku e gjejmë bashkë me djalin Albertin të cilët e “plakin” diten mes veglave të “plakura” që punën me të cilen u plak usta Shaniu e bëjnë akoma mirë.

dyqan-qylahxhi

Ai fillon rrëfimin me origjinen e kësaj zeje për të cilen thotë se ka nisur në Gjakovë. “Zeja e qylahpunuesve ka ardhë nga Gjakova, pasi jemi i vetmi vend që dimë t’i punojmë. Përpara jemi quajt “qelashi” e sot “qeleshepunues”, fjalë e Shqipërisë”, shpjegon baca Shani i cili herë pas here kthen koken për të kërkuar komunikimin verbal duke dashur të jetë akoma më bindes e në të njejten kohë vazhdon punen me të dyja duart duke i dhënë formë një tjetër plisi.

Familje të shumta gjakovare i kanë kushtuar një pjesë të mirë të jetës së tyre kësaj zeje, andaj edhe baca Shani nuk harron t’i përmendë edhe ata që e vazhdojnë këtë traditë. “Jemi 3 familje në Gjakovë që e vazhdojmë punën e plisave a qylahave: familja Kika, Mula e edhe ne”, thotë ai.

doli-alberti

Djali i Shani Dolit, Alberti i cili ndihmonin te atin

Ditët kur njerëzit trokisnin në derën e bacës Shani për një plis janë rralluar ndjeshëm për t’u lënë vendin vetëm ditëve festive apo ndonjë rasti më të veçantë kur vendi e kërkon edhe “praninë” e plisit. “Ditët kur ne i’a kemi pa hajrin këtij zanati kanë mbaruar. Sot qylahat blihen vetëm në raste festash apo ndonjë ansambël për koncertet ose manifestimet e ndryshme”, thotë me keqardhje baca Shani.

Ustallarët e familjes Doli materialin e marrin në Turqi nga një firmë e njohur e leshit të deleve, ndërsa në punimin e një qylahi duhet punë, kohë e shumë mund.  Në të ndërthuren 16 operacione dhe kryhet një punë e ndërlikuar. E gjithë ajo punë e bërë me një vegël prej druri e me duar. “Bëhet një punë rutinë, dorë pas dore e vegël pas vegle deri në finalizimin e tij”, tregon Alberti, i cili për të kompletuar rrëfimin e të atit thotë se shitja e vogël ndonjëherë bën që ata më shumë të humbin sesa të fitojnë.

Pavarësisht kësaj, ky zanat e ka ushqyer me bukë dikur bacen Shani ndërsa ky si shpërblim i ka qëndruar besnik asaj. Duart e arta të këtyre ustallarëve të Gjakovës nga këto tre familje bëjnë që në këtë treg të “modernizuar” të kapelave të ketë akoma diçka shqiptare./radiogjakova/

Fiona Stuja