Kusari-Lila takon “Kuqezinjët e Jakovës”
Gjakovë- Kandidatja e AKR-së për kryetare të Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila ka takuar tifo-grupin “Kuqezinjët e Jakovës” me të cilët ka diskutuar për problemet në sportin gjakovarë dhe programin e saj për këtë fushë.
Duke përmendur një nga një klubet të cilat janë shuar në komunën e Gjakovës, Kusari-Lila ka akuzuar pushtetin aktul për degradim të infrastrukturës sportive dhe politizim të sportit, gjë që sipas saj, nëse ajo do të vij në pushtet nuk do të ndodhë asnjëherë.
Kandidatja e AKR-së ka thënë se do të shikohet me urgjencë situata në klubin e futbollit Vëllaznimi dhe në të gjitha klubet tjera në sportet përkatëse për të ju ndihmuar të rikthejnë namin e dikurshëm.
Nga ana tjetër, Valon Gexha kryetar i “Kuqezinjëve të Jakovës” ka njoftuar Kusari-Lilen me dhimbjen e tyre për gjendjen aktuale të sportit dhe kanë shprehur propozimet e tyre si mundësi për të nxjerrë nga kriza klubet e Gjakovës.
Po ashtu, tifozët kanë kërkuar që në video-mesazhin e AKR-së të hiqet pjesa ku shkelet fanela e Vëllaznimit, pasi sipas tyre, pavarësisht se kuptohet ideja, mënyra sesi është shprehur ajo është e vrazhdë. Kusari-Lila ka premtuar se do hiqet dhe ju ka kërkuar falje tifozëve për këtë veprim duke thënë se ajo nuk është bërë për të lënduar ata por për të nxjerrë në pah se në çfarë gjendje e kanë sjellë klubin pushteti aktual.
Kusari-Lila ka njoftuar se në shenjë nderimi për sportin, sportistët dhe tifozët gjakovarë, me 20 tetor këtij viti do të marrë pjesë në gjysmë maratonen e Tiranës ku me ndresën Kuq e Zi, vrapimin do të ja dedikojë sportit gjakovar dhe “Kuqezinjëve të Jakovës”./radiogjakova/