“Ndryshimi po vjen, do të ndihet pas disa javësh në Gjakovë” (FOTO)
Gjakovë- Mimoza Kusari-Lila në një takim me banorët e bashkësive lokale tre dhe katër pasditen e së shtunes ka thënë se Gjakova ka pasur një qeverisje që ka qeverisuar me inat dhe mllef ndaj atyre qytetarëve që në vitin 2009 besuan se qeverisja duhet të ndryshohet. Por, ajo ka shtuar se këtij pushteti po i vjen fundi.
“Ndryshimi ka ardhur e do të ndihet edhe pas disa javësh në komunë. Ajo çka është e rëndësishme është se duhet të dilni të votoni, të mos i jepni askujt mundësinë të manipuloj me voten tuaj, të mos i leni hapsirë të shfrytëzojë emrin tuaj në dëm tuajin. Prandaj, inkurajoni të tjerët të votojnë e ndihmojuni atyre që nuk mund të dalin në votime, por vetëm votoni masovikisht. Nuk dua të ju sygjeroj parti apo numër, por duhet ta dini vetë se nga vjen ndryshimi për Gjakovën”, ka thënë ndër të tjera Kusari-Lila.
Ajo ka siguruar se nën drejtimin e saj, Gjakova do të bëhet shembull i një komune transaparente, me qasje të lehtë në informata dhe në shërbim të qytetarit.
Në këto zgjedhje Kusari-Lila tha se nuk i intereson fati i saj personal, por i Gjakovës në tërësi. “Për mua ka qenë e lehtë të dorëhiqem nga dy postet në Qeverinë e Kosovës, ajo është thjesht një fat imi individual, por është e madhe sepse ka të bëjë me fatin e qytetarëve të një komune të cilët gjenden në një situatë më të rëndë se disa qytete tjera me numër më të vogël”, ka shtuar ajo.
Kandidatja e AKR-së ka pasur dhe një apel tjetër për gjakovarët, duke i lutur ta heqin friken. “Ju lutem, sinqerisht ju lutem, që ta largoni friken. Më vjen keq që frika ka kapluar komunën e Gjakovës. Liria është e drejtë univerzale. Nuk janë të fortë ata që forcen e mbajnë në muskuj apo në armë, liria fillon në zemër dhe kokë. Mos leni asnjë t’ju dominoj, t’ju shantazhoj apo të ju frikësoj”, ka thënë Kusari-Lila.
Në fund të këtij takimi janë prezantuar dhe kandidatët për Asamble nga këto bashkësi lokale, si dhe Kusari-Lila është bërë kumbara e Brendinës, pasi nëna e vogëlushes, kishte vendosur që ajo t’ia bënte zakonin e marrjes së shejit./radiogjakova/