Gola në Lipovec: Komuna ju ka harruar
Gjakovë- Kandidati i LDK-së për kryetar të Gjakovës Luan Gola, është takuar me banorë të fshatit Lipovec, nga të cilët e ka kërkuar votën për LDK-në, pasi sipas tij vetëm me këtë parti, Lipovecit dhe regjionit të Hasit në përgjithësi do t’i kthehen investimet dhe do t’i kthehet dinjiteti i dikurshëm.
Duke ju rikujtuar lipovecasve se qeveria aktuale e Gjakovës nuk ka bërë asnjë investim në këtë fshat, Gola ka përmendur projektet konkrete të cilët qeveria eventuale e LDK-së do t’i ketë si prioritet për fshatin.
Nga ana tjetër, edhe banorët e Lipovecit janë ankuar për investime të pakta në fshatin e tyre, ndërsa kanë kërkuar nga përfaqësuesit e LDK-së që në rast se vijnë në pushtet nuk duhet ta harrojnë këtë fshat i cili ka dhënë kontribut që nga periudha shumë të hershme e deri tek lufta e fundit dhe periudha pas saj.
Në këtë tubim, është prezentuar kandidati për asambleist që vjen nga fshati Lipovec, Bekim Golaj dhe kandidatë tjerë nga fshatrat e Hasit./radiogjakova/