“Ne s’premtojmë shumë, por ato që themi i realizojmë”
Gjakovë- Lëvizja Vetëvendosje pasditen e së dieles në Çarshinë e Madhe të Gjakovës ka mbajtur tubimin e saj për të prezantur alternativën qeverisëse që ofron ky subjekt politik me kandidaten e saj për kryetare Arbërie Nagavci dhe kandidatët për Asamble.
Në fjalen e saj, Nagavci ka thënë se Gjakova është shëndrruar në një vend ku askush nuk dëshiron të jetojë e kjo ka qenë arsye që t’i hyjë garës për kryetare të Gjakovës, që me program konkret të t’ia kthejë edhe njëherë namin që kishte dikur Gjakova.
“Problemet e shumta me të cilët po përballet Gjakova mund të tejkalohen vetëm me një vizion, punë dhe angazhim të secilit prej nesh, andaj dhe morra guximin të bëhem pjesë e këtij vizioni që të punoj bashkë me ju në realizimin e ëndrrës për një qytet më të mirë”, ka thënë Nagavci.
Kandidatja e VV-së ka përmendur shtyllat kryesore të programit ku përfshihet rritja ekonomike, bujqësia, arsimi cilësor, planifikimi urban, kultura, trashigimia kulturore, sporti, infrastruktura, strehimi dhe fuqizimi i rinisë.
“Ne nuk do të themi fjalë të mëdha, nuk do të japim premtime të shumta por ju garantojmë se do të realizojmë secilen fjalë e premtim që e themi”, ka thënë Nagavci para të pranishmëve teksa ka paraqitur alternativën qeverisëse për Gjakovën.
Në këtë tubim ka marrë pjesë edhe deputeti i Vetëvendosjes në Parlamentin e Kosovës, Visar Ymeri i cili pasi ka kritikuar punimet në Çarshinë e Madhe, ka thënë se gjakovarët më 3 nëntor do të gjenden përballë dy alternativave.
“Qytetari i Gjakovës më 3 nëntor nuk ka shumë zgjidhje, por vetëm dy. Njëra prej këtyre zgjidhjeve është degradimi dhe mjerimi i vazhdushëm ekonomik e politico-social që në Gjakovë përfaqësohet nga dy persona kryesor: Pal Lekaj, që është kryetar i Komunës, dhe nga Mimoza Kusari-Lila e cila pretendon të jetë kryetare. Por, qytetari i Gjakovës e ka dhe një zgjidhje tjetër e ka zgjidhjen e zhvillimit dhe të mirëqenies dhe kjo përfaqësohet nga Arbërie Nagavci dhe nga lista e kandidatëve për Asamble”, ka thënë ndër të tjera Ymeri.
Anëtari i kryesisë së Vetëvendosjes, Dardan Sejdiu ka kritikuar modelin ekonomik që ndjek Qeveria qendrore e cila sipas tij ka ndikur që edhe qytete industriale si Gjakova të shkatërrohen.
“Janë disa qytete që kanë hequr më së shumti prej këtij modeli ekonomik që shet gjithçka, privatizon gjithçka dhe len njerëz të papunë, një qeverisje që është bërë edhe më agresive këto katër vitet e fundit”, ka thënë Sejdiu.
Në fund të këtij tubimi, Arbërie Nagavci bashkë me kandidatët për Asamble kanë biseduar me pjesëmarrësit për paqartësitë e mundshme që kanë ata në programin e Vetëvendosjes për Gjakovën./radiogjakova/