Thaçi në Rugovë: Gjakova ka vendosur të votojë për PDK-në
Gjakovë- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka qëndruar të shtunen në Rugovë, në tubimin e PDK-së në këtë anë për të mbështetur Hajdar Beqën për kryetar të Gjakovës.
Ai ka thënë se kësaj rradhe qytetarët e komunës së Gjakovës kanë vendosur që të votojnë masovisht PDK-në në mënyrë që të ndryshojnë për të mirë gjendjen e komunës dhe ta bëjnë Gjakovën një qytet evropian.
“Ne kemi sjellë investime këtu, por do vazhdojmë të punojmë me ju për zhvillimin ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e mirëqenjës sociale të qytetarëve. Le të vazhdojmë së bashku le të votojmë për Gjakovën evropiane, për Hajdar Beqen si kryetar dhe të vazhdojmë me zhvillimin e Rogovës”, ka thënë Thaçi.
Ai nuk ka lënë pa përmendur vendimin për themelimin e komunës së Rogovës, duke thënë se “kjo është hera e fundit që votoni si pjesë e komunës së Gjakovës, sepse herën tjetër do të votoni për Rogovën me kryetar Ramdan Hoti”.
Kryetari i PDK-së ju ka kujtuar të pranishmëve se ata që kundërshtuan themelimin e komunës së Rugovës, tashmë po kërkojnë voten e kësaj ane. “Ju e dini se edhe ata që votuan kundër formimit të komunës, tash kërkojnë edhe votën tuaj. Por ju e dini përgjigjen”, është shprehur Thaçi.
Në anën tjetër, kandidati i PDK-së për kryetar të Gjakovës, Hajdar Beqa ka shpalosur vizion e tij katër vjeçar për komunën e Gjakovës, e veçanerisht për Rugovën, për të cilen ka garantuar mbështetje të madhe jo vetëm në këtë kohë, por edhe në të ardhmen./radiogjakova/