Nagavci takime me familjarët e dëshmorëve dhe martirëve
Gjakovë- Arbërie Nagavci e shoqëruar nga bashkëpuntorët e saj nga Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar vizitat tek familjet e dëshmorëve, martirëve dhe tek shoqata “Thirrjet e nënave”.
Në njëren nga takimet, kandidatja e VV-së ka thënë se subjekti që përfaqëson ka qenë gjithmonë pranë familjeve të dëshmorëve dhe do të vazhdojë të jetë. Ajo ka thënë se kanë këruar ndërtimin e një përmendore për gjithë të rënët nga komuna e Gjakovës.
“Ne kemi kërkuar që Komuna e Gjakovës të bëjë një shesh memorial për përmendoren e të gjithë të rënëve nga Komuna e Gjakovës dhe këto kërkesa janë adresuar edhe në Kuvendit Komunal. Lëvizja Vetëvendosje nuk i ndan dëshmorët me ngjyra partiake dhe nuk i punëson dhe favorizon familjarët e tyre duke ju vënë kushte siç bëjnë partitë tjera”, ka thënë Nagavci.
Ndërsa, tek “Thirrjet e nënave”, Nagavci tha se ndjen keqardhje për këtë kategori të viktimave të luftës si dhe qasjen neglizhente të qeverisjes lokale dhe asaj qendrore ndaj këtyre njerëzve.
“Fakti që Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë konsistente ka mbështetur në forma të ndryshme këtë kategori të viktimave të luftës na bëri më të lehtë vizitën tek shoqata juaj. Qëllimi i kësaj vizite është premtimi se ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë jush duke ju mbështetur në të gjitha format e mundshme”, u shpreh Nagavci./radiogjakova/