PSD prezanton kandidatët për Asamble
Gjakovë- Partia Socialdemokrate ka prezantuar të dielen kandidatët e saj që garojnë për Asamble komunale. Në këtë takim ishte prezente edhe kryetarja e këtij subjekti politik Majlinda Nushi.
Para gazetarëve, ajo ka thënë se Gjakova është një komunë e cila meriton më mirë dhe se kandidatët e partisë së saj, do të mbrojnë interesin e gjakovarëve në Kuvendin Komunal.
Nushi, gjithashtu, është treguar e paqartë në pyetjen se cilin prej kandidatëve për kryetar të Gjakovës e mbështet PSD-ja.
Pasi fillimisht e nisi arsyetimin e saj duke thënë se nuk do mbështesë asnjë kandidat i cili viziton komunën vetëm në kohë fushate dhe se kryetari aktual, Pal Lekaj është njeriu i vetëm që ka program, ajo në fund ka thënë se elektorati i PSD-së në Gjakovë mund të zgjedhë cilindo prej kanidatëve.
Nushi ka thënë se dega e PSD-së në Gjakovë nuk ka pasur kohë të riorganizohet që pas ardhjes së saj në krye të partisë dhe kështu të nxjerrë një emër për kryetar, porse dhe me asambleistë ata mund të bëhen faktor në skenën politike lokale.
PSD-ja garon me shtatë kandidatë për Asamble komunale: Nora Vula si bartëse e listës, Burim Zhubi, Mirlinda Dautaga, Pranvera Sharani, Visar Batalli, Lauresha Juniku dhe Dorina Sharani./radiogjakova/